E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ronaldinjo: Jemi më të mirët

24/12/2004  

Tashmë në Spanjë flitet vetëm për të. Ronaldinjo, fituesi i fundit i "FIFA Ëorld Player", dëshiron të hyjë në historinë e Barcelonës. Ditët e fundit braziliani ka qenë figura kryesore në merkato, sipas disa gazetave sportive spanjolle, por fantazisti dëshiron të qëndrojë për shumë kohë në skuadrën blugrana, për të fituar trofe të rëndësishëm. "Nuk kam thënë kurrë se dua të luaj me Çelsin- ka shpjeguar talenti brazilian. Jam shumë i lumtur për Barcelonën dhe dua të vazhdoj të jap kontributin tim për këtë skuadër. Dua të hyj në historinë e këtij klubi si një futbollist fitues…".

Kështu, Ronaldinjo ka qetësuar të gjithë tifozët e Barcelonës, të cilët për disa ditë kanë menduar për largimin e mundshëm të ikonës së skuadrës katalanase. Ronaldinjo ka folur edhe për sezonin e Barcelonës, deri në këto momente: "Jam shumë i lumtur, sepse kemi bërë një rrugë me të vërtetë magjike. Kemi marrë maksimumin e mundshëm. Askush nuk mund ta kishte menduar në fillim të sezonit, se në prag të Vitit të Ri do të ishim 10 pikë larg skuadrës së dytë. Një pjesë e madhe e meritës shkon edhe për trajnerin Rajkard, i cili ka krijuar shumë harmoni në grup. Të gjithë jemi të lumtur, madje edhe ata që qëndrojnë në pankinë…". Një koment për Real Madrid, që tashmë duket se i ka thënë lamtumirë, titullit kampion: "Edhe pas humbjes me Sevilian, nuk mendoj se Reali është shkëputur nga lufta për titullin kampion. Është e vërtetë që diferenca me ne është shumë e madhe, por madrilenët dinë gjithmonë se si t`i shfrytëzojnë situatat në favor të tyre. Nuk besoj asnjëherë tek ata që thonë se Reali i ka thënë lamtumirë titullit kampion". Shevçenko, “Topin e Artë”, ndërsa Ronaldinjo, futbollisti më i mirë i FIFA-s: "Jam shumë i kënaqur për çmimin që kam fituar. Më jep më shumë stimuj për të punuar. Njëkohësisht më vjen mirë edhe për Shevçenkon, i cili i ka dhënë shumë Milanit. Personalisht më pëlqejnë më shumë trofetë në grup, se se ata individualë, prandaj këtë sezon do të japim maksimumin për të fituar Ligën e Kampioneve dhe kampionatin". Në shikim edhe nga Liga e Kampioneve, ku skuadra e tij do të ndeshet me Çelsin, aktualisht skuadra më në formë në kampionatin anglez: "Mund të them se është si një finale e parakohshme. Me ne shorti ka qenë shumë i egër, sepse është shumë e vështirë të mendosh pikërisht skuadrën e Murinjos, qysh në 1/8-at e Ligës së Kampioneve".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›