E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe i dhuron Berishës foton e tij me kreun e PPSH, Topalli e ndëshkon

Ashtu siç kishte paralajmëruar,
opozita nuk ka
marrë pjesë në seancën e
djeshme parlamentare,
duke mos u bërë pjesë e asnjë votimi,
derisa në Kuvend të paraqitet për
votim Kodi i ri Zgjedhor. Në sallën e
Parlamentit, dje ka qenë për pak
minuta vetëm nënkryetari i grupit të
PS-së, Erjon Braçe, i cili ka bërë publik
qëndrimin e opozitës, duke akuzuar
Kryeministrin Berisha se po mbyll
dosjet, në përpjekje për të mbrojtur
dhe shpëtuar diktaturën e korrupsionit.
Gjatë fjalës së tij, nënkryetari i
grupit të PS-së është shprehur se
"Berisha i trembet votës sot, njësoj si
oborrtari i korruptuar. Përkundër
gjithë nevojave që kanë njerëzit, Berisha
ka shkuar larg në të kaluarën e tij
komuniste, pasi ligji ka vetëm qëllim
të godasë institucionet e drejtësisë".
Braçe ka akuzuar Berishën se po imiton
Partinë Komuniste, ndaj i ka dhuruar
atij një fotografi, ku Berisha kishte
dalë së bashku me ish-zyrtarin e
lartë të PPSH-së, Simon Stefanin, si
dhe një dekoratë të kohës së komunizmit.
Sipas deputetit socialit, "ligji i
dosjeve mbron e shpëton diktaturën
e korrupsionit dhe përpiqet të godasë
rëndë deri në paralizë institucionet
kushtetuese". Gjithashtu, ai i ka kujtuar
edhe njëherë kreut të qeverisë se
ligji i dosjeve është kundërshtuar
hapur nga ndërkombëtarët dhe sipas
ndërkombëtarëve kërcënon disa
nene kushtetuese, ndaj duhet ekspertizë
e gjerë dhe kujdes në këtë ligj.
Ky ligj, ka theksuar në fjalën e tij Braçe,
është antikushtetues. Për më keq
është i pazbatueshëm. "Ta konstatonim
vetëm ne këtë do të ishte vërtet
pak. Por, në më pak se 10 ditë, shoqata
prokurorësh e gjykatësish,
ligjbërës e ligjnjohës çfarëdo, por me
eksperiencë të gjatë në njohje e zbatim
të ligjit, mbi të gjitha qeveri partnere
kanë konstatuar ekzaktësisht
këtë", është shprehur Braçe. Duke vijuar
fjalimin e tij të gjatë, ku nuk mungonin
akuzat ndaj Kryeministrit,
Braçe ka theksuar se "Sali Berisha
është varrmihësi ‘VIP‘ në një ceremoni
luksi, për gjykatës e prokurorë që
ai i do të nënshtruar, pa sy, pa gojë, pa
mendje të lirë juridike, pse jo dhe të
vrarë, por që duhet dhe kanë detyrimin
kushtetues të bëjnë drejtësi mbi
korrupsionin e qeverisë së tij". Provat
që tregojnë Berishën në krim mbi
drejtësinë dhe qëllimet e tij janë
shumë. Berisha gënjeu këtu në Parlament,
kur tha që ligji i tij ishte binjak
me atë çek. Berisha gënjeu këtu
në Parlament kur tha se pastrimi i
drejtësisë prej gjykatësve e prokurorëve
që kanë bërë gjyqe politike
ka qenë qëndrimi i tij i hershëm,
ndërkohë që faktet tregojnë qartazi
të kundërtën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›