E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Bush mesazh Topit: ”Keni mbështetjen tonë”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, i ka dërguar një mesazh ngushëllimi dhe inkurajimi presidentit shqiptar, Bamir Topi, i cili shpreh dhimbjen mbi ngjarjen në fshatin Gërdec, ku shpërtheu një poligon çmontimi armatimi. Bush shpreh ngushëllimet e tij si dhe jep të gjithë mbështetjen morale dhe materiale të popullit amerikan. “Në emër të popullit amerikan ju shpreh ngushëllimet e mia më të thella për tragjedinë që ndodhi në Gërdec si pasojë e së cilës u plagosën dhe humbën jetën shumë qytetarë të pafajshëm. Mendimet dhe lutjet e mia janë për familjet që humbën të dashurit e tyre dhe për popullin shqiptar gjatë kësaj periudhe të vështirë”, - thuhet në letrën e ngushëllimit të presidentit Bush, të cilën e dorëzoi në Presidencë vetë ambasadori amerikan i akredituar në Tiranë, John Withers II. Më tej presidenti Bush vlerëson arritjet e Shqipërisë si dhe vendosmërinë e saj për të siguruar në mënyrë të plotë sigurinë e vendit. “Vendosmëria e Shqipërisë për të zhdukur municionet e tepërta të rrezikshme është për t’u lavdëruar dhe shumë pak vende mund të krahasohen me arritjet e saj. Incidenti i Gërdecit na tregoi se sa jetësor është për Shqipërinë dhe bashkësinë ndërkombëtare të qenit të përkushtuar ndaj programeve, të cilat në mënyrë të parrezikshme e eliminojnë këtë rrezik ndaj sigurisë publike. Mbështetja dhe vendosmëria juaj vlerësohen shumë”, – thuhet në mesazhin e presidentit amerikan, Xhorxh W. Bush.

22 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›