Mazhoranca dhe opozita urojnë besimtarët myslimanë për festën
Me rastin e festës së Kurban Bajramit, besimtarët myslimanë kanë marrë urime nga krerët e mazhorancës dhe të opozitës. Presidenti Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, vizituan selinë e Komunitetit Mysliman Shqiptar, si dhe Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve. "Besoj që sot secili ka një moment refleksioni për ta konsideruar këtë ditë si pikë referimi për sakrificën njerëzore, për atë që është në nevojë, për atë që ka nevojë të ndihmohet, por natyrisht dhe një ditë solidariteti dhe paqeje", tha Presidenti. Ndërsa Kryeministri Sali Berisha u shpreh se ky Bajram i gjen shqiptarët më mirë se kurrë, i gjen ata më afër ëndrrave dhe qëllimeve të tyre, gjen Kosovën e pavarur. "Jam i bindur se Bajrami tjetër do të na gjejë edhe më mirë", tha Kryeministri. Urimet për festën e Kurban Bajramit në emër të të gjithë socialistëve i kanë përcjellë në selinë e Komunitetit Mysliman, kryetari i Asamblesë Kombëtare të PSSH-së, Gramoz Ruçi, dhe kryetarja e grupit parlamentar, Valentina Leskaj. Ndërsa kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha se "edhe politika duhet të jetë më e paqme, sikurse janë edhe komunitetet e ndryshme fetare në vendin tonë".