E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: “Nuk do ta bojkotojmë Kuvendin, të zbardhet e vërteta e tragjedisë”

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, tha se opozita nuk do ta bojkotojë parlamentin por do ta intensifikojë debatin për të zbardhur të vërtetat e tragjedisë së Gërdecit. Në një konferencë për shtyp, Leskaj konfirmoi rikthimin në parlament të opozitës, e cila në shenjë protestë e bojkotoi atë pasi maxhoranca vendosi që të hiqte nga rendi i ditës diskutimet për tragjedinë e Gërdecit. “Nuk ka një bojkot të parlamentit nga opozita. Duhet të vazhdojë debati për korrupsionin vrastar të Gërdecit. Askush të mos shpresojë që opozita do të mungojë në Kuvend”, - tha Leskaj.
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste u shpreh se opozita është e vendosur të vërë përpara përgjegjësisë kryeministrin Berisha, i cili cilësohet i implikuar në aferat korruptive, midis të cilave edhe ai i demontimit të municioneve. “Ne s’do të lejojmë të na mbyllet goja për të thënë të vërteta të tmerrshme që implikojnë kryeministrin e vendit. Të vazhdojmë në Kuvend derisa të zbardhet e gjithë e vërteta”, - vijoi Leskaj.
Ajo përsëriti kërkesën e Partisë Socialiste për dorëheqjen e kryeministrit Berisha. Gjithashtu Leskaj kërkoi nga Berisha që të dorëzojë imunitetin së bashku me ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. “Kryeministri të japë dorëheqjen. Berisha e Mediu të dorëzojnë imunitetin”, - tha Leskaj. Me deklaratën e djeshme, kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste paralajmëroi debate të ashpra të opozitës për të vënë përpara përgjegjësisë kryeministrin Berisha. Ditën e enjte, deputetët e opozitës në mënyrë unanime bojkotuan parlamentin, pasi kryeparlamentarja Topalli i vazhdoi punimet e seancës me rendin e ditës, duke e cilësuar debatin mbi tragjedinë në Gërdec si të mbyllur përsa i përket asaj seance. Një gjë e tillë solli pakënaqësinë e deputetëve të opozitës, të cilët në shenjë proteste bojkotuan seancën e parlamentit.

22 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›