E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit, "loja" me rreth 500 mijë votues

Ecuria e procesit të pajisjes së shtetasve shqiptarë me karta identiteti do të përcaktojë edhe fatin e rreth 500 mijë votuesve. Burimet nga Ministria e Brendshme, pjesa e pushtetit lokal, sqaruan se tanimë ka filluar evidentimi i personave që janë të pajisur me pasaporta. Sipas tyre, pak para fillimit të shpërndarjes së kartave të identitetit do të mund të mësohet numri i saktë i personave që do të jenë kontingjenti primar i pajisjes me këto dokumente. Sakaq, eksperti i Partisë Socialiste në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, deklaroi për "Shqip" se nga llogaritjet paraprake ky numër mendohet të jetë rreth 500 mijë shtetas. Pavarësisht kësaj, shifra e saktë do të mund të bëhet publike vetëm në momentin e fillimit të shpërndarjes së kartave. Shkak për këtë është fakti se çdo ditë ka lëvizje në këtë tregues, pasi shtetasit vijojnë të pajisen me pasaporta. Në nenin 105 të Kodit të ri Zgjedhor, thuhet se pas hyrjes së zgjedhësit në qendrën e votimit, zgjedhësi thotë emrin dhe paraqet para KQV-së një nga dokumentet zyrtare të identitetit. Si të tilla njihen, karta e identitetit dhe pasaporta. Në nenin 172 është përcaktuar një dispozitë kalimtare që flet për pajisjen e zgjedhësve me dokumente identifikimi për qëllime votimi. Aty thuhet se për zgjedhjet e Kuvendit të vitit 2009, ngarkohet Këshilli i Ministrave për të nxjerrë aktet nënligjore, që bëjnë të mundur pajisjen me përparësi të zgjedhësve që nuk disponojnë pasaporta të vlefshme me karta të identitetit të lëshuara në zbatim të ligjit. Akti duhet të parashikojë transferimin e të dhënave të sistemit të pasaportave në fuqi, me qëllim identifikimin dhe përpunimin e listës së shtetasve që nuk disponojnë një dokument të tillë dhe që gëzojnë të drejtën e zgjedhjes në zgjedhjet për Kuvendin e vitit 2009 dhe që, sipas këtij neni, do të pajisen me përparësi me karta identiteti. Shifra prej 500 mijë votuesish është shumë e konsiderueshme për numrin e shtetasve tanë dhe me ndikim direkt në rezultatin e zgjedhjeve. Opozita ka kërkuar publikisht që qeveria të përcaktojë masa inkurajuese, qoftë edhe dhënien e kartave të identitetit falas për këtë kategori, në mënyrë që zgjedhësit të mund të votojnë. Nëse u referohemi shifrave të zgjedhjeve lokale të vitit 2007, shohim se Partia Socialiste dhe Partia Demokratike së bashku kanë rreth 577 mijë vota. Konkretisht, Partia Socialiste, në sistemin proporcional, arriti të grumbullonte një numër prej 305.582 votash dhe Partia Demokratike 271.705 vota. Pas tyre vinte Lëvizja Socialiste për Integrim me një numër prej 121.171 votash. Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, totali i votave të vlefshme në këtë sfidë elektorale ishte 1.318.642. Sipas Kodit të ri Zgjedhor dhe interpretimit që i kanë bërë juristët, mendohet se të vetmet data të mundshme për caktimin e zgjedhjeve të ardhshme të vitit 2009 janë 21 dhe 28 qershori.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›