E Diel, 1 Nëntor 2026

Memorandum për liqenin e Shkodrës, Topi: Të marrë fund shfrytëzimi



Shqipëria e Mali i Zi nënshkruan dje një Memorandum Bashkëpunimi për Liqenin e Shkodrës, ku të dy shtetet angazhohen në ruajtjen e këtij ekosistemi. Të pranishëm në këtë nënshkrim memorandum nga dy ministrat e Mjedisit, Mediu e homologu i tij malazez, ishin edhe dy Presidentët, të Shqipërisë e Malit të Zi, të cilët kërkuan të hartohen plane të veçanta nga të dy vendet për mbrojtjen e këtij liqeni. Kreu shqiptar i shtetit theksoi në fjalën e tij se duhet të ndalë edhe shfrytëzimi pa kriter i burimeve natyre. “është e domosdoshme që dy vendet tona, jo vetëm të hartojnë projekte e plane të përbashkëta, të shfrytëzojnë financime të ndryshme, që vendet e BE-së ofrojnë me shumë zemërgjerësi, por në mënyrën të shpejtë t’i venë në zbatim, në të mirë të komuniteteve që t’i shfrytëzojnë ato. Koha për shfrytëzime pa kriter, për ndotje të mjedisit, për zgjidhje të çastit, duhet të marrë fund”, tha Topi. Në Shkodër u realizua edhe një konferencë shkencore “Liqeni i Shkodrës - Gjendja dhe Perspektivat”, ku më tej Presidenti Topi u kërkoi akademikëve pjesëmarrës hartimin e studimeve për parandalimin e fatkeqësive natyre. “Ne sapo e kaluam një dimër problematik. Sigurisht natyrën nuk e kemi në dorë, por i kemi të gjitha mundësitë që duke iu referuar studiuesve në radhë të parë, një pune të organizuar dhe parandaluese të institucioneve, një bashkëpunimi reciprok të njerëzve të ditur të dy vendeve tona, ne do të bëjmë të mundur që të jemi jo vetëm parandalues për gjendje të pakëndshme që vijnë nga situata të jashtëzakonshme natyrore, por të japim mundësinë që ky ekosistem vërtet të shfrytëzohet vetëm për mirë dhe të mos na vendosë në situata emergjente, sikurse na vendosi pak muaj më parë”, tha kreu shqiptar i shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›