E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braho: Komisioni hetimor ndaj Edi Ramës, i dështuar nga ana ligjore

LSI, pro konsensusit mes PS-PD për zgjidhjen e ngërçit të kartave të identitetit
Deputeti i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Spartak Braho, në një intervistë për gazetën SOT deklaroi se ngritja e komisionit hetimor ndaj kryebashkiakut Edi Rama nga pikëpamja ligjorë është i dështuar. Sipas tij, në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese është e ndaluar që komisionet hetimore të ngrihen ndaj organeve të pushtetit vendor. Braho deklaroi se situata e ngritjes së qendrave të aplikimit në mbarë vendin është tepër alarmante. Sipas tij, çdo lloj shifre apo mungese, qoftë e një numri të vogël zgjedhësish të papajisur me karta, komprometon rëndë zgjedhjet dhe ngarkon qeverinë e Berishës me faturën e dështimit.Deputeti Braho kujtoi premtimin e korrikut të vitit 2005 kur kryeministri Berisha në fjalën e tij të parë premtoi që në vitet e qeverisë së tij shqiptarët do të pajiseshin me karta identiteti. Por sipas deputetit Braho, gjë e cila nuk ka ndodhur. Përsa i përket kandidimit të Shqipërisë për statusin e vendit në BE, që pritet të bëhet, deputeti Braho vlerësoi deklaratën e komisionarit Olli Rehn, ku sipas këtij të fundit kandidimi në për në BE bëhet në kuadër të zgjedhjeve. Braho ka mbajtur një qëndrim skeptik lidhur me reagimin që do të mbajnë institucionet ndërkombëtare, pasi Shqipëria të kandidojë.

-Si do ta gjykonit ngritjen e komisionit hetimor ndaj kryebashkiakut Edi Rama në prag të zgjedhjeve?
Komisioni hetimor ndaj Edi Ramës në prag të zgjedhjeve, por dhe nëse nuk do të ishte në prag zgjedhjeve dhe nëse do të ishte më parë, është në kuadrin e lojërave politike. Nga pikëpamja ligjore është i dështuar, antiligjor, antikushtetues pasi neni katër, pika 6 e ligjit për komisionet hetimore thotë në mënyrë të saktë që komisionet hetimore nuk mund të ngrihen katër muaj përpara shpërndarjes së parlamentit, ndërkohë që ka dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila e ndalon ngritjen e komisioneve hetimore ndaj organeve të pushtetit vendor. Ata e ngritën është një farsë, e cila ka dështuar pa filluar.

-Ka zëra që flasin për një kompromis mes PS dhe PD për  shpërndarjen e kartave të identitetit me çmimin prej 200 lekësh. Cili është komenti juaj lidhur me marrëveshjen e të dyja palëve politike?

Pas një katrahure që u inskenua qëllimisht nga PD-ja për procesin e pajisjes së shtetasve me karta identiteti, opozita u pozicionua kundër procedurave të pajisjes së shtetasve me karta identiteti, sipas metodologjisë që kishte planifikuar PD. U kuptua qartë që, fjala ishte që ky proces të sabotohej dhe të bëhej selektiv dhe në fund të mos arrihej pajisja e të gjithë shtetasve me karta identiteti, që do të sillte në mënyrë të padiskutueshme mos pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje, e cila do të ishte një shifër të konsiderueshme. Kjo mbetej pjesë e rëndësishme e skenarit të PD. PS dhe LSI konsistonin që kartat e identitetit të jepeshin falas dhe të mosktheheshin në një taksë për votimet dhe që kostoja e tyre të ishte e përballueshme nga zgjedhësit. Përballë kësaj problematike, PD-ja me sa duket është tërhequr. Disa herë ata kanë bërë zbrapsime nga qëndrimet e tyre. Flitet këto ditë për një marrëveshje, sipas të cilit do të lidhet edhe problemi i çmimit të kartave, duke e ulur atë në 200 lekë dhe shpërndarja e tyre në sportele të posaçme, duke shpejtuar procedurat e pajisjes së shtetasve me këtë dokument të nevojshëm për zgjedhjet. LSI gjithmonë ka qenë e interesuar për këtë proces, madje i ka bërë thirrje për konsensus PD-së dhe PS-së që të ulen në tavolinë dhe ta zgjidhin problemin e kartës së identitetit. Sesa do të realizohet ky kompromis, do ta shohim në ditët që do të vinë.

