E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Pastërtia e figurës": Ngjela, Solis dhe Bakalli, kundër PD-së

Mazhoranca, e përçarë për ligjin e dosjeve. Deputetët Spartak
Ngjela, Leonard Solis dhe Gilman Bakalli janë rreshtuar pro
hapjes së dosjeve, por kanë kundërshtuar projektin e Partisë
Demokratike. Avokati dhe deputeti Spartak Ngjela shprehet se tani po
kristalizohet një gjë edhe më e rëndë. "Është një kundërvënie e Kryeministrit
shqiptar me SHBA-në dhe Perëndimin në përgjithësi. Prandaj
duhet të jemi të vëmendshëm", sqaron ai. Sipas Ngjelës, fakti që ky ligj
nuk pranohet nga institucionet ndërkombëtare kuptohet që nuk ka
lidhje me Perëndimin, nuk ka lidhje me demokracinë. Në fjalën e tij,
deputeti Ngjela i referohet Kryeministrit Berisha për mënyrën se si po
përpiqet për t‘i hartuar dhe miratuar ligjet. "Ne jemi inertësi puniste.
Akoma nuk ka ardhur koha që punistët të mësojnë Amerikën se çfarë
është demokracia. Punistët do të mësojnë nga Amerika se çfarë është
demokracia. Kjo është esenca e këtij filmi, gjithë të tjerat pastaj janë
dëshirë për të dominuar hierarkinë e pushteteve, por nuk do ia dalin",
u shpreh Ngjela. Deputeti Ngjela e konsideron të gabuar tentativën e
qeverisë për t‘iu kundërvënë faktorit ndërkombëtar. Avokati e cilësoi
ligjin si një shkelje të Kushtetutës dhe kërkoi që ai të ribëhet nga e para.
"Duhet ribërë nga ata që dinë ta bëjnë", tha ai.
Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i PBDNJ-së, Leonard Solis, e
konsideron projektligjin për verifikimin e pastërtisë së zyrtarëve të lartë
me defekte të mëdha. "Kërkojmë një ligj konsensual, që s‘do të bjerë
ndesh me Kushtetutën", u shpreh deputeti i PBDNJ-së, Leonard Solis.
Ai ka kërkuar që ligji për dosjet të ketë një konsensus, ashtu siç kishte
konsensus edhe Kodi Elektoral.
Një tjetër zë kundër brenda së djathtës rebele, është edhe deputeti
i Shkodrës, Gilman Bakalli.
"Ka indicie krejtësisht të qarta që nuk është krijuar për të pastruar
shoqërinë shqiptare nga elementet komuniste, por ka si synim që të
dëmtojë sistemin e drejtësisë", u shpreh ai. Deputeti Bakalli deklaroi
hapur edhe votën e tij, e cila do të jetë as pro dhe as kundër këtij drafti.
"Unë do të abstenoj. Jam pro hapjes së dosjeve, por jo në këtë mënyrë,
siç është paraqitur nga qeveria. Në këtë drejtim, po sulmohet drejtësia",
tha Bakalli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›