OSSH shpërndan njoftim debitë, më pas ndërprerje masive
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka filluar shpërndarjen e njoftim debive si paralajmërimi i fundit para ndërprerjeve masive të energjisë elektrike, për ata që nuk kanë shlyer borxhin që i kanë kompanisë. Sipas menaxherit të Departamentit të Arkëtimeve Ermal Murati brenda këtij muaji OSSH synon të ketë njoftuar rreth 30 për qind të konsumatorëve debitorë, ndërkohë që paralajmëron se 20 për qind e tyre do të jenë subjekte të ndërprerjes së energjisë. “Në bazë të kontratës OSSH ka të drejtë të njoftojë gjithë konsumatorët për detyrimin që kanë dhe nga i vjen ky detyrim. Njoftim debia që ne e konsiderojmë si një kujtesë të fundit jep gjithë të dhënat për çdo konsumator si dhe pasojat që ka mosshlyerja e detyrimit brenda afatit të caktuar”, shprehet Murati. Ai thekson se tashmë në OSSH ka ngritur strukturat e nevojshme që bëjnë edhe monitorimin për subjektet që ju është ndërprerë energjia në mënyrë që ata të mos bëjnë rilidhje të jashtëligjshme. Për ata që konstatohet kjo shkelje do të bëhet edhe padia përkatëse.