E Shtunë, 31 Tetor 2026

Popullsia, zbulohet formulari i regjistrimit

Si janë të formuluara pyetjet “e nxehta” për etninë dhe fenë

Instituti i Statistikave u bë dje pjesë e debatit që prej ditësh është ndezur rreth nismës për regjistrimin e popullsisë në bazë të etnisë dhe fesë. Drejtoresha e këtij institucioni, Ines Nurja, organizoi tryezën e rrumbullakët me organizatat jofitimprurëse mbi “Regjistrimin e popullsisë dhe banesave 2011” dhe deklaroi se kjo tryezë do të pasohet me të tjera. Në këtë takim, Nurja theksoi se përpara se të fillojë regjistrimi i popullsisë dhe banesave në janarin e vitit 2011, në muajin prill të këtij viti do të realizohet regjistrimi pilot i popullsisë dhe banesave, i cili do të shërbejë për të evidentuar të gjithë problematikën e mundshme në procesin e regjistrimit të popullsisë. Për herë të parë në media, Nurja bëri publike formularin e regjistrimit. Në këtë material, që do të shërbejë për regjistrimin e popullsisë, fillimisht personi do të japë emrin dhe mbiemrin e tij, gjininë dhe datëlindjen. Më pas pyetësori kërkon edhe vendlindjen e personit dhe statusin e tij martesor, ashtu sikurse numrin e fëmijëve të lindur. Një tjetër pyetje, ajo çka ka ngjallur debate të shumta, është ajo që lidhet me përcaktimin e etnisë së personit. Në këtë pyetje jepen 9 alternativa dhe mes tyre edhe opsioni: preferoj të mos përgjigjem. Po kështu, përveç etnive shqiptare, greke, maqedonase, rome, malazeze, vllahe dhe egjiptiane, formulari lë edhe opsionin e etnive të tjera, të cilat individi mund t’i plotësojë me shkrim dore në një kuadrat të lënë posaçërisht për këtë. Më pas në formular vjen edhe pyetja gjithashtu tepër e kontestuar e besimit fetar. Në këtë pyetje ka gjithsej 7 alternativa, midis të cilave edhe opsionet: Asnjë besim fetar dhe preferoj të mos përgjigjem. Po kështu, si në rastin e etnisë edhe në këtë pyetje, individi mund të shënojë me shkrim dore fenë jo tradicionale të cilës i përket. Pyetjen e fesë e pason ajo e gjuhës amtare dhe më pas edhe ajo se çfarë gjuhë flasin në jetën e tyre të përditshme. Më pas në formular vijnë pyetjet e shtetësisë. Formulari flet edhe për shkollimin dhe mënyrën e edukimit. Po kështu në këtë formular ka edhe pyetje për punësimin. Komisioni i regjistrimit ka përgatitur edhe një formular të posaçëm për çështjen e regjistrimit të banesës, ku duhet të jepet në mënyrë të saktë qyteti ose komuna, rruga, hyrja dhe kati. Por ky proces regjistrimi do të kalojë edhe në detaje shumë të imta, që lidhen me llojin e banesës, sistemin e furnizimit me ujë, vendi ku është i vendosur tualeti, materialet e ndërtimit dhe detaje të tjera tepër teknike. Pajisja me kompjuter dhe me internet është një tjetër pyetje e vendosur. Sipas drejtoreshës së INSTAT-it, regjistrimi është një proces madhor dhe një angazhim i shumë burimeve financiare, njerëzore dhe logjistike për një vend. Ajo theksoi se ky proces i shërben dhe politikëbërësve qendrorë dhe lokalë, të cilët mbi këto të dhëna do të hartojnë politika të reja ekonomike e sociale apo revizionojnë ato të vjetra, me qëllim përmirësimin e standardit të jetesës në vend. Po kështu, INSTAT-i theksoi se diskutimi i pyetësorit në tryeza të gjera me shoqërinë civile do të shërbejë dhe për shkëmbim mendimesh e përmirësimin e mëtejshëm të këtij procesi.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›