E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braho: “Unë e di kush janë spiunët në Qeveri”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Është kjo përsëri një tentativë që bën Berisha për të eliminuar kundërshtarët e tij, madje, dy ministra në qeverinë e sotme, i ka të certifikuar si ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit”

Dy ministra të qeverisë janë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit. Ky pohim është bërë për “Ballkan” nga deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Spartak Braho. Deputeti i LSI-së dhe anëtari i Komisionit të Ligjeve e konsideron si të gabuar momentin kur po kërkohet hapja e tyre duke akuzuar mazhorancën se po e përdor atë për të shpërndarë vëmendjen nga problemet aktuale të vendit. Braho shprehet pro hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit, por thekson se duhet pasur shumë vëmendje që ajo të mos kthehet në një hakmarrje politike. Ai pohon më tej se pjesa më e madhe e ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit sot janë në krahun e djathtë. Deputeti i LSI-së mirëpret dhe propozimin e Preç Zogajt për ngritjen e një komisioni për të verifikuar zbatimin e ligjit të vitit 1996 për pastrimin e figurave zyrtare. Mëgjithatë, ai mendon se propozimi i Zogajt është për shkak të pozicionit të vëshirë në të cilin ai ndodhet.
Deklarata
“Momenti që hapet dhe shtrohet për diskutim problemi i dosjeve ka të bëjë direkt me nxitjen e pushtetarëve të sotëm. Politika e kryesuar nga Sali Berisha synon shpërndarjen e vëmendjes së opinionit për shkak të krizës që kalon vendi”, - tha Braho. Duke u shprehur pro hapjes, ai pohoi se ajo që duhet pasur parasysh në këtë procedurë është që të mos kthehet në proces hakmarrjeje. “Sepse mua më rezulton se shumica e bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit janë sot më shumë në kampin e djathtë. Dhe, kuptohet që ata, për shkak të rrethanave të caktuara, ishin të detyruar të bashkëpunonin me Sigurimin. Është kjo përsëri një tentativë që bën Berisha për të eliminuar kundërshtarët e tij, madje, dy ministra në qeverinë e sotme, i ka të certifikuar si ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit”, - tha ai. Braho nuk pranon të përmendë emra, ndërsa sqaron se këta dy ministra janë ata që edhe në vitin 1996 janë skualifikuar për shkak të ngarkesave të këtij lloji. Lidhur me propozimin e bërë dje nga Zogaj në seancë plenare ai pohoi se është një mendim racional për shkak të pozicionit të vëshirë që ka zoti Zogaj. Një ditë më parë, deputeti i Partisë Demokratike, Preç Zogaj, kujtoi se në vitin 1996 ka ekzistuar një ligj që ka kontrolluar figurat zyrtare dhe duhet të ngrihet një komision për të verifikuar zbatimin e këtij ligji dhe ku duhet ende të veprohet. Ndërkohë që aktualisht në Komisionin e Ligjeve janë dorëzuar tre drafte për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Madje, Partia Demokratike dorëzoi dje një traft të ri të përpunuar dhe jo variantin e dorëzuar në Kuvend në vitin 2008. Pritet që të ketë një bashkëpunim mes dy relatorëve të caktuar për këtë çështje, Aldo Bumçit dhe Arben Isarajt, për arritjen në një draft të vetëm, i cili do të kalojë më pas në seancë plenare. Në shqyrtim janë draftet e Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Partisë Demokristiane.
Ky lajm është publikuar: 04/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›