E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Si President do flas me dekret, si politikan kam kërkuar pastrimin

Pjesë e debatit për ligjin e
"Dosjeve", nëse duhet të
miratohet apo jo, dje është
bërë edhe Presidenti i
Republikës, Bamir Topi. Pas një
takimi me të moshuarit, ku u ka
uruar festat e fundvitit, kreu i shtetit
i është përgjigjur edhe interesit
të gazetarëve, të cilët kanë
dashur të dinë opinionin e tij për
këtë ligj. Presidenti është munduar
të përdorë diplomacinë në
përgjigjen e tij, për të mos u bërë
drejtpërdrejt pjesë e këtij debati
politik. "Unë në natyrën time nuk
bëj koment mbi komente, por
duke qenë gjithmonë në një pozicion
respekti ndaj medias dhe
transparencës publike, do të bëja
thirrje që t‘i ktheheni arkivit. Secila
nga mediat ka arkivin e vet dhe
aty do të gjeni të gjitha deklaratat
e mia, për sa i përket çështjes së
dosjeve", është shprehur Topi.
Por, ka theksuar Presidenti i Republikës,
"në rast se do të më
pyesnit si politikan, gjithmonë
kam qenë i hapur për ta parë këtë
çështje sa më shpejt, në mënyrë
sa më profesionale, në mënyrë sa
më të gjerë, sa më komplekse dhe
natyrisht që, ai që kërkon të bëjë
karrierë, ka disa detyrime parësore
dhe kjo në radhë të parë ka të
bëjë me pastërtinë morale. Ndërsa
po të flisja si kreu i shtetit, mund
të them se Presidenti flet nëpërmjet
dekretit". Duke iu rikthyer
pikërisht të shkuarës, më 25 tetor
2006, deputeti i atëhershëm i Partisë
Demokratike, Bamir Topi,
kërkonte pastrimin e politikës
dhe organeve kushtetuese nga
ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit
të Shtetit. Sipas tij, ky pastrim dhe
hetim, duhet të niste nga radhët
e qeverisë dhe deri tek instancat
më të ulëta të shtetit. Por nga kjo
deklaratë kanë kaluar dy vjet dhe
asnjë hetim nuk është bërë për
asnjë zyrtar të lartë të shtetit, apo
nëpunës të rangjeve më të ulëta.
Në fund të mandatit qeverisës,
mazhoranca ka hartuar draftin
për pastrimin e figurave të zyrtarëve
të lartë. Në bazë të Kushtetutës,
ky ligj, pasi të miratohet
në Kuvend, ashtu si gjithë ligjet e
tjera, duhet të kalojë për të marrë
firmën e dekretimit nga Presidenti
i Republikës. Kreu i shtetit,
tashmë në pozitën jo të politikanit
të PD-së, por të numrit një të
Republikës, pritet që të mbajë një
qëndrim të ekuilibruar, para se të
hedhë firmën e dekretit mbi këtë
ligj, kaq të kontestuar si nga opozita,
ashtu edhe nga ndërkombëtarët.
Nëse kreu i shtetit vendos
ta kthejë ligjin në Kuvend,
duhet të japë edhe arsyet e këtij
veprimi të mbështetura në Kushtetutë,
ashtu siç bëri me Kodin
Zgjedhor. Por, nëse ai gjykon se
ligji është në rregull me Kushtetutën
e vendit, atëherë hedh
firmën mbi dekret dhe ligji brenda
dy javëve hyn në fuqi. Veprim,
i cili më pas pasohet me hapat e
tjerë, ku të gjithë zyrtarët e lartë
të shtetit duhet të përballen me
shoshën e verifikimit të pastërtisë
së figurës së tyre. Aktualisht,
nga mediat dhe nga vetë politikanët,
rezulton një listë e gjatë
emrash të njerëzve të cilët kanë
qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit
të Shtetit dhe kanë mbajtur
pseudonime të ndryshme,
ndërkohë që mbajnë poste të larta
si në politikë, në organet kushtetuese,
në prokurori dhe në
gjykata. Por se çdo të ndodhë realisht
mbetet për t‘u parë, nëse ky
ligj do t‘i pastrojë vërtet institucionet
nga spiunët, apo thjesht është
bërë një ligj për fushatë elektorale
dhe asgjë më shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›