E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjikondi: Qeveria, ende prapa me çështjen e pronësisë

Zëvendëssekretarja e përgjithshme e LSI-së, Brizida Gjikondi, ka komentuar ditën e djeshme procesin e pronësisë në vendin tonë. Sipas saj, qeveria ka ende për të bërë për këtë çështje. Gjikondi tha se procesi ka ende disa vështirësi të cilat nuk po arrihen të përmbushen nga qeveria. Ajo shtroi se mjaft afate në punën e agjencive shtetërore nuk janë respektuar nga ana e tyre, duke bërë që procesi i pronësisë të ndërlikohet më shumë dhe jo të zgjidhet. “Në 1 gusht 2008, sipas afateve ligjore nga ana e qeverisë, duhej të ishte miratuar lista e ish-pronarëve që do të dëmshpërbleheshin nga tokat e zëna nga ndërtimet informale, ndërkohë procesi i legalizimeve, identifikimi, verifikimi, matjet dhe vlerësimet e tyre janë ende thjesht një demagogji. Ende shteti shqiptar nuk ka një inventar të saktë të pronave sipas qarqeve, por edhe mbarëterritorial. Ende shteti shqiptar nuk ka listën e saktë për ish-pronarët që u janë zënë tokat dhe shtëpitë nga të tretët. Ende shteti shqiptar nuk ka një strukturë administrativo-ligjore që do të merret me verifikimin, kthimin, njohjen dhe kompensimin e pronave, duke pasur parasysh se deri tani janë ngritur 3 struktura dhe ende asnjëra prej tyre nuk funksionon. Ato janë Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ALUIZNI dhe së fundmi, komiteti i ngritur para pak ditësh i kryesuar nga zv.kryeministri”, - tha Gjikondi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›