E Diel, 1 Nëntor 2026

Braho: Imuniteti po shkëmbehet me Kodin Zgjedhor

Lëvizja Socialiste për Integrim akuzoi dje socialistët se po këmbejnë ndryshimin e ri të 10 neneve të Kushtetutës me votimin e Kodit Zgjedhor. Deputeti Spartak Braho tha se kjo është njësoj si votimi i ndryshimeve në Kushtetutë për mocionin e Kryeministrit në këmbim të sistemit zgjedhor. "Ankimet ligjore të llojit Alibeaj nuk janë pjesë e synimeve për reformë, por synimi i vendosjes së kontrollit të ekzekutivit mbi institucionet e drejtësisë për t‘i rrënuar ato", tha Braho. Teksa shtoi se arnimo-reforma Alibeaj po synon për të monopolizuar pushtetin e ekzekutivit dhe jo për të ruajtur balancat. "Ajo është shfaqur frikshëm tani si një burim arrogance dhe imponimi i iniciativave ligjore edhe antikushtetuese, duke bërë presion e sulmuar punën dhe direkt punonjësit e organeve të drejtësisë", theksoi Braho. Projektligjet e fundit, insistoi ai, kanë ulur nivelin e standardeve profesionale, të kritereve dhe të transparencës së licencimit, gjë e cila në të ardhmen krijon probleme të thellimit të fenomeneve të korrupsionit. "Është i papranueshëm qëndrimi në detyrë i ministrit Alibej, jo vetëm për kontradiktat e thella që ai ka krijuar me institucionet e pavarura të drejtësisë, porse ai ka konflikt interesi dhe është një ministër që pandehet si i inkriminuar në tragjedinë e Gërdecit", konstatoi Braho. LSI i bëri thirrje ministrit të largohet si i papërshtatshëm për të drejtuar institucionin e ministrisë dhe reformën në drejtësi. Duke iu referuar ndryshimeve në reja në Kushtetutë, Braho tha se synohet të preket dhe ndryshohet Kushtetuta si më 21 prill të këtij viti, në afro 10 nene të saj. "I gjithë ky lëshim, apo shitje e interesave parimore nga Rama-Bufi bëhet për të ndryshuar përsëri me 10 nene Kushtetutën bëhet në shkëmbim të lëshimeve apo pazareve të ndërsjella", nënvizoi Braho.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›