E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimet në Stamboll, 16 të vdekur dhe 154 të plagosur



Dyshimet për atentatorët shkojnë në adresë të PKK- së
Gyl: “Sulmi është një akt terrorist i tmerrshëm e i pamëshirshëm”
Stambolli është përgjakur nga dy shpërthime të fuqishme duke lënë 16 të vdekur dhe 154 të plagosur. Shpërthimi i parë ndodhi në një zonë të banuar në Gungoren, ndërsa shpërthimi i dytë dhe më i madhi ndodhi në të njëjtin vend, por pasi u mblodhën turmat kureshtare për të parë ç’kishte ndodhur nga shpërthimi i parë. Përgjegjësinë për këtë grup nuk e ka marrë asnjë grup megjithatë shërbimet e sigurisë janë shprehur se shpërthimet kishin të bënin me rebelët kurdë. Autoritetet thonë se kurdët duan të marrin hak për gjithë operacionet e fundit të ushtrise turke ndaj rebelëve kurde ku dhjetra vetë kanë vdekur. Presidenti Abdullah Gyl tha se sulmi ishte një akt terrorist i tmerrshëm e i pamëshirshëm. Skena ku ndodhi shpërthimi ishte një masakër e vërtetë: njerëz të gjymtuar, viktima te mbuluara nga gjaku, të plagosur që transportoheshin në spital, ndërsa paniku kishte përfshirë gjithë personat e tjerë të pranishëm. Fillimisht u tha se kishte patur një rrjedhje gazi, por guvernatori i Stambollit, Muamer Guler konfirmoi se bëhej fjalë për një akt terrorist dhe viktimat ishin të shumta. Rreth 1 000 vetë ndodheshin në atë kohë në rrugë. Bomba e parë ishte e vendosur në një kosh plehrash përballë bankës, tjetra ishte vendosur në një kosh tjetër 50 metra larg të parës. Ky është nga sulmet më të përgjakshme kohët e fundit në Turqi. Dyshimet e para për atentatorët e mundshëm shkojnë në adresë të Organizatës militante kurde PKK. Megjithatë edhe pse për këtë ka mjaft arsye për të dyshuar, dëshmitë mungojnë ende.
Partia e ndaluar Punëtore Kurde gjatë muajve të kaluar ka kryer disa sulme të ngjashme në rajon. Kësaj i shtohet edhe fakti që ushtria turke ka ndërrmarrë në të njëjtën kohë me shpërthimet, një ofensivë të madhe kundër kampeve të Partisë Punëtore Kurde në veri të Irakut dhe flet ndërkohë për goditjen e 12 objektivave.
Gjatë ditëve të kaluara ushtria turke kishte njoftuar për sulme të suksesshme kundër organizatës terroriste kurde. Përveç kësaj paralelisht me shpërthimet në Stamboll ka ndodhur një incident i Partisë punëtore kurde në Bingol në juglindje të Turqisë të banuar kryesisht me kurdë.

29 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›