E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis hetimimi tenderave të ministrive

05/01/2005  Komisioni Hetimor për prokurimet e bëra nga qeveria prej janarit 2002 deri në vitin 2004, ka arritur të marrë dokumentacionet e kërkuara prej ekspertëve. Kryetari i këtij Komisioni, Ilir Bano, tha dje për gazetën "Metropol" se dosjet e kërkuara kanë mbërritur në duart e ekspertëve, që po punojnë për të nxjerrë konkluzionet përkatëse. "Kemi arritur të marrim dokumentacionin nga të gjitha ministritë dhe tashmë po punojmë për të nxjerrë përfundimet", tha Bano. Sipas tij, deri tani puna e komisionit hetimor parlamentar ishte bllokuar, për shkak se anëtarët e tij nuk po arrinin të siguronin dot dosjet përkatëse në disa ministri, për të vazhduar normalisht punën. "Prej më shumë se një muaji, nga disa institucione nuk na ishin dhënë dokumentet, me gjithë kërkesat tona të herëpashershme. Por, gjithsesi, tani fjala i mbetet ekspertëve", vazhdon më tej Bano. Nga ana e tyre, ekspertët në këtë komision akoma nuk mund të japin një përgjigje mbi shkeljet e mundshme në prokurimet, pasi janë në hapat e para të shqyrtimit të mënyrave, me të cilat janë bërë ato.

Akuzat

Komisioni është ngritur më datën 22 nëntor të vitit të kaluar, me nismën e disa deputetëve të opozitës dhe përbëhet nga 11 deputetë, nga të cilët pesë prej tyre, së bashku me kryetarin, janë deputetë të opozitës, ndërsa gjashtë të tjerë i takojnë mazhorancës. Partia Demokratike pretendon se në prokurimet e bëra nga Kryeministria dhe ministritë janë bërë shkelje dhe abuzime në procedura dhe në nxjerrjen e fituesve. Në këto akuza, opozita bazohet dhe në një raport të KLSH-së, i cili e akuzonte qeverinë për shkelje disamilionëshe në tendera. Grupi nismëtar i deputetëve të opozitës, që kanë firmosur ngritjen e komisionit, pretendon se zhvillimi i tenderave gjatë periudhës 2002–2004 është bërë në mënyrë jotransparente, përmes prokurimeve të drejtpërdrejta, dhe me një klientelë të kufizuar. Vetë lideri demokrat, Sali Berisha, ka akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Kryeministrin për shkelje të procedurave të prokurimeve. Ndërsa një pjesë e akuzave është mbështetur dhe në raportet e Bashkimit Evropian, mbi korrupsionin në Shqipëri.

Afatet

Afati i fundit për përfundimin e punës së komisionit hetimor parlamentar për prokurimet e qeverisë është data 22 shkurt e këtij viti. Deri tani, në seancat e zhvilluara, anëtarët e tij janë marrë me çështje, që në thelb nuk justifikojnë qëllimin për të cilin është ngritur komisioni. Pra, në mbledhjet e deritanishme janë përcaktuar hapat që do të ndërmerren, si dhe fushat ku do të përqëndrohet hetimi, por e gjitha kjo ka mbetur në letër. Mbledhja e ardhshme e komisionit hetimor për prokurimet publiket do të jetë më datë 18 janar 2005, ku ekspertët dhe anëtarët e komisionit pritet të sqarojnë diçka më shumë rreth vërtetësisë të akuzave të opozitës, pasi të kenë shqyrtuar dhe dokumentacionin e ardhur nga ministritë përkatëse.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›