E Shtunë, 31 Tetor 2026

Triangolare shqiptarësh në Ulqin, fiton Besa e Starovës

Dje, mes Besës, Partizanit dhe Shkumbinit, janë zhvilluar ndeshje, me sistem tresh, ku në fund ka dalë fituese skuadra e Bizhdilit
E diel, 20 janar. Në Ulqin koha është shumë e bukur dhe nuk ka asgjë të përbashkët me dimrin. Gjelbërimi që mbizotëron kudo në ambientet ku janë akomoduar skuadrat shqiptare, të jep përshtypjen se ndodhemi në pranverë, pasi edhe temperaturat luhaten mbi 20 gradë. Parditja e së dielës ishte pushim absolut për të gjitha skuadrat që po kryejnë fazën përagtitore në Ulqin. Një pjesë e mirë e futbollistëve shqiptarë e shfrytëzuan këtë kohë të lirë duke zbarkuar në qytetin e Ulqinit. Gjatë orëve të paradites së djeshme në rrugët e Ulqinit shikoje më shumë futbollistë shqiptarë, sesa banorë vendas. Paraditja e së dielës ishte disi e shkretë, pasi një pjesë e madhe e dyqaneve ishin të mbylluara, megjithatë futbollistët shqiptarë i shikoje në çdo cep të Ulqinit. Në këtë paradë të futbollistëve tanë në rrugët e Ulqinit shikoje lojtarë të Vllaznisë, Shkumbinit, Besës, Partizanit dhe të Veleçikut. Peqinasit ishin më të shumtët, që ishin të pranishëm në qytet, jo vetëm paraditen e së dielës, por edhe në mbrëmjen e së shtunës. Gjithashtu, prapa peqinasve nuk ishin as përfaqësuesit e Kavajës dhe të Koplikut. Shkodranët zbarkuan në qytet pak më vonë se të lartpërmenduarit, të cilët vinin me taksi dyshe-dyshe. Ajo që binte më shumë në sy ishte prania e pakët e futbollistëve të Partizanit. Vetëm tre "dema të kuq" kishin preferuar që të dilnin në qytet. Edhe gjatë ditës së djeshme u vërtettua se "armata e kuqe" është më e disiplinuara dhe kërkon që të marrë sa më shumë energji nga "operacioni i dimrit", që po kryejnë në Ulqin. Megjithëse dihej se në orët e padites do të zhvillohej një triangolare midis Besës, Partizanit dhe Shkumbinit, peqinasit dhe kavajasit nuk e vrisnin shumë mendjen, pasi kërkonin që ta shfrytëzonin pauzën e paradites. Përveç shëtitjes dhe ndonjë pazari të vogël që bënë, ata preferuan që të pijnë edhe ndonjë kafe ne lokalet e qytetit. Pas konsumimit të drekës, skudrat e Partizanit, Besës dhe Shkumbinit janë përgatitur për triangolaren midis tyre. Fusha ku do të luhej kjo triangolare ishte shumë pranë hotelit, madje kishte nga ata që nuk ishin pjesë e këtyre skuadrave, por e ndoqën aktivitetin nga ballkonet e hotel "Olimpik"-ut. Mysafirët në këtë aktvititet ishin të shumtë, ku përveç tifozëve të tria skuadrave, që kishin udhëtuar nga Shqipëria, të pranishëm ishin edhe disa lojtarë të Vllaznisë dhe të Veleçikut.
Milanistët ndjekin 20 minutat e fundit
Pas përfundimit të aktivitetit, ku fitues u shpall Besa, megjithëse nuk mori trofe, skuadrat iu drejtuan dhomave të hotelit. Por, gjatë kohës që stafet hynë në hotel, në barin e tij televizori po transmetonte ndeshjen midis Udinezes dhe Milanit. Tifozët milanistë preferuan që të shikojnë 20 minutat e fundit dhe në fund u gëzuan nga goli i Xhilardinos. Në grupin e mbështetësve milanistë ishte deputeti dhe donatori i skuadrës së Peqinit, Dash Sula, si dhe trajneri i Partizanit, Hasan Lika. Deputeti Sulaj ishte personi që u gëzua më shumë, gjë të cilën e shprehi edhe me një britmë të lehtë, gooool.
