Braho: Të hapur për ndryshimin e sistemit dhe administrimin e zgjedhjeve
Lëvizja Socialiste për Integrim propozon thirrjen e një tryeze politike, jo vetëm nga partitë përfaqësuese në Parlament, për nisjen e procesit për reformën zgjedhore. Spartak Braho, sekretar për çështjet Ligjore tha se LSI pranon çdo propozim që do të dalë nga kjo tryezë e përbashkët. “Ne jemi të hapur për të gjitha propozimet, qoftë për ndryshimin e sistemi zgjedhore dhe për çështje të tjera të administrimit zgjedhor, me probleme të tjera të Kodit Zgjedhor. Kryesore është që të ulemi në tryezën e dialogut dhe ne jemi të hapur për çdo gjë”, u shpreh Braho. Sekretari i LSI kërkoi nisjen sa më parë nga puna të një dialogu dhe tryeze për këtë reformë. “LSI propozon përcaktimin e një platforme dhe kalendari veprimesh konkrete, ku vendin kryesor ta përfshijë ideja e një tryeze ndërpartiake gjithë përfshirëse. Në tryezë duhet të marrin pjesë të gjithë aktorët politikë aktivë dhe ata të shoqërisë civile. LSI shprehet e hapur për të gjithë kuadrin politik, për të marrë parasysh propozime ngado që të vijnë”, u shpreh Braho. Duke shprehur qëndrimin e LSI dhe për reformën e bërë para zgjedhjeve të kaluara, Braho tha se propozimet e saj nuk u morën parasysh. “Koha ka treguar se qëndrimet e LSI-së për reformën zgjedhore kanë qenë jo vetëm të drejta, por edhe të nevojshme, ndonëse shpeshherë ranë dhe në vesh të shurdhër. Gjithsesi ne do të vazhdojmë të jemi konstruktiv, aktiv dhe parimor për këtë çështje të rëndësishme politike dhe institucionale të vendit. Në këtë rast nuk kam parasysh vetëm pjesëmarrjen në këtë tryezë të partive politike parlamentare, por tërë aktorëve politik aktiv si dhe ata të shoqërisë civile. Ne u bëjmë forcave politike që të heqin dorë nga retorika që nuk thotë asgjë, që nuk parashikon asgjë, që nuk vendos asgjë. LSI është e gatshme që të kontribuojë në mënyrë aktive dhe konstruktive. Fakti që LSI ka kohë që ka filluar punë, ka ngritur strukturat e saj në nivel qendror dhe lokal”, u shpreh sekretari për çështjet ligjore i LSI-së.