E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koço Plaku, ish-studenti i Fultzit që zbuloi burimet e naftës

Kush ishte njeriu i ekzekutuar në vitin 1976, në një vend të quajtur Reparti 313

Viti 1976. Koço Plaku, i akuzuar si spiun sovjetik, sabotator në industrinë e naftës e të gazit dhe natyrisht për tradhti ndaj atdheut, doli para gjyqit pas muajsh të tërë torturash. Pavarësisht torturave, ai u përpoq t’i shpjegonte gjykatës me logjikë shkencore se si funksiononte nxjerrja e naftës dhe gazit. Ai nuk i pranoi akuzat. Shpjegimet nuk i hynë në punë.
Koço Plaku lindi në fshatin Hoçisht të krahinës së Devollit në maj të vitit 1929. Koço ishte djali i katërt i Josif Plakut. Vëllezërit e tij më të mëdhenj morën pjesë në lëvizjen antifashiste. Në periudhën e fundit të pushtimit, familja Plaku u internua nga fashistët në Porto Romano. Koço Plaku ndoqi shkollën e mesme teknike "Hari Fultz" e më pas universitetin "Gupkin" në Moskë, ku studioi për Gjeologji. Pas kthimit nga Moska, u emërua si fillim inxhinier në Institutin e Naftës në Vlorë për të vijuar më pas në Kuçovë e Fier, ku u dallua si gjeologu dhe studiuesi kryesor i zonave ende të pazbuluara në atë kohë të naftës dhe gazit.
Familja nga rridhte Koço Plaku: vëllai i tij i madh, Jorgo, u vra pak muaj para çlirimit, në mesin e janarit të ftohtë të ’44-s. Për vrasjen e tij qarkullojnë dy versione, ku një i përket ekzekutimit të tij në urën e Kovaçit në Voskopojë nga pushtuesit dhe versioni tjetër ka të bëjë me faktin që Jorgo është vrarë nga partizanët me urdhër të Enver Hoxhës.
Por, fati i keq i djemve të Josifit vijoi me vdekjen e Mikailit ose siç e njohin të gjithë Kalos, vëllait të dytë të Koços, në vitin 1953. Kalo ishte drejtuesi i parë për afro katër vjet i fermës së Sukthit. Ai u gjet i pajetë dhe nga hetimet e mëvonshme doli se ishte helmuar.
E sikur të mos mjaftonte kjo humbje tragjike, vëllai tjetër i Koços, Panajoti, që kishte qenë dikur partizan dhe që në fillimet e para të pasçlirimit mbajti poste të larta drejtuese të shtetit shqiptar, deri në postin e ministrit pa portofol, në vitin 1957 u arratis për në Jugosllavi përmes liqenit të Ohrit. Thuhet se u vra në vitin 1966. Vendi ku prehet nuk e di askush.
Arratisja e Panajotit e thelloi edhe më tepër zemërimin prej inferiori që kishte zënë prej kohësh diktatorin Enver Hoxha. Hoxha jo vetëm që e cilësoi Panajot Plakun armik të popullit dhe e përndoqi atë edhe në arrati, por u betua përfundimisht që asnjë nga familja Plaku të mos ngrinte krye, pasi Enver Hoxha përballë djemve të Josifit ndihej xheloz. Enver Hoxha nuk u zbut edhe pas fisnikërisë së treguar nga nëna e Koços, edhe pas përsosmërisë profesionale të të vetmit që kishte mbetur, Koço Plakut. Ai shumë shpejt krijoi alibinë tradhtare ndaj Koços, për të arritur deri në burgimin e dy motrave që kishin mbetur në mëshirë të fatit. Diktatori do ta zgjeronte rrezen e tij shfarosëse deri te kushërinjtë e largët të babait të Koços dhe kjo luftë, në dukje armiqësore, do të prekte edhe në vitin 1985 kushëririn e Koços, Minain, i cili vuajti disa vjet burg dhe internim për agjitacion e propagandë.
Portreti shkencor i Koço Plakut
Gjeologu Koço Plaku, që në fillimet e para të punës do të tregonte aftësitë e tij të larta profesionale dhe ndjenjën atdhetare. Kjo e fundit, e imponuar vullnetshëm te Koço, do ta fuste atë në ambicien e madhe për të çuar edhe më para industrinë ende të brishtë të naftës shqiptare. Ai ishte student i shkollës së naftës ruse. Idhulli i tij ishte Stanislav Zuber, i cili mbronte tezën se nën shtresat gëlqerore nuk ka naftë. Koço Plaku me studimet e tij, e hodhi poshtë tezën e gjeologut të madh polak (që mbahej gjeologu më i mirë në botë për atë kohë), duke zbuluar disa vendburime në Shqipëri në shtresat gëlqerore si Gorishtin Visokën dhe Cakranin. Afro 20 vitet e punës së Koços në naftë cilësohen sot të vetmet përpjekje frytdhënëse në zbulimin dhe nxjerrjen e naftës. Firmën e Koço Plakut e mbajnë sot të gjitha vendburimet e naftës. Ai zbuloi zonën e Visokës, për të vijuar më pas me Gorishtin, Cakranin, Frakullën, Divjakën, Delvinën etj. Vetëm pak javë para arrestimit të Koço Plakut, prodhimi i naftës arriti në afro 2.5 milionë tonë në vit.
Vendimi i gjykatës mbërriti brenda pak orësh në Asamblenë e Kuvendit Popullor, e cila la në fuqi dënimin me pushkatim për Koço Plakun dhe Milto Gjikopullin. Pak ditë më vonë, në fund të qershorit të ’76-s, një natë skëterrë, një grup policësh nxorën nga qelia Koço Plakun dhe të lidhur me zinxhir këmbë e duar e transportuan drejt vendit të ekzekutimit. Thuhet se në një vend ende të paditur, disa km larg Tiranës mes ca shkurreve, ku qysh më parë ishin hapur gropat, togat e ekzekutimit qëlluan me breshëri mbi trupat e tre të pafajshmëve, Koço Plakut, Milto Gjikopullit dhe Andrea Mankos. Varri i tyre i përbashkët pret ende të zbulohet.
Shënim: Për zbërthimin e figurës së Koço Plakut falënderojmë prof. Fotaq Diamantin, ish-kolegun e tij Ajet Mezinin, si edhe bashkëvuajtësin Nuredin Skraparin.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›