Gjinushi: Me Berishën nuk mund të bëhet reformë në drejtësi
Socialdemokrati Skënder Gjinushi deklaroi dje se, çdo bashkëpunim me këtë shumicë për pseudoreforma në drejtësi, është bashkëpunim me krimin dhe me korrupsionin. Ai shprehu shqetësim për atë çka e cilësoi degradimin e reformës në drejtësi. "Për qëllimin e hapur që ka kjo qeveri për të kontrolluar prokurorinë, gjyqësorin, administratën gjyqësore dhe deri avokatinë nëpërmjet pseudo-reformave", tha Gjinushi. PSD thotë se gjithë opinioni sot sheh qartë se si për 4 vjet me radhë, Berisha në vend të reformimit të drejtësisë zgjodhi goditjen dhe spastrimin e institucioneve kryesore të saj. Në vend të paraqitjes të një pakete ligjore me kohë dhe në kohë, ai zgjodhi paketën e spastrimeve, duke tentuar pushtimin e Presidencës, Prokurorisë së Përgjithshme, KLD-së; Gjykatës Kushtetuese e Gjykatës së Lartë. "Të gjithë sot janë të bindur se kjo qeveri nuk bashkëpunon me institucionet për të luftuar krimin, por bashkëpunon me krimin për të luftuar institucionet", u shpreh Gjinushi. Nuk bashkëpunon, shtoi ai, me dëshmitarët për të zbardhur trafiqet, por bashkëpunon me trafikantët për të zhdukur dëshmitarët. Në vlerësimin e Gjinushit edhe insistimi i saj për kufizim imunitetesh nuk ka për qëllim luftimin e korrupsionit, por ka për qëllim përdorimin si mjet presioni e për luftë selektive. "Qeveria e Berishës nuk mund të fshihet pas NATO-s. SHBA, që janë dhe mbështetësit e sponsorizueset kryesore të anëtarësimit tonë, janë dhe denoncueset kryesore të antireformave të kësaj qeverie, duke i bërë të qartë qeverisë se në NATO do të anëtarësohet Shqipëria dhe jo banda e Sali Fazliçit", insistoi Gjinushi. PSD shpreh sot publikisht vlerësimin tonë se kjo qeveri ka dështuar përfundimisht në çdo tentativë për të bërë një reformë reale në drejtësi; se kjo qeveri nuk ka më legjitimitet për të bërë reforma në drejtësi. "Të gjitha aferat e mëdha, si çështja "Fazliç", "Gërdeci", rruga Durrës-Kukës, "Remzi Hoxha" në të gjitha këto është implikuar drejtpërdrejt qeveria dhe Kryeministri", u shpreh Gjinushi. Teksa shtroi pyetjen se si mund të zbardhet vjedhja "patriotike" në rrugën Durrës-Kukës, kur përsëri kjo vjedhje është organizuar me një vendim qeverie, në kundërshtim me ligjin shqiptar. Ai këmbënguli se reforma në drejtësi mund të bëhet vetëm nga një shumicë e ndërgjegjshme dhe e përgjegjshme, vetëm nga një shumicë ligjore në bashkëpunim me një opozitë të shëndoshë dhe konstruktive, realitet që do të krijohet në vend vetëm pas zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.