Topi: ”Ngjarja e Gërdecit sfidoi dhe rrëzoi shtetin”
Presidenti i Republikës mbledh Këshillin e Sigurimit Kombëtar. “Tragjedia nuk mund të mbetet jetime. Ajo ka fajtorë dhe përgjegjës”
Erald Kapri
Tragjedia në fshatin Gërdec duket se ka lëkundur pozitat e shtetit shqiptar. Ky fakt u konfirmua ditën e djeshme nga vetë kreu i shtetit shqiptar, presidenti Bamir Topi, i cili mblodhi Këshillin e Sigurimit Kombëtar. Mbledhja e gjatë e këtij Këshilli, ku bëjnë pjesë drejtuesit kryesorë të vendit, është shoqëruar me kritikat e Presidentit të Republikës. Në fillim të fjalës së tij presidenti kërkoi zbardhjen e kësaj tragjedia duke u shprehur se opinioni publik ka nevojë për transparencë në këtë ngjarje. Sipas tij, ngjarja në fjalë mund të ishte evituar në rast se institucionet e shtetit do të kishin bërë detyrën, gjë që sipas numrit një të shtetit, institucionet në bllok kanë dështuar. “A e kanë bërë institucionet përgjegjëse për emergjencat civile një analizë të riskut në rastin e tragjedisë së Gërdecit? Unë mendoj se nuk e kanë bërë, se po ta kishin bërë, tragjedia me siguri do të ishte shmangur”, - tha presidenti. Më tej ai shtoi se qytetarët presin zbardhjen e kësaj tragjedie. “Opinioni publik pret përgjigje të qarta prej nesh, prej shtetit dhe institucioneve të tij. Qytetarët e Shqipërisë kërkojnë transparencë dhe përgjegjësi nga institucionet e veta, ndaj dhe ne duhet ta bëjmë atë për shkak se jemi përfaqësues të zgjedhur të popullit shqiptar. Njerëzit na kanë besuar dhe ne nuk duhet t’i zhgënjejmë ata. Më shqetëson shumë gjithashtu fati i të humburve. Ndaj kërkoj me përgjegjshmëri të lartë dhe qartësi nga autoritetet që po merren me këtë punë t’i gjejnë ata. Kërkoj të di fatin e tyre, sepse ne duhet t’u japim përgjigje familjeve të tyre, duhet t’i japim përgjigje me transparencë publikut dhe qytetarëve”, - tha Topi.
Akuzat
Presidenti i vendit akuzoi hapur se tragjedia e Gërdecit ka fajtorë, të cilët duhet të dënohen. Ai kërkoi ndëshkimin e fajtorëve, të cilët, sipas numrit një të shtetit, janë të njohur për të gjithë. “Si shpjegohet që askush nuk na kishte vënë në dijeni për këtë gjendje në terren? E kam fjalën për SHIU-n, SHISH-in, Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, shërbimet e autoritetit fiskal, ato të punës dhe të autoriteteve monitoruese të shëndetit paraprak, prej te cilave nuk ka pasur as edhe një rresht të vetëm informacion mbi atë që ndodhte në Gërdec. Nuk e besoj se askujt nuk i kishte rënë në sy kjo situatë, ndaj kërkoj që me transparencë të nxjerrim përfundimet e duhura në lidhje me punën që institucionet dhe agjencitë e specializuara në vend nuk e kanë kryer. Ta konsiderojmë rastësi, paaftësi apo si një sjellje të papërgjegjshme ndaj një realiteti shqetësues?” - tha presidenti. Sipas tij, duhet një hetim transparent dhe profesional pasi shkaktarët duhet të marrin përgjegjësitë e tyre. “Tragjedia e Gërdecit nuk mund të mbetet jetime. Ajo ka fajtorë dhe përgjegjës me emra dhe mbiemra. Nevojitet një hetim serioz, rigoroz, transparent për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të paprecedentë. Kërkohet që institucionet e pavarura të hetimit të bashkëpunojnë ngushtë me të gjitha institucionet e tjera të shtetit për nxjerrjen e fajtorëve para ligjit dhe ndëshkimin e tyre. Institucioni i Prokurorisë duhet të vazhdojë të punojë në mënyrë shumë të pavarur dhe profesionale”, - u shpreh Topi.
Kërkesat
Presidenti ka kërkuar nga institucionet qendrore të vendit që të rindërtojnë fshatin Gërdec. “Dalja nga gjendja e emergjencës në atë rajon duhet të shoqërohet me masa të jashtëzakonshme për rikthimin e jetës, të pronës, te shkollave, të shtëpive, të veprimtarive të biznesit dhe të normalitetit për çdo qytetar”, - tha ai. Ndërkohë, presidenti u ka kërkuar institucioneve të inteligjencës dhe të kontrollit që të mos tolerojnë asnjë situatë të ngjashme si dhe ka kërkuar ngritjen e një drejtorie të re, e cila do të bërë rakordimin e informacionit. “Pres nga Shërbimet Informative, nga Policia dhe nga inspektoratet e ndryshme shtetërore, të godasin pa mëshirë këdo që shfrytëzon një njeri tjetër, për të pasuruar veten. Nisur nga të gjitha këto vlerësime i propozoj Ministrisë së Brendshme të shohë mundësinë e ngritjes së një Drejtorie të Përgjithshme të Mbrojtjes Civile, e cila të veprojë si një institucion koordinues për të gjitha ministritë e linjës në rastin e fatkeqësive të mëdha. Gjithashtu, krijimi i një Qendre Operative të Emergjencave Civile do të kontribuonte në rritjen e efikasitetit të menaxhimit të krizave”, - u shpreh presidenti.
Presidenti dekreton Oketën në krye të Mbrojtjes
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi ditën e djeshme, gjatë pasdites, dy shkarkime dhe një emërim. Me propozim të kryeministrit Sali Berisha, presidenti Topi ka shkarkuar nga posti i ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediun. Ndërkohë, po me propozim të kryeministrit Berisha, Topi ka shkarkuar nga detyra e zëvendëskryeministrit Gazmend Oketën. Kryeministri Berisha propozoi në krye të Ministrisë së Mbrojtjes ish-zëvendësministrin Gazmend Oketa, propozim që u dekretua ditën e djeshme nga presidenti i vendit. Dekreti për shkarkim dhe emërim ministri pritet të shkojë ditën e hënë në Kuvend, i cili duhet të ligjërohet me 71 vota pro. Duket se ish-zëvendësministri Gazmend Oketa do të fillojë punën në krye të Mbrojtjes shqiptare ditën e hënë, pasi ndodhet seanca më e afërt.
Anëtarët e Këshillit të Sigurimit Kombëtar
Presidenti
Kryeministri
Kryetarja e Kuvendit
Ministri i Mbrojtjes
Ministri i Punëve të Jashtme
Ministri i Brendshëm
Ministri i Financave
Ministri i PPTT
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm
Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror
Drejtori i Shërbimit Informativ Ushtarak
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
22 Mars 2008