E Diel, 1 Nëntor 2026

Vonesat e rimbursimit të TVSH, biznesi ul investimet



nertila maho

Kredi shtesë ose ulje e investimeve dhe shpenzimeve, janë alternativat që zgjedhin më shumë se gjysma e bizneseve kur kanë vështirësi likuiditeti. Në situata të tilla rimbursimi në kohë i TVSH-së për një pjesë të mirë të kompanive eksportuese do të ishte ideale pasi nuk ka kosto shtesë por në këtë rast problemi qëndron tek procedurat që zgjasin pafund. Bazuar në studimin e Qendrës Shqiptare për Konkurrueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare që lidhet me rimbursimin e TVSH-së, eksperti Artan Gjergji thekson se 34 për qind e biznesit përballon vështirësinë e likuiditetit duke marrë një kredi shtesë. Një pjesë tjetër e mirë e kompanive eksportuese (tekstile, riciklim, këpucë) sipas studimit të ACIT preferojnë që të jenë më ekonomike me shpenzimet që kryejnë dhe njëkohësisht kufizohen edhe në aspektin e investimeve, kjo kategori përfaqëson 20 për qind në total. Kostoja e zgjedhjes së dytë është pamundësia për të futur teknologji të reja apo për të zgjeruar aktivitetin dhe gjeneruar më shumë punësim. Por nuk janë vetëm këto problemet, vonesat në rimbursimin e TVSH-së japin efekt edhe tek eksportet dhe shitja. “Efekti negativ i vlerave të konsiderueshme të mos-rimbursimit të TVSH-së mbi shitjet dhe eksportet 3-mujore është i ndjeshëm. çdo ditë vonesë, mund të shkaktojë një ulje në eksportet 3-mujore deri në 0.03 për qind për ndërmarrjet e vogla dhe 0.02 për qind ulje për ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha”, thuhet në studimin e ACIT. Rimbursimi i TVSH-së për një pjesë të mirë të kompanive mbetet problematik edhe sepse shumat të cilat administrata tatimore ju detyrohet bizneseve shkojnë në një pjesë të mirë të rasteve disa milionë lekë. Në studimin e ACIT rreth 90 për qind e eksportuesve pretendojnë një shumë rimbursimi të TVSH-së mbi 800 mijë lekë të reja, të cilat në një zgjatje më të shkurtër të procedurave mund të nxisnin më shumë investime apo shpenzime tek kompanitë. Në këtë pikë ACIT është në të njëjtën linjë me Bankën Botërore e cila në raportin e saj për “Aksesin dhe përshtatjen e njohurive të reja prej firmave shqiptare”, shprehet se aksesi ndaj financimit është një pengesë e njohur për kapacitetin e firmave për t’u rritur teknologjikisht. Sigurisht Banka Botërore këtu i referohet aksesit mbi kreditimin, por edhe mënyrave të tjera të financimit ku rimbursimi i TVSH-së padyshim për bizneset përbën një fond të mundshëm financimi.

Studimi i ACIT

250 kompani janë marrë në studim 99.8 % e kompanive problem me vonesën e rimbursimit 90 % e tyre pretendojnë mbi 800 mijë lekë 72 % e kompanive cilësojnë procedurat si të gjata dhe të komplikuara 34 % e kompanive marrin një kredi në vështirësi likuiditeti 20 % e kompanive ulin investimet në vështirësi likuiditeti 14 % kanë arritur të marrin kamatëvonesat 34 % e kompanive janë rimbursuar me një vonesë 12 muaj 33 % kanë pasur një vonesë 1-3 muaj 16 % rimbursuar në kohë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›