Kati i fundit i hotelit, "central" telefonik
Hoteli "Olimpik", ku janë sistemuar 3 skuadrat shqiptare këto ditë përgatitoresh të dimrit, ofron kushte optimale për fjetje, por edhe infrastrukturën e duhur në fusha. Lojtarët ndihen mirë këtu, edhe pse qejfi ua ka që vetmia të mos ishte kaq e madhe. Do të dëshironin ta kishin më afër qytetin, ku ka jetë, sepse kështu do të kalonin sadopak edhe rutinën e përditshme hotel-stërvitje. Sidoqoftë, është fat që u punon celulari, përmes të cilit komunikojnë me njerëzit e familjes, me miq dhe shokë të tyre. Në fakt, ata kanë gjetur një pikë "strategjike" për këtë, katin e fundit të hotelit, sepse në vende të tjera nuk ka valë për telefoninë e lëvizshme shqiptare. Të gjitha ata që duan të flasin në celular, ngjiten në katin e fundit të hotelit, aty ku është e mundur të zhvillohet biseda, sepse aty ka valë telefoni. Në këtë kat fle vetëm punëtori i fushës së Partizanit, Barami, sikurse i thërrasin të gjithë, por ai nuk ndihet i shqetësuar aspak, edhe pse kjo pjesë e hotelit është shndërruar tamama në një central telefonik.
Starova dhe Magani, gjyqtarë në triangolare
Sipas parashikimit, dje, në Ulqin, është zhvilluar takimi mes Partizanit dhe Shkumbinit. Në fakt, ky ballafaqim miqësor ka qenë i inkuadruar në një triangolare, të cilën e kanë vendosur drejtuesit e tri skuadrave në momentet e fundit. Pra, në lojë është përfshirë edhe Besa. E veçanta e ndeshjes miqësore mes Partizanit dhe Shkumbinit, ka qenë gjykimi i saj nga trajneri i Besës, Starova. Kjo është vendosur në momentet kur dy skuadrat kanë dalë në nxehje para ballafaqimit mes tyre. Në këto momente trajneri Starova është parë t'i godiste nga pika e 16-metërshit portierit të kuq, Orges Shehi. Kjo, si duket, ka shërbyer edhe si nxehje për Starovën, i cili më pas ka bërë rolin e gjyqtarit. Duke qenë afër ndeshjes, kemi konstatuar edhe "tifozllëkun" e Starovës për të kuqtë. Në një rast aksioni të Partizanit, Starova dëgjohet duke udhëzuar lushnjarin Gjyla, të cilit i thotë se duhej të ishe më i shpejtë në pasimin e topit. Po kështu, këshillat e Starovës nuk kanë munguar edhe për Hallaçin në një moment tjetër të lojës. "Hallaç, jepe shpejt topin, mos e vono aksionin, se të dhashë të verdhën," - i tërhiqte vëmendjen "gjyqtari" Starova kuksianit të Partizanit. Ndërkohë, dy ballafaqimet e tjera të triangolares i ka gjykuar Magani, ndoshta ngaqë ishte edhe më i freskët fizikisht dhe kishte mundësi të vraponte.
