E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe dhe Lutaj: Pse jemi kundër ligjit të SHISH-it

Opozita

Deputeti socialist, Erjon Braçe, e sheh projektligjin e ri për Shërbimin Informativ Shtetëror si një manovër të Kryeministrit për ta zaptuar atë, duke kontrolluar në këtë mënyrë provat që ky institucion disponon për ngjarjet e rënda të ndodhura në Shqipëri. Një nga këto ngjarje, tha Braçe, është edhe tragjedia e Gërdecit dhe veprimtari të tjera me natyrë ekonomike, siç janë disa privatizime strategjike. “Normalisht që Kryeministri nuk mund ta tolerojë këtë fakt, që Sali Berisha të infiltrojë informacione të tilla, deri edhe në media, siç ka ndodhur, në raste të dyshuara po prej tij. Natyrisht që është e rëndë për të, për Kryeministrin e vendit. Nisur nga kjo i duhet një kontroll i plotë mbi të gjitha informacionet që mbërrijnë nga institucione që janë të rëndësisë së veçantë, siç ato kushtetuese, që më lejoni t’iu them se nuk janë në shërbim as të Sali Berishës, as të qeverisë së tij, as të partisë së tij”, tha Braçe. Ai renditi edhe disa pika që, sipas tij, tregojnë hapur tendencën e Kryeministrit, ku përfshihet ndërprerja e mandatit të kreut të SHISH-it pa arsye, vënia në varësi të veprimtarisë së këtij institucioni, duke kaluar kontrolle nga Parlamenti te Kryeministri. Sipas Braçes, SHISH-i rrezikon të kthehet në një shërbim operacional policor me ngjyrim tërësisht politik. Një tjetër pikë skandaloze që Braçe e vë në dukje, është edhe leja që SHISH-i duhet të marrë nga Berisha për të mbledhur të dhëna te shërbimet e huaja, por pa specifikuar të dhënat dhe vendet. Një tjetër element, tha Braçe, është edhe kontrolli që Kryeministri u bën marrëveshjeje që SHISH-i kryen me homologët e saj. Sipas tij, tendenca e kësaj qeverie është të vërë nën kontroll të gjithë sistemin e drejtësisë. Ndërsa deputeti i PS-së, Piro Lutaj, ka deklaruar se drafti i ri për ndryshimet në ligjin për SHISH kufizon këtë institucion të veprojë në liri dhe vihet në dispozicion të Kryeministrit. Lutaj theksoi se me ndryshimet në ligj SHISH-i kthehet në shërbim politik dhe vihet në kontroll të Kryeministrit. Sipas tij, tendenca e ndryshimit të ligjit pa u konsultuar me Presidentin do të fillojë ta degjenerojë këtë shërbim, duke shtuar se shpreson që të ketë reagime nga institucione të ndryshme të vendit, pasi këto ndryshime cenojnë rëndë të drejtat e njeriut. Ndërkohë, Lutaj theksoi se opozita do të kundërshtojë fort ndryshimet e bëra në këtë ligj dhe do të jetë e palëkundur, pasi këto ndryshime e cenojnë rëndë këtë institucion.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›