E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Këpuca e Bushit" hap vende të reja pune

Përdorimi i tyre si objekt për të goditur në shenjë ul edhe më poshtë dinjitetin e Presidentit amerikan, Xhorxh Bush, dhe dërgon të zotin në burg. Por këpucët më të famshme në botë po sjellin fitime të majme për biznesmenin turk, i cili pretendon se janë prodhim i firmës së tij.
Ramazan Bajdan, pronar i kompanisë së prodhimit të këpucëve "Baydan Shoe Company", po mbytet prej porosive të panumërta nga e gjithë bota, pasi këmbënguli se këpucët me lëkurë të zezë, me të cilat gazetari irakian goditi Xhorxh Bushin, qenë prodhuar nga kompania e tij. Gjithashtu, Ramazan Bajdan ka punësuar edhe 100 njerëz të tjerë për t‘i bërë ballë kërkesës për 300 mijë palë këpucë të modelit 271 - më shumë se katër herë nga kërkesat në nivel vjetor. Shtimi i kërkesave vjen si rezultat i një dallge njerëzish që kërkojnë të solidarizohen me gazetarin irakian, i cili e goditi Bushin në shenjë proteste për të përfunduar i arrestuar.
Ramazan Bajdan deklaroi se më së shumti porositë kishin ardhur nga Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe nga vendet myslimane fqinje me Irakun. Rreth 120 mijë kërkesa vijnë pikërisht nga Iraku, ndërkohë që një kompani amerikane ka porositur 18 mijë palë. Nga fjalët e pronarit mësohet se një kompani britanike është ofruar të marrë përsipër rolin e distributorit në nivel evropian për firmën e Bajdanit, e cila operon në treg që nga viti 1999. Porosi të konsiderueshme i kanë mbërritur nga Siria, Egjipti e Irani, federata e këpucëbërësve të së cilës, është ofruar t‘i garantojë Bajdanit dhe familjes së tij këpucë falas për gjithë jetën.
Për t‘iu përshtatur kërkesave të fundit të tregut, Bajden po planifikon ta pagëzojë modelin "Këpuca e Bushit", ose "Bye-Bye Bush". "I shesim prej vitesh këto këpucë, por falë Bushit porositë po marrin kot. Jemi lidhur me një agjenci për reklamat në televizione", tha Ramazan Bajdan.
Ndërkaq, gazetari i guximshëm irakian gjenden në gjendje arresti që nga çasti kur u përpoq të godiste Xhorxh Bushin me të dyja këpucët. Rrezikon të përballet me një dënim gjykate nën akuzën e fyerjes së një lideri të huaj, por ka kërkuar ndjesë për veprimin dhe i është lutur për falje Kryeministrit të vendit të vet.

Pretendimi i rivalëve

Ndërkaq, në gjithë Lindjen e Mesme, kompani rivale këpucësh po marrin mbi vete autorësinë e këpucëve që u lëshuan drejt kokës së Xhorxh Bushit nga gazetari i zemëruar.
Po ashtu po shtohen gjithnjë e më shumë njerëzit anembanë globit që e konsiderojnë gazetarin irakian, Muntazer al-Zaidi, hero për sulmin origjinal, ndërkohë që një pjesë e lavdisë normalisht duhet të shkojë edhe ndaj këpucëve që thuajse nuk mbërritën në shënjestër, pra në kokën e Presidentit amerikan, Xhorxh Bush. Përveç turkut Ramzan Bajdan, pretendime mbi autorësinë e këpucëve kanë ardhur edhe nga prodhues të tjerë turq, si dhe nga Libani, ndërkohë që vërehet se pjesa më e madhe e këpucëve që tregtohen në Irak mbajnë firmën e kompanive kineze.
Por të mërkurën e shkuar, vëllai i gazetarit Muntazer al-Zaidi u dha fund hamendësimeve në këtë pikë: "Jam njëqind për qind i sigurt se janë këpucë të prodhuara në Irak", tha për agjencinë "Reuters" Udai al-Zaidi. Gjatë një interviste ai tha se qenë prodhuar nga një kompani irakiane e quajtur "Ala Hadad", që renditet ndër më të mirat në këtë vend në industrinë e prodhimit të këpucëve.
Gazeta e përditshme turke, "Jeni Safak", reagoi menjëherë, duke thënë se këpucët qenë prodhuar nga firma e biznesmenit turk Ramazan Bajdan. Në faqen e parë të saj vëreheshin një palë këpucë dhe titulli i madh thoshte "Made in Turkey". Vetë Bajdan pohonte në artikull se e kishte dizajnuar atë model në vitin 1999, pa harruar të nënvizonte se porositë i qenë rritur me 100 për qind që nga incidenti me Xhorxh Bushin. "Po ta kishin goditur, nuk do t‘i kishte dhembur", tha duke iu referuar butësisë së lëkurës me të cilën qenë prodhuar këpucët.
Faqja e parë e së përditshmes libaneze, "as-Safir", tregonte gazetarin Zaidi gjatë një vizite në Bejrut, në nëntor të këtij viti, shoqëruar me titullin e madh: "Mos i bleu gjë ato këpucë në Bejrut"?
Veprimi i Zaidit përbën një fyerje të rëndë në kulturën arabe. Përmes saj, gazetari televiziv shprehu mërinë ndaj viteve të përgjakshme të nisura që nga 2003-shi prej pushtimit të Irakut nga forca e bashkuar, kryesuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
U arrestua në vend dhe pranoi menjëherë akuzën për "agresion ndaj një Presidenti" përpara një trupe hetuesish. Zaidi mund të përballet me akuza që mund ta lënë edhe për 15 vite pas hekurave të burgut, tha një zëdhënës i Këshillit të Lartë Gjyqësor të Irakut.
Nuk dihet me saktësi vendndodhja e saktë e gazetarit për momentin. Familjarët e tij thanë se gjatë rrëmujës që u shkaktua menjëherë pasi u përpoq të godiste Presidentin amerikan, ka thyer njërin krah dhe u transportua në një spital shumë të rezervuar qeveritar. Ndërkaq, më shumë se 1 mijë avokatë janë ofruar vullnetarisht për ta mbrojtur gjatë procesit gjyqësor, tha Dia al-Sadi, avokati i gazetarit, njëherësh edhe kreu i shoqatës së avokatëve irakianë.
Nga gjithë rajoni vazhdojnë të shtohen njerëzit që po vihen përkrah tij. Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Iranit, "IRNA", një klerik i lartë iranian, i cili është përfaqësues i liderit fetar, Ajatollah Ali Kamenei, në Siri, i thuri lavde për aktin "me rëndësi historike e shumë të rëndësishëm".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›