E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër persona, mes të cilëve nënë e bijë, mbetën të dëmtuar si pasojë e dy aksidenteve

Katër persona, mes të cilëve nënë e bijë, mbetën të dëmtuar si pasojë e dy aksidenteve që ndodhën për shkak të shpejtësisë tej normave gjatë natës duke u gdhirë dita e sotme, në rrugët e qarkut të Elbasanit.     Burime zyrtare të policisë së qarkut thanë, se "aksidenti i parë me pasojë plagosjen e shtetaseve Mejreme Peqini, 49 vjeç, dhe Enkelejda Peqini, 18 vjeç, nënë e bijë, ndodhi në orët e vona të ditës së djeshme, në lagjen 'Shënkoll' të qytetit të Elbasanit".      Nënë e bijë, sipas burimeve të policisë, po kalonin rrugën kur u përplasën nga një mjet tip Audi, me targë të huaj BM 176 EV, që drejtohej nga shtetasi Oltjon Aleksi, 28 vjeç, lindur e banues në qytetin e Fierit. Mësohet se dy të plagosurat ndodhen nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Elbasanit, ndërsa ndaj 28 vjeçarit Aleksi u mor masa e arrestit në flagrancë.      Aksidenti i dytë ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm në afërsi të hotel- restorant "Kosta", në qytetin e Peqinit. Burimet thanë se "në këtë aksident mbetën të plagosur shtetasit Shkëlzen dhe Ervis Sulkja, të dy lindur dhe banues në fshatin Fetish të rrethit të Peqinit". Mësohet se automjeti me targë AX 514 WZ, që drejtohej nga Shkëlzen Sulkja, doli nga rruga për shkak të shpejtësisë së madhe dhe si pasojë veç drejtuesit u plagos dhe personi që udhëtonte me të. Dy të aksidentuarit ndodhen në spitalin kirurgjik të Elbasanit, jashtë rrezikut për jetën.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›