Në gjyq pesë zyrtarë të Rrugëve
Trazhgim Sokolaj
Pesë zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dërgohen të pandehur në gjykatë me akuzën “shpërdorim detyre” në procedurat e ndjekura me ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash-Morinë. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, të cilat thanë se hetimet për këtë çështje kanë përfunduar dhe dosja penale ndaj pesë zyrtarëve të rrugë do të dorëzohet për shqyrtim në gjykatë. Sipas Prokurorisë, dosja penale është regjistruar në hetim në janar të këtij viti dhe menjëherë është ngritur grupi hetimor, që realizoi veprimet e nevojshme. Burimet zyrtare nga Prokuroria thanë, se kallëzimi për pesë zyrtarët është bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Me një raport të veçantë kontrolli për Drejtorinë e Rrugëve, KLSH ka konstatuar se “një abuzim prej 57 milionë lekësh i llogaritur si shkelje në fushën e tatim-taksave, shkaktuar nga moskryerja e ndalesave të tatimit mbi të ardhurat e projektuesit të segmentit Rrëshen-Kalimash-Morinë”. Sipas burimeve zyrtare, lidhur me këto abuzime të vërejtura nga kontrollet e KLSH-së, për Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve, Tiranë janë bërë 2 kallëzime penale. “Në këto kallëzime janë përfshirë 5 persona, të cilët është kërkuar të hetohen për veprën penale “shpërdorim detyre”, me pasojë një dëm ekonomik prej rreth 55 milionë lekësh të shkaktuar shtetit. Sipas burimeve nga Prokuroria mësohet se objekt i hetimit kanë qenë veprimet e pesë zyrtarëve të Rrugëve në periudhën kohore 1 janar 2005 deri më 31 dhjetor 2006. Grupi i hetimit ka vënë re se pesë zyrtarët kanë konsumuar elementët e veprës penale gjatë veprimeve të tyre në rastin e ndërtimit të segmentit Rrëshen-Kalimash-Morinë, pjesë e rrugës Durrës-Kukës, konkretisht loti i tretë i saj. Bazuar në kallëzimin e KLSH-së Prokuroria mësohet, se ka kryer ekspertimet dhe bllokimin e dokumentacioneve të nevojshme, duke hedhur dritë mbi veprimet e kryera nga pesë zyrtarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Madje, mësohet se një pjesë e mirë e dokumenteve ndodheshin që më parë në Prokurori, pasi ishin sekuestruar me qëllim verifikimin e tyre në kuadër të hetimit tjetër që i adresohet tre zyrtarëve të tjerë të akuzuar për rrugën Durrës-Kukës, Lejla Saraçi, Armand Teliti dhe Andi Toma. Prokuroria e Tiranës tha se nuk mund të bëjë publikë emrat e personave të pandehur në këtë çështje, por konfirmoi se njëri prej personave që po dërgohen në gjyq është zv/drejtori i Drejtorisë së Rrugëve. Burimet nga organi i akuzës deklaruan më tej, se katër të pandehurit e tjerë kanë qenë anëtarë të komisioneve të prokurimeve për tenderët e zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.