“Marshimi i heshtur”, mijëra qirinj ndriçojnë bulevardin “Dëshmorët e kombit”
Në protestë krerët e partive opozitare, Rama, Meta, Gjinushi, Ceka dhe Milo. Banderola në protestë: “Nëpunësi Berisha, në emër të popullit je i pushuar nga puna!”
Shaban Sulçe
Mijëra qytetarë të Tiranës i janë bashkuar “Marshimit të heshtur” për të protestuar kundër qeverisë dhe kryeministrit Berisha, të cilësuar si shkaktarët kryesorë të tragjedisë së Gërdecit. Protestuesit nuk mbanin as flamuj politikë dhe as parulla, por qirinj të ndezur për të nderuar kujtimin e viktimave të kësaj tragjedie. Qytetarë të të gjitha moshave dhe profesioneve kanë marrë pjesë në protestë, e cila ka startuar nga sheshi “Skënderbej” dhe ka vazhduar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e kombit”. Protesta është udhëhequr nga kryetarët e partive opozitare Edi Rama, Ilir Meta, Skënder Gjinushi, Paskal Milo dhe Neritan Ceka. Në të merrnin pjesë gjithashtu edhe shumë deputetë, anëtarë dhe drejtues të lartë të partive të opozitës si PS, LSI, PSD, PDS dhe PAD. Mijëra qytetarë janë solidarizuar me viktimat e tragjedisë së Gërdecit, duke marrë pjesë për herë të parë në një protestë të heshtur, por shumë kuptimplote. Protestuesit janë ndalur përpara selisë së Kryeministrisë, e cila ka qenë e rrethuar nga forcat e policisë. Pjesëmarrësit e “Marshimit të heshtur” kanë shfaqur një banderolë, e cila i drejtohej kryeministrit Berisha dhe që kërkonte dorëheqjen e tij, si shkaktari kryesor i tragjedisë së Gërdecit. “Nëpunësi Berisha, në emër të popullit je i pushuar nga puna!” - kështu shkruhej në banderolën e vendosur përpara selisë së Kryeministrisë, poshtë së cilës ishin ndezur qirinjtë e protestuesve. Midis protestuesve ka patur zëra kërkues për shfaqjen e kryeministrit Berisha në ballkonin e Kryeministrisë, por nga godina në fjalë nuk ka patur asnjë reagim. Protesta ka vijuar e qetë dhe pa incidente. Më pas protestuesit kanë vijuar drejt sheshit “Nënë Tereza” duke e mbyllur protestën po qetësisht.
Rama
Pas zhvillimit të protestës, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama falwnderoi mijëra qytetarë që morën pjesë në “Marshimin e heshtur”. Rama tha se kjo ishte protesta e opozitës qytetare dhe në emër të saj i kërkoi dorëheqjen dhe lënien e imunitetit kryeministrit Berisha, duke e cilësuar atë të papërgjegjshëm, të paaftë dhe të korruptuar. “Dua të shpreh respektin dhe mirënjohjen time për ata mijëra qytetarë, të cilët demonstruan dinjitetin e një qytetarie të re, vetëdije dhe solidaritet të ri, duke manifestuar në heshtje dhimbjen dhe indinjatën e miliona shqiptarëve për tragjedinë e tmerrshme të Gërdecit, për humbjen e jetëve të pafajshme të fëmijëve, grave dhe burrave, që për bukën e gojës jetonin çdo ditë mbi predha. Sot në bulevard nuk ishte opozita politike, por opozita e qytetarëve, e prindërve që duan një atdhe të sigurt për fëmijët e tyre, e të rinjve që duan një atdhe të sigurt për të ardhmen e tyre. Kërkesa për dorëheqjen dhe hetimin e kryeministrit më të papërgjegjshëm, më të paaftë dhe më të korruptuar, deri aty sa nuk mund të përfytyrohet, vjen pikërisht nga opozita e qytetarëve dhe qytetareve të bashkuar, jo nën flamujt partiakw, por në bindjen se ka ardhur dita për një politikë të jetës së sigurt”, - tha Rama.
Ftesa e opozitës
Paraditen e djeshme, kryetarët e partive opozitare i ftuan të gjithë qytetarët e Tiranës për të mbështetur dhe marrë pjesë në protestën “Marshimi i heshtur”. Kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi se do të protestonte si qytetar dhe jo si politikan kundër një qeverie dhe një kryeministri të korruptuar, të cilët shkaktuan tragjedinë e tmerrshme të Gërdecit. Edhe partitë e tjera të opozitës mbështetën dhe inkurajuan protestën “Marshimi i heshtur”. Një gjë e tillë u vendos gjatë takimit të zhvilluar dje paradite midis kryetarit të LSI-së, PDS-së dhe PAD-së. Ilir Meta, Paskal Milo dhe Neritan Ceka dolën në një konferencë të përbashkët për shtyp ku u bënë thirrje qytetarëve që të merrnin pjesë në protestën “Marshimi i heshtur”.
22 Mars 2008