Xhati-Maganit: Ke 2 mijë euro, mund Partizanin
Dy nga skuadrat shqiptare që po stërviten në Ulqin të Malit të Zi, Besa dhe Shkumbini, dje kanë pasur pranë tyre edhe presidentët respektivë. Të dy së bashku, Xhati i Besës dhe Ismaili i Shkumbinit, e kanë përcjellë nga afër triangolaren e djeshme. I pari që i ka nisur batutat para triangolares, kur po përgatitej të fillonte ndeshja Partizani-Shkumbini, ka qenë Xhati i Besës. Ai i është drejtuar kolegut të vet, Ismaili, me këto fjalë: "Xhevat, çfarë premiojeje ke vënë për skuadrën, që ta mundin Partizanin?" Aty për aty ka ardhur edhe përgjigja e presidentit të Shkumbinit: "Xhat, lojtarët e mi janë vetë të motivuar. Ata luajnë për ngjyrat e fanellës, nuk kanë nevojë për premio. Pra, nuk u kam vënë asnjë shpërblim për të mundur Partizanin. Ndoshta do të vë për ta nëse dalim në finale unë dhe ti. Ty dua të të mund." Pas këtyre batutave mes presidentësh, Bizhdili ka shkuar më tej, kur loja sapo kishte filluar. Ai i është drejtuar trajnerit peqinas, Magani, me fjalët: "Magan, meqë presidenti yt Ismaili nuk ju ka vënë premio për ta mundur Partizanin, po mendoj unë për ju. Mundeni skuadrën e Xhanit dhe do t'u jap unë 2 mijë euro." Kuptohet, kjo është përcjellë me një të qeshur miqësore nga Magani, i cili ka vijuar të udhëzojë vazhdimisht lojtarët e tij. Gjatë komunikimit të tij me lojtarët bardhekaltër, na u fiksuan këshillat e Maganit për mbrojtësin Xhyra dhe për mesfushorin Bizhyti. Të parit, trajneri i Shkumbinit iu drejtua kështu: "O Gjyra, o tafti bafti, mbulo shokun!", ndërsa të dytit i kujtoi: "O Bizhyt, në futboll nuk është e rëndësishme vetëm të vraposh!"
Kapiteni Beqiri, të paktën 5 ditë pushim
Dëmtimi i kapitenit të Partizanit, Ardit Beqiri, në seancën e pasdites së shtunë, e ka reduktuar edhe më grupin e trajnerit Hasan Lika. Mbrojtësi ka dëmtuar këmbën e djathtë, pak poshtë gjurit, por fatmirësisht nuk ka dëmtuar meniskun dhe ligamentet, kështu që në pamje të parë dëmi duket i vogël. Gjithsesi, sipas stafit mjekësor, kapiteni Beqiri duhet që të paktën për pesë ditë t'i nështrohet një pushimi absolut. "Dëmtime të tilla janë të rrezikshme, pasi të dërgojnë deri në ndërhyrje kirurgjikale, por Beqiri ka qenë me fat në këtë rast, sepse dëmtimi i tij nuk duket problematik. Kemi vendosur që për pesë ditë, mbrojtësi të pushojë dhe t'i nënshtrohet terapisë riaftësuese,"- ka deklaruar mjeku Pertef Rusi. Gjatë kësaj periudhe pesëditore, kapiteni do të jetë nën mbikqyrjen e fizioterapistit Rusi. Gjatë ditës së djeshme, ushqimi i është shërbyer në dhomë kapitenit Beqiri.
Partizani humbet edhe dy mbrojtës të rinj
Gjatë ndeshjes së parë midis Partizanit dhe Shkumbinit, problemet janë shtuar më shumë në kapin e kuq. Shkak për këtë është bërë dëmtimi i dy mbrojtësve të rinj, Capo dhe Doda. I riu Capo, në minutën e 18-të të takimit me peqinasit mori përsipër gjuajtien e një goditje dënimi, por gjatë ekzekutimit të saj pësoi një tërheqje në kofshën e djathtë. Për gjashtë minuta me radhë të kuqtë kanë luajtur me 10 lojtarë, pasi një tjetër i ri, Doda, po bënte nxehjen. Por fundi i takimit e ka shtuar pështjellimin në kampin e kuq, sepse Doda nuk mund të vazhdonte më tej, pasi edhe ai kishte pësuar një tërheqje. Pra, brenda 24 orëve, Partizani humbet tre mbrojtës, Beqirin, të shtunën, dhe dje Capo me Dodën.
Lauert Ndoni, "blerja" më e re e Partizanit
Pas ndeshjes me Shkumbinin, të kuqtë duhet të përballoheshin me Besën, por trajneri Lika ishte në vështirësi, pasi nuk kishte në dispozicion 11 lojtarë. Në këtë mënyrë, trajneri Lika i ka kërkuar ndihmë homologut peqinas, Gugash Magani. Të kuqtë kishin nevojë për një mbrojtës të majtë dhe kolegu peqinas i jep Likës lojtarin e tij Lauert Ndoni, i cili veshi unfiromën e kuqe vetëm për një pjesë loje. Paraqitja e mbrojtësit peqinas ishte shembullore, por ndaj tij nuk munguan batuatat nga kampi i Shkumbinit. Donatori Dash Sulaj tha: "E kuqja nuk i shkon Ndonit. Me atë uniformë duket si flamur i kuq, pasi edhe vetë është disi i hollë." Ndërsa nga grupi i lojtarëve peqinas dëgjoheshin disa thirrje në drejtim të mbrojtësit. "O Ndoni, bëj ndonjë gafë ore, se e kemi vënë dysh takimin."
Albert Xhani, e vetmja "XH" që mungonte
Pritej që gjatë ditës së djeshme, skuadrën e Partizanit ta vizitonte edhe presidenti Albert Xhani, por në të vërtetë njëshi i të kuqve nuk ka qenë i pranishëm, pasi mësohet se ka shkuar në Greqi. Ndryshe nga presidenti Xhani, dy homologët e tij, Xhat Bixhdili dhe Xhavit Ismaili kanë qenë pranë skuadrave të tyre për të parë ecurinë e përgatitoreve të dimrit. Gjithashtu, i pranishëm ka qenë edhe deputeti i Peqinit, që njëkohësisht është edhe donator i Shkumbinit, Dash Sula. Pra, Xhani ishte e vetmja "Xh" që mungonte, pasi Xhati dhe Xhaviti ishin të pranishëm dhe ndoqën triangolaren. Delegacioni kavajas ishte i zgjeruar, pasi përveç presidentit Bizhdili, ndodhej edhe kryetari i bashkisë, Refik Rrugëja, si dhe tifozë ultras të vedhezinjëve. Mbështetës kishte edhe për peqinasit dhe Partizanin, por më të pakët se kavajasit.
Alban Dashi, gol spektakolar në stërvitje
Gjatë seancës së pasdites, trajneri Lika përdori disa skema të ndryshme taktike, ku theksi kryesor ishte tek loja me topin. Gjatë praktikimit të lojës nga krahët, sulmuesi i ri, Alban Dashi, merr një kros të bukur nga Gjyla dhe, me roveshiatë, me shpinë nga porta, 19-vjeçari shënon një gol të bukur. Pas realizimit të golit "alla Salihi", Dashi ka marrë urime nga shokët dhe stafi trajnues. Gjatë kësaj seance stërvitore, trajneri ka insistuar shumë te grupi, në mënyrë që gjithçka të shkojë sipas kërkesave të tij.
Nora me Devollin, si "e bukura dhe bisha"
Nora dhe Devolli, dy lojtarët gjirokastritë, bëjnë një foto së bashku. Pas kësaj, Nora thotë: "Diçitura e fotos është "e bukura dhe bisha". Në këtë rast i bie që "e bukura" të jetë nga unë." Devoli kundërpërgjigjet menjëherë: "Ah ti, i bukuri i dynjasë!"
Kjo gjë është shoqëruar me të qeshura nga lojtarët e tjerë, të cilët kanë vijuar t'i "thumbojnë" më tej.
Taksistët ulqinakë kanë punë, fërkojnë duart
Qendara e qytetit të Ulqinit me hotel "Olimpik"-un, ku janë akomoduar skuadrat shqiptare, është disi larg. Kështu, duke ditur se futbollistët nuk kanë mjete udhëtimi private në dispozicion, janë të detyruar që, për të vizituar qytetin, apo për të bërë ndojë pazar të vogël, të kërkojnë shërbimet e taksive. Në këtë moment pjesa më e madhe e biznesit ulqinas fle, pasi të ardhurat e tyre janë të lidhura me turizmin, i cili është i përqendruar gjatë stinës së verës. Por, taksixhinjtë, gjatë kësaj periudhe, kanë pasur disi punë, pasi klientët e tyre janë shtuar dhe këto janë pikërshit futbollistët shqiptarë. "Duke ditur rrjedhën e jetës dimërore që bëhet në Ulqin, duhet të jemi të kënaqur me momentin, pasi me ardhjen e futbollistëve shqiptarë, kemi pasur pak punë. Jemi të kënaqur me ata, pasi deri në këto momente janë treguar korrektë dhe të sjellshëm," - deklarojnë disa taksistë lokalë.
Kroati Staniç nuk e kalon "klasën" te Besa
Tomas Staniç, sulmuesi kroat, luajti 30 minuta me Besën, ndaj Partizanit, por në fund trajneri Starova tha se nuk e kalon klasën. Gjithshtu, nesër, po sipas Starovës, priten të vijnë në provë dy kroatë të tjerë, një mesfushor dhe një sulmues. Ajo që dallohej në fytyrën e Starovës, ishte shqetësimi për mosplotësimin e skuadrës, sipas llogarive të bëra para nisjes për në Ulqin të malit të Zi me presidentin Bizhdili. Ditët po kalojnë dhe kjo është në dëm të Besës. Mirë që nuk po sugurohen përforcime nga merkatoja e dimrit, por Starova nuk ka ende në dispozicion as afrikanët e Besës, që kanë qenë pjesë e saj deri në fund të dhjetorit të shkuar.
Legjionarët
Igli Tare, asist ndaj Napolit
Nuk ka mundur të shënojë ndaj Napolit, sikurse bëri në ndeshjen e Kupës, por ka dhënë një asist për gol. Ky është Igli Tare, për të cilin, trajneri i Lacios, Delio Rosi, nuk është penduar që e ka hedhur në fushë si titullar ndaj Napolit. Shtatlarti shqiptar ka dhënë asistin për maqedonasin Goran Pandev në minutën e 31 të, i cili është kthyer në golin e avantazhit të skuadrës kryeqytetase, ndërkohë që asokohe rezultati ishte 1 1. Tare është ndëshkuar edhe me karton të verdhë në minutën e 39 të të ndeshjes, për një ndërhyrje të palejueshme. Ndërkohë, në pjesën e dytë, futbollisti shqiptar është zëvendësuar dhe në vend të tij është futur Tomaso Roki.
Bogdani, 17 minuta ndaj Empolit
Livorno e Erion Bogdanit ka fituar dje në shtëpi, ndaj Empolit. Trajneri vendas, Kamoleze, ka preferuar Diego Tristanin para "Er Bomber"-it, që ta hedhë në sulmin e Livornos që në fillim të ndeshjes. Madje, e ka mbajtur lojtarin spanjoll deri në minutën e 73-të të lojës në fushë, kohë kur e ka zëvendësuar me Bogdanin. Kësisoji, shqiptarit nuk i kanë mjaftuar ato 17 minuta në fushë për të treguar diçka, ndërkohë që skuadra e tij ka fituar 1-0, me golin e Tavanos, të shënuar në minutën e 49-të.
Bushi ia dedikon golin ekipit
Sulmuesi shqiptar, Alban Bushi, shënimin e golit ndaj Arisit e konsideron meritë të ekipit dhe jo vetëm të vetën. Ai shpjegoi për median greke pas ndeshjes se shokët e ekipit, me lojën e tyre, e ndihmuan që të realizonte golin e fitores. "Për shënimin e golit dua të falenderoj të gjithë djemtë e ekipit. Ndonëse nuk isha në formën më të mirë timen gjatë ndeshjes dhe nuk pata shumë ndikim në lojën e skuadrës, përsëri bashkëlojtarët kanë meritën për mosneglizhimin e takimit. Ata vazhdonin të besonin, derisa më krijuan mua mundësinë e shënimit të golit të barazimit. Prandaj, për këtë arsye dua t'i falenderoj ata, që më krijuan mua mundësinë për të realizuar," - theksoi Alban Bushi në prononcimin e tij për mediat greke pas ndeshjes me Arisin e Kristi Vangjelit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›