E Shtunë, 31 Tetor 2026

QSUT, jashtë funksionit aparatura që shmang dhjetëra operacione

Kostoja për funksionimin tepër e lartë dhe e papërballueshme nga buxheti i QSUT-së. Pacientët mund të eliminojnë “thikën” nëse ndërhyrja do të ishte nga aparatura
Emanuela Sako
Nëse një nga aparaturat e Radiologjisë në QSUT do të funksiononte, atëherë dhjetëra ndërhyrje kirurgjikale do të ishin shmangur. Bëhet fjalë për një aparaturë që ndërhyn në pjesën organike të trupit të pacientit dhe kryen një sërë rregullimesh në organe të ndryshme të trupit. Shefi i shërbimit të Radiologjisë në QSUT, Krenar Preza, sqaroi për gazetën “Albania” se nëse kjo aparaturë do të ishte në përdorimin e specialistëve, do të sillte shmangien e një numri të konsiderueshëm operacionesh. Deri tani mjekët janë të detyruar që për disa probleme të zemrës, mushkërive, veshkave apo organeve të tjera, të kryejnë ndërhyrje kirurgjikale. Ndërsa pacientët t’i nënshtrohen “thikës”, pa qenë e nevojshme. Specialistët thonë se aparatura do të vihet në dispozicion në një afat kohor 5-vjeçar.
Aparatura
Një aparaturë e tillë multifunksionale ndodhet që prej një viti në qendrën e Radiologjisë. Por ajo ende nuk është vënë në funksion nga specialistët. Arsyeja është sepse kostoja e vënies në punë të aparaturës është tepër e lartë dhe buxheti i përcaktuar nga Drejtoria e QSUT-së për aparaturat nuk mund ta përballojë. Nëse fondi i përcaktuar për 2008-n do të shkonte për vënien në funksion të aparaturës, do të shkaktonte shumë humbje të tjera të domosdoshme në këtë qendrën spitalore. Po kështu, mjeku Preza sqaron se materialet e konsumit për vënien në përdorim të saj janë tepër të shtrenjta, si dhe një ndër arsyet është mungesa e specialistëve që do të drejtojnë dhe kryejnë ekzaminimet nëpërmjet aparaturës. Njëkohësisht, kostoja për kryerjen e servisit për mirëmbajtjen dhe mirëfunksionimin e saj është tepër e lartë.
Funksionimi
Shefi i Shërbimit të Radiologjisë shpjegoi se kjo çështje është menduar të zgjidhet përfundimisht në planin strategjik 2008-2013. Ndërkohë, pacientëve u duhet edhe disa vite të presin derisa aparatura të rregullohet, për të mos iu nënshtruar ndonjë ndërhyrjeje kirurgjikale të panevojshme dhe që mund të kryhet pa ndihmën e kirurgëve. Kjo nuk është hera e parë që një gjë e tillë ndodh në spitalet tona. Puna në spitalet tona është pezulluar shpeshherë për shkak të mosfunksionimit të aparaturave. Ndërsa pacientët presin jashtë dyerve të spitaleve, apo janë të detyruar shkojnë në klinikat private për të kryer një shërbim mjekësor.

22 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›