E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braho: Luftëtari, i destinuar për në superligë

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Drejtori teknik i ekipit gjirokastrit, Sefedin Braho, mendon se ka ardhur momenti i shpërthimit edhe në ndeshjet jashtë fushe 

Luftëtarit i duhet 3-pikëshi në ndeshjen me Ilirinë, pasi rivalët e ndjekin këmba-këmbës për ta hequr nga froni i mbretit të kategorisë së parë. Një ekip futbolli i ngjan një vullkani, që pas një pauze do të shpërthejë herët a vonë. Kështu, Luftëtarit i ka ardhur  çasti i shpërthimit.

Ikona më e çmuar e futbollit gjirokastrit, Sefedin Braho, lindur më 15 gusht 1953, pjesëmarrës në 18 kampionate të rriturish, lojtar i Luftëtarit, Partizanit (1972-1974), i kombëtares dhe i ekipit Shpresa, Mjeshtër i Merituar i Sportit, një shembull i gjallë  frymëzimi për futbollistët e rinj gjirokastritë, aktualisht është drejtor teknik i Luftëtarit.

Për këtë sezon në përgjithësi dhe për ndeshjen me Ilirinë në transfertë në veçanti, ai shprehet: Luftëtari i këtij sezoni është vërtet i destinuar për në superiore, pasi si asnjëherë tjetër në kohën që ai militon në kategorinë e parë, nuk është treguar kujdesi i tanishëm. Përbërja e tij është ndër më të mirat e kësaj kategorie.

Ajo ka prodhuar futboll argëtues dhe, çështë më e rëndësishmja, rezultativ, ndaj dhe jo rastësisht kryeson kampionatin. Kanë mbetur edhe 6 ndeshje dhe mendoj se Luftëtari do ta mbyllë i pari. Një ndeshje futbolli mund të përfundojë 0-0 edhe pa sulmuar fare, por asnjë ndeshje nuk mund të fitohet pa sulmuar, pa shënuar gol, ose pa e detyruar kundërshtarin të shkaktojë autogol.

Luftëtarit, duke qenë vetëm 3 pikë përpara, i duhen edhe fitore të tjera, sepse  rivalët luftojnë dhe ata për fitore, kështu që në ndeshjen e radhës, duke u kujdesur për mbrojtjen, duhet sulmuar. Iliria, edhe pse ka diferenca të thella me Luftëtarin, do të luftojë për ngjyrat e saj në radhë të parë, ndaj dhe ekipi ynë duhet të tregojë fytyrën e tij agresive, siç ka  bërë në shumicën e ndeshjeve.

Në Gjirokastër ka vetëm fitore, por në transfertë ka regjstruar edhe humbje pikësh, me sa e kam ndjekur, më tepër për mungesë fati. Edhe unë, si shumë e shumë të tjerë, Luftëtarin e shoh në superligë sezonin e ri dhe them se problemi ynë do të jetë ekipi që do të kemi për të konkurruar me sukses në të.

Aktualisht, në ekip janë disa lojtarë si Selimaj, Mersini, Çaço, Ramadani, Raboshta, Hithi, Gërxholli, Baci dhe Lluka, ku asnjëri prej tyre nuk ka mbushur 23 vjeç. Pra, ekziston mundësia që prej tyre të nxirret bërthama e Luftëtarit të së ardhmes, që në kombinim me ustallarët e vjetër, të formohet një ekip që të qëndrojë me dinjitet në superiore. Natyrisht, me blerje të reja.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›