E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Gati të takohem me Metën

Edi Rama nuk lëshon pe për Kodin Zgjedhor. Kreu i Partisë Socialiste deklaroi mbrëmë në emisionin "Shqip" të gazetares Rudina Xhunga, se kjo është një çështje e mbyllur. Sipas tij, Kodi është një punë e mbyllur pas një procesi të hapur. "Një rezultat i arritur me debat, përpjekje, vështirësi, jo pa kundërshti", theksoi Rama, teksa sqaroi se në çdo vend të botës, ku dëshirojmë të integrohemi, reforma elektorale nuk kalon lehtë, pasi bëhet reformë që prek interesa. "Por që sa na takon si PS, si fuqia që kërkon ndryshimin, edhe në rastin e Kodit kemi vënë interesat e qytetarëve mbi interesat e momentit, apo personale e klanore, partiake", nënvizoi Rama. Për mua, tha ai, pushteti nuk është qëllim, por mjet për të arritur disa qëllime të përbashkëta. "Sot e gjithë ditën shteti është i pushtuar nga interesat klanore e partiake të atyre që e drejtojnë", u shpreh Rama. Teksa shprehu bindjen se nuk do të jetë edhe për një kohë shumë të gjatë në këtë pozicion. Unë, shtoi Rama, jam një kundërshtar tradicional i atij që dje quhej shoku Sali Berisha. Kreu i socialistëve bëri thirrje të shkëputemi nga logjika aritmetike e partive. "Nuk mund të ndryshojë procesi politik nëse në këtë proces nuk përfshihen qytetarët që i thonë boll kësaj politike të katandisur në një logjikë numrash", insistoi Rama. Lideri opozitar shprehu bindjen se Shqipërinë në rrugën e duhur e fut jo bashkimi i kryetarëve, por bashkimi i qytetarëve. LSI-ja, tha Rama, ka thuajse një vit që i ka hapur Partisë Socialiste dhe përfaqësuesve të saj një luftë që bazohet te gjithë arsenali i politikës së vjetër. "Duke derdhur në mjedisin politik një sasi energjish negative dhe duke mos pasur asnjë kujdes për të balancuar luftën me PS-në dhe atë me Berishën. E gjitha kjo më shkakton vetëm keqardhje, pasi është dëshmi e një krize identiteti dhe boshllëku idesh; e gjitha kjo është shprehje e faktit se LSI-ja nuk ka projekt, por vetëm një politikë të vjetër pa projekt", tha Rama. Ai përsëriti se dera e PS-së është e hapur, pasi dëshiron t‘i japë jetë një politike që fillon nga një etikë tjetër komunikimi. "I duhet hapur rrugë atij që nuk ndalet në përpjekjen për të bërë dëm", u shpreh kreu i PS-së. Duke sharë me zë të lartë, insistoi Rama, ky grupim po tkurret. "Jam dhe kam qenë i gatshëm të ulem me Ilir Metën, por në rastin konkret kemi shumë gjëra për të folur, por të mos e harrojmë se procesi i Kodit është proces i mbyllur", ngulmoi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›