Leskaj kundërshton bilancin 7-mujor të qeverisë
Kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, në një konferencë për shtyp, ka kundërshtuar rezultatet e Kryeministrit Sali Berisha për 7 muajt e parë të këtij viti. Ajo u shpreh se raportet ndërkombëtare kanë vlerësuar se gjendja në Shqipëri po përkeqësohet më tepër. “Në bilancin qeverisës u fol për bum në investime, kur investimet si 6-mujor janë realizuar vetëm 26.5 për qind të programit vjetor. Në investimet e huaja direkte, sipas raportit të Institutit të Studimeve Ndërkombëtare të Vjenës (2007-2008), Shqipëria zë pothuaj vendin e fundit në CEE”, - tha Leskaj. Më tej kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste u ndal dhe në ligjin e Televizionit Publik Shqiptar. “Ligji e ngarkon TVSH-në për të vërtetën dhe jo për të bërë propagandë qeveritare, pasi është operator publik që mbahet nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Opozita është në pritje të një raporti nga Këshilli Drejtues dhe do të ndërmarrë hapa të tjerë deri në hapjen e procedurave parlamentare për shkarkimin e Këshillit Drejtues të tij”, - tha Leskaj. Përkundrejt deklaratave të Kryeministrit Berisha se “janë në investim e sipër në çimento rreth 500 milion euro, në naftë rreth 200 milionë, telefoni rreth 60 milionë, aeroportin e Rinasit, faza e dytë rreth 30 milionë dhe qindra milionë të tjera në ndërtime, ndërmarrje të mesme, të vogla, etj”, Leskaj u shpreh se realizimi i investimeve është i ulët. Ajo e cilësoi si të pabazë deklaratën se në shtatë muaj u regjistruan 14.332 biznese të reja, kundrejt gjithsej 11.700 që u regjistruan në vitin 2007.