E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Cilët janë spiunët në Presidencë dhