E Diel, 1 Nëntor 2026

Braho: “Ceka, pjesë e koalicionit tonë”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Debatet mes LSI-së dhe PDS-së kanë nisur që në zgjedhjet e Kasharit kur PDS nxori një kandidat të saj, i cili u deklarua si i pavarur dhe nuk bashkëpunoi me LSI-në për komisionerët. Kjo bëri që kandidati i LSI-së të dilte në vend të dytë”

Partia Aleanca Demokratike është pjesë e koalicionit “E majta për Integrim”. Ky konfirmim është bërë nga deputeti i kësaj partie, Spartak Braho. Sipas tij, pjesë e këtij koalicioni është tashmë dhe partia më e re Petro Koçit si dhe disa parti të gjelbra dhe një lëvizje që do të përfshihet nga shoqëria civile. Koalicioni i kryesuar nga LSI mirëpret edhe Paskal Milon, edhe pse ka kritikuar qëndrimet e fundit të tij. Madje, Braho shpjegon për “Ballkan” se debatet mes këtyre partive kanë nisur që në zgjedhjet e Kasharit, kur PDS nxori një kandidat të saj, i cili u deklarua si i pavarur dhe nuk bashkëpunoi me LSI-në as për komisionerët. Sipas deputetit Braho, kjo bëri që kandidati i LSI-së të dilte në vend të dytë. Për Brahon sjellja e Milos vazhdon të jetë jo e drejtë, nisur nga fakti se ai ishte një ndër kritikuesit më të mëdhenj të PS-së dhe Ramës. Për sa i përket bashkëpunimit parlamentar me opozitën, Braho tha se në këtë vit elektoral duhej një bashkëpunim më i frytshëm dhe më i kordinuar i partive opozitare, por kjo nuk ka qenë e mundur, sidomos pas Gërdecit dhe ndryshimeve kushtetuese.
Negociatat
“Tashmë është deklaruar se LSI do të dalë në koalicion të ri të etiketuar “E majta për integrim”. Në këtë koalicion janë bashkuar partia e zotit Ceka, partia e sapoformuar e re Socialiste e zotit Koçi, janë dhe disa parti të tjera të gjelbra dhe një lëvizje që do të përfshihet nga shoqëria civile dhe dera e këtij koalicioni mbetet e hapur për tërë ato forca progresiste të majta, të cilat mendojnë se e gjejnë veten në këtë koalicion”, - tha Braho. Ai pohoi se koalicioni i ri është i hapur dhe për zotin Milo, pavarësisht qëndrimeve jokonsekuente të tij të kohëve të fundit. “Dera është plotësisht e hapur për zotin Milo, është e hapur, se ne ende jetojmë me thirrjet e zotit Milo për të mbrojtur Kushtetutën”, - tha ai. Megjithatë Braho tha se nuk do të ketë një ftesë të veçantë për kreun e PDS-së për faktin e thjeshtë se ai vazhdon të jetë pjesë e Grupit Parlamentar të LSI-së, madje është dhe nënkryetari i tij. Braho thotë se Milo ende nuk ka deklaruar largimin prej tij prandaj LSI vazhdon ta konsiderojë atë si pjesë të koalicionit pavarësisht lajthitjeve të kohës së fundit. Megjithatë, Braho pohon se problemet mes LSI-së dhe PDS-së kanë nisur që në zgjedhjet e Kasharit, kur Milo nxori një kandidat të pavarur, çka bëri që kandidati i LSI-së të zinte vetëm vendin e dytë dhe fitues të shpallej kandidati demokat. ”Qëndrimi i Milos lidhet dhe me një veprim të gabuar në kohën e Kasharit në zgjedhjet e fundit, por dhe që më pas është shoqëruar me disa deklarata të zotit Milo, i cili, ndonëse ka qenë kritikuesi më i ashpër i qëndrimeve të PS-së dhe të Ramës, në një moment bëri një krahasim jo të goditur dhe një qëndrim jo të matur dhe principial”, - tha ai. Megjithatë Braho pohon se tashmë koalicioni ku bën pjesë LSI është kthyer në një hambar të elektoratit të majtë, i cili po shkon rreth 60 për qind, kjo do të sigurojë rezultate shumë të mira për koalicionin E majta për integrim . Lidhur me qëndrimin opozitar në Kuvend, Braho tha se duhej që këtë vit opozita të ishte më e fortë dhe më bashkëpunuese se më parë. Por tragjedia e Gërdecit dhe ndryshimet kushtetuese treguan përçarjen e saj. Sipas tij, përgjegjësinë për këtë situatë e ka PS dhe Rama. “Për çështje madhore si Kodi Zgjedhor, Rama dhe ndihmësit e tij kanë zgjedhur formulime që dëmtuan opozitën e majtë, dëmtojnë kohezionin dhe bashkimin e saj dhe shpikën modele si “koalicioni i përbërë” apo “koalicioni i bishtave”, formulë nga e cila përfiton partia më e madhe në njërin krah apo në tjetrin, kurse partitë e tjera marrin vetëm bishtat ose eliminohen”, - tha ai. Deputeti i LSI-së theksoi se partia e tij nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj për korrektim kombëtar ose në rang qarku, çka pavarësisht sistemit të ri elektoral, është tërësisht e mundur.
Ky lajm është publikuar: 05/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›