Tragjedia, vlerësimi përcakton 4200 banesa të prekura
Grupet e vlerësimit të dëmeve në terren në fshatin Gërdec kanë arritur të mbyllin punën e tyre, ku kanë evidentuar të gjitha dëmet fizike të shkaktuara nga eksplozioni i municioneve. Ky vlerësim, i bërë nga grupet e ekspertëve të ALUIZNI-t, Prefekturës dhe Bashkisë së Vorës, arriti në përfundimin se janë dëmtuar 4200 banesa, nga të cilat 412 banesa janë shkatërruar plotësisht dhe 3800 të tjera paraqesin dëmtime të mesme apo të lehta. Komisioni informon se dje në mbrëmje përfundoi vlerësimi material i dëmeve dhe sot fillon vlerësimi financiar, në bazë të dosjeve të përpiluara nga grupet e ekspertëve dhe të firmosura nga të gjithë kryetarët e familjeve, pronarë të objekteve të dëmtuara. Grupet e vlerësimit financiar do të përbëhen nga një numër i madh ekspertësh të specializuar nga ALUIZNI, Enti Banesave dhe Prefektura e Tiranës.
22 Mars 2008