E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-spiunët, pseudonimet e 40 deputetëve dhe ish-deputetëve

Pas një rikthimi të debatit mbi spiunët e
Sigurimit të Shtetit në politikën shqiptare,
gazeta "Shqip" vendosi të ribotojë
një shkrim që është publikuar më 4 korrik,
kur nisi përpjekja për të hartuar ligjin e "Pastërtisë
së figurave publike".
Politika shqiptare ka qenë prej 18 vjetësh
e helmuar nga "mbetjet toksike" të së kaluarës
komuniste, e cila ka lënë si peng të rëndë
bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit,
aparatit të dhunshëm që diktatura përdorte
ndaj të gjithë qytetarëve shqiptarë. Shumë
prej aktorëve të Parlamentit shqiptar, por
edhe të strukturave të tjera të shtetit, janë
pjesë e atij kontingjenti që Sigurimi i kishte
në listat e tij si bashkëpunëtorë, pavarësisht
sesi ata janë përdorur. Gazeta "Shqip", e cila
boton vetëm pseudonimet, disponon edhe
emrat përkatës të politikanëve, apo ish-politikanëve
që kanë qenë bashkëpunëtorë të
Sigurimit të Shtetit, por për arsye etike vendosi
të mos i botojë emrat e aktorëve, ishaktorëve
të politikës, funksionarëve, apo ishfunksionarëve
të shtetit shqiptar nga rrëzimi
i komunizmit e deri më sot. Ironitë e deputetëve
mbi kolegët e tyre të implikuar në
Shërbimin Sekret nuk kanë munguar, sa herë
që në arenën politike hapet një debat i ashpër
që cenon interesat e zyrtarëve më të lartë
të shtetit, të cilët përdorin "ciceronët" e tyre
në Kuvend për të dramatizuar situatën dhe
trembur spiunët e dikurshëm për të mbyllur
problemet më delikate të politikës aktuale.
Gazeta "Shqip" ka siguruar të dhënat që vijnë
nga dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit për deputetët,
ish-deputetët, funksionarët e lartë,
apo ish-funksionarët, që kanë bashkëpunuar
me shërbimin sekret komunist, ose sektorin
special të Partisë së Punës. Në dosjet
sekrete të diktaturës figurojnë nofka të ndryshme:
"Cigarja", "Dizenjatorja", "Financieri",
"Profesori", "Inxhinieri", apo shumë pseudonime
të tjera si "Parafabrikati", "Sqepi", apo
"Çiftelia". Këto pseudonime u përkojnë emrave
konkretë, të cilët militojnë, apo kanë
milituar që nga viti 1990 në politikën shqiptare,
apo edhe në administratën e shtetit.
Një pjesë e mirë e tyre kanë qenë edhe
pjesëtarë të institucionit kryesor të shtetit:
Kuvendit të Shqipërisë, pra deputetë. Prova
më e madhe për të hedhur poshtë komunizmin
dhe për të kompensuar si fillim moralisht
ish të përndjekurit politikë, është hapja
e dosjeve sekrete të spiunazhit komunist,
që për 18 vjet rresht është zvarritur, duke arritur
të shkojë vetëm deri te dera e Kuvendit
dhe jo të bëhet realitet. Ky fakt tregon se një
pjesë e mirë e deputetëve kanë qenë të implikuar
me dosjet e spiunëve, çka i ka detyruar
ata të hedhin poshtë çdo pretendim për të
hapur dosjet famëkeqe. Edhe pse pseudonimet
famëkeqe të komunizmit e dëmtojnë
rëndë imazhin e deputetëve në Parlament,
këta të fundit nuk ngurrojnë t‘i nxjerrin
të palarat njëri-tjetrit, duke i pagëzuar
me epitete të ndryshme si "Shishja e
qumështit", "Alfons Ballshi". Të gjithë ata
politikanë të sotëm e të djeshëm, apo zyrtarë
të lartë të institucioneve që prej 29 nëntorit
të 1944-ës deri më 31 mars të 1991-shit,
që i kanë shërbyer Shërbimit Sekret të Shtetit
do të përballen me ligjin e ri për hapjen
e dosjeve, i cili po përgatitet nga një komision
i posaçëm i Kuvendit.

Nofkat e përdorura nga politika

1. "QUKAPIKU"
2. "INXHINIERI"
3. "ÇIFTELIA"
4. "ÇORAPJA"
5. "DIZENJATORJA"
6. "FINANCIERI"
7. "DRITA"
8. "STILOGRAFI"
9. "I VOGLI"
10. "ALFONS BALLSHI"
11. "RAKETA"
12. "PROFESORI"
13. "SHKRIMTARI"
14. "DRAGOI"
15. "CIGARJA"
16. "LUFTËTARI"
17. "PROLETARI"
18. "INTELEKTUALI"
19. "MEDICINA"
20. "SQEPI"
21. "DOKU"
22. "BOZHURI"
23. "PLEPI"
24. "PARAFABRIKATI"
25. "KITARA"
26. "USHTARI"
27. "GJELI"
28. "GREPI"
29. "SHISHJA E QUMËSHTIT"
30. "SERBI"
31. "ÇIKLISTI"
32. "GREKU"
33. "MALËSORI"
34. "TIGRI"
35. "DIPLOMATI"
36. "POETI"
37. "URITHI"
38. "PËLLUMBI"
39. "STUHIA"
40. "KASTORI"


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›