Rama prezanton sot në Itali programin qeverisës përpara Amatos dhe D’Alemës
Për të dytën herë në harkun kohor të 2 muajve, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama udhëton drejt Romës për të prezantuar programin qeverisës të Partisë Socialiste përpara dy ish-kryeministrave italianë, Xhuliano Amato dhe Masimo D’Alema. Burime zyrtare të PS-së bëjnë të ditur se sot shefi i selisë rozë do të nisë një vizitë dyditore në Romë, ku është i ftuar të marrë pjesë në një tryezë të organizuar nga ish-dy kryeministrat italianë. Ndryshe nga dy muaj më parë, kur Rama prezantoi përpara tyre idetë e mbledhura nga turi “Dialog me Shqipërinë”, kësaj here kreu i selisë rozë do të prezantojë idetë dhe faktet që përbëjnë programin e ardhshëm qeverisës të Partisë Socialiste.
Më 4 korrik të këtij viti, kryetari i Partisë Socialiste vizitoi Brukselin dhe Romën, për të prezantuar faktet dhe idetë e mbledhura gjatë "Dialogut me Shqipërinë" përpara dy ish-kryeministrave italianë, Xhuliano Amato e Masimo D'Alema, dhe një grupi të gjerë ekspertësh të angazhuar prej tyre. Rama mori pjesë në një takim të zhvilluar në selinë e fondacionit “Italianieuropei”, takim në të cilin u hodh hapi i parë i një pune të përbashkët në funksion të objektivit të shpallur prej kryesocialistit për të ndërtuar një program krejt të ndryshëm nga programet e 17 viteve të fundit. Në këtë takim u ngritën sipas fushave pesë grupe të përbashkëta ekspertësh. Ashtu siç u përcaktua, tashmë këto grupe kanë bërë gati të gjitha rekomandimet konkrete për të gjitha problemet e ngritura në këtë takim të parë, ku vend të veçantë patën bujqësia, arsimi, shëndetësia e mjedisi.
9 Tetor 2008