-Opozita para disa ditësh ka bërë thirrje që do të bëjë protestë, nëse mazhoranca nuk jep karta identiteti falas, ndërkohë që po flitet për një konsensus. Sipas jush, mendoni se këtu po zhvillohet një skenar politik nga ana e saj?
PS mban përgjegjësi për gjithë procesin zgjedhor, sepse ajo është  bashkëfajtore që në hartimin e Kodit Zgjedhor. Edhe ky moment i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti falas duhet të ishte parashikuar në ligj dhe të mos mbetej i dyshimtë dhe i ndërvarur nga probleme të tjera, siç po ndodh tani. Duke kuptuar këtë realitet dhe duke ndier frikën dhe presionin nga manipulimet që mund të bëjë Berisha në zgjedhje, PS u mundua të krijojë alibinë e kartave, problem i cili ngjalli interes tek ndërkombëtarët. Sepse kuptohet që largimi i opozitës nga zgjedhjet do të ishte një moment tepër negativ për parametrat europianë që pritet të realizojë Shqipëria në zgjedhjet e pritshme. Unë di që është një kthesë e papritur e saj. Në qëndrimet e mëparshme të saj, opozita ka qenë kundër bojkotit, protestave. LSI ka nxitur dhe sugjeruar që pushtetit i Berishës duhet bllokuar qoftë në procesin legjislativ dhe qoftë në pushtetin ekzekutiv, si dhe duke shfrytëzuar ngjarje të rënda, siç ishte Gërdeci Berisha duhej rrëzuar, por këtë vijë strategjike PS në atë kohë nuk e ka përkrahur. Sesa do ta realizojë në të ardhmen PS-ja bojkotin dhe protestat, unë nuk e di. Shpresoj që të jetë konsekuente në qëndrimet e saj, por kuptohet që tani në kohën që duhet të organizohemi mirë si e majtë për të fituar zgjedhjet, nuk është me vend organizimi i protestave, të cilat nuk do të sillnin një rezultat pozitiv.

-Nëse kartat e identitetit do të jepen falas, do të rëndonin në buxhetin e shtetit?
Jo, shuma e kartave dhe shpenzimet financiare për buxhetin e shtetit janë të papërfillshme. Ato arrijnë shumën prej 5-6 milionë euro. Më tepër sesa rëndesë ndaj buxhetit të shtetit, ishte një taktikë e Sali Berishës për ti mos i pajisur shtetasit me karta identiteti.

-A është e nevojshme që zgjedhjet e 28 Qershorit të shtyhen, duke iu referuar edhe disa zërave lidhur me këtë, pasi qendrat e aplikimit për kartat e identitetit nuk janë shtrirë në të gjithë vendin?
Për hir të së vërtetës, situata është alarmante. Janë rreth 1/5 e komunave në shkallë republike, të cilat nuk kanë filluar procesin. Unë nuk kam ndonjë shifër sesa mijëra shqiptarë ende nuk kanë aplikuar apo ende nuk janë pajisur me karta identiteti në kuadrin e asaj shifre që është deklaruar 750 apo 800 mijë zgjedhësish që duhet të pajisen me karta. Por gjithsesi, çdo lloj shifre apo mungese qoftë e një numri të vogël zgjedhësish të papajisur me karta komprometon rëndë zgjedhjet dhe ngarkon qeverinë e Berishës me faturën e dështimit, sa kohë që vetë në kuadrin e mashtrimeve apo të zotimeve, premtimeve. Unë mund të kujtoj edhe premtimin e korrikut të vitit 2005 kur Berisha në fjalën e tij të parë premtoi që në vitet e qeverisë së tij shqiptarët do të pajiseshin me karta identiteti, gjë e cila nuk ka ndodhur. Nuk u realizua, ashtu siç nuk janë realizuar shumë premtime të hedhura të Berishës dhe qeverisë së tij gjatë këtyre 4 vjetëve. Padyshim që, ky është një dështim i kësaj qeverie dhe e nxjerr qeverinë kampion të gënjeshtarëve.

-Në bazë të deklaratës së FMN-së, Shqipëria do të ketë një ulje të rritjes ekonomike nga 0-1%. Si do ta gjykonit qëndrimin e kryeministrit Sali Berisha ndaj krizës ekonomike?
Kryeministri Berisha ka ndezur mullinjtë e fantazisë, është një kartë të cilën ne jemi njohur dhe jemi dëshmitarë që ai vazhdimisht këto fluturime akrobatike i bën në prag të fushatave elektorale. Shqiptarët kanë sy dhe i ndjejnë qartë efektet e krizës ekonomike, ndërkohë shohin qartë që Berisha nuk ka asnjë lloj strategjie për të përballuar krizën, varfërinë, mjerimin që ka mbërthyer shqiptarët dhe tavolinat e tyre, jetesën për të përballuar mungesën dhe flakjen në rrugë të mijëra njerëzve që vazhdojnë të qëndrojnë pa punë, të braktisjes së fshatit, të bujqësisë të rritjes së kriminalitet, që është e tëra një problematikë që kjo qeveri jo vetëm nuk e ka përballuar dhe zgjidhur tani, por dhe nuk ka menduar për të marrë masa dhe për të ardhmen, gjë që do të rëndojë situatën ekonomike në Shqipëri në të ardhmen. Kuptohet që vetëm largimin i Berishës mund të krijojë një moment reflektimi për pushtetin e ardhshëm.

-Sipas gjykimit tuaj, duhet që Shqipëria të kandidojë për statusin e vendi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›