Ekspertët: Vonesat rrezikojnë afatet ligjore
Ekspertët deklarojnë se problemi më i madh ka të bëjë me kohën e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas tyre, do të ishte e udhës që anëtarët e rinj të KQZ-së të zgjidheshin brenda muajit dhjetor të këtij viti. Kjo gjë kondicionon Kuvendin që në limitet më të shkurtra kohore, të miratojë Kodin e mandej, mbase në seancën e fundit të Kuvendit për këtë vit, të zgjidheshin edhe anëtarët e rinj. Zgjedhja e tyre është e rëndësishme, pasi në muajin janar ata duhet të kenë filluar punë. Duke trajtuar disa nga detyrat më imediate që rrjedhin nga Kodi, siç janë propozimi për ndarjen e mandateve për zonat zgjedhore dhe akte të tjera nënligjore që kanë afate. Nëse nuk zgjidhen në dhjetor, atëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të fillojë punë në fund të janarit, duke rrezikuar seriozisht një sërë afatesh dhe aktesh që duhet të përgatiteshin që në muajin janar. Ekspertët këmbëngulin se çdo vonesë në këtë drejtim do të krijojë probleme për arritjen e standardeve që parashikon Kodi. Më tutje, vonesat mund të sjellin pasoja në një sërë veprimesh zinxhir që kanë të bëjnë me procedurat e organizimit të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.