Braçe, kritika Prokurorisë për hetimet e tragjedisë
Partia Socialiste ka kritikuar Prokurorinë në lidhje me ecurinë e hetimeve për të zbardhur të vërtetën e tragjedisë së Gërdecit. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, tha se akuzat e formuluara nga prokurorët e çështjes lidhur me tre të arrestuarit janë të pamjaftueshme. Sipas Braçes, të arrestuarit duhet të hetohen edhe për trafikun e armëve, shpërdorimit të detyrës dhe veprës penale të shkatërrimit të pronës. “Akuza zyrtare për të cilën janë paraqitur tre të pandehur në Gjykatën e Tiranës është ajo e “shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë” dhe që dënohet me gjobë ose burgim deri në 10 vjet. Pra, një krim i rëndë që ka sjellë si pasojë 20 të vdekur, mbi 300 të plagosur e shumë dëme materiale po klasifikohet nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokuroria e Tiranës si një vepër penale që dënohet me gjobë ose burgim deri në 10 vjet. Prokuroria po heton veprën penale më të lehtë, më banalen. Doja të sillja në vëmendje se janë kryer disa vepra penale si “shkatërrim i pronës me eksploziv”, “shpërdorim i detyrës”, “trafikim armësh dhe municioni”, “stërvitja për proshimin dhe përdorimin e armëve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme”, e pesta, “ndotja e ajrit””, - tha Braçe.
22 Mars 2008