Braçe: Është rritur kostoja e rrugës Durrës – Kukës
Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe deklaroi ditën e djeshme se kostoja e rrugës Durës - Kukës është rritur më shumë se ç’e ka parashikuar kontrata e parë. Njëkohësisht ai kërkoi të dielën nga prokuroria që t'i shkojë deri në fund hetimit të rrugës Durrës - Kukës. “Qeveria i ka dhënë firmës 'Bechtel Enka' një fond shtesë prej 120 milionë eurosh për rrugën, si fond kompensimi për inflacionin". Sipas tij, me këtë shtesë, kostoja e rrugës shkon në 640 milionë euro, ndërkohë që me 120 milionë euro mund të bëheshin 4 rrugë të reja”, - tha Braçe. Autostrada Durrës - Kukës - Morinë, arteria që do të lidhë Kosovën me Shqipërinë, është vlerësuar si projekti më madhor në zhvillimin infrastrukturor të vendit. Firma "Bechtel & Enka JV" do të ndërtojë një segment rrugor 60,85 km për një autostradë me katër korsi, përfshirë edhe 6 km tunel, sipas një kontrate të firmosur në shtator 2006 me qeverinë shqiptare. Projekti është parashikuar që të përfundojë në korrik të 2009-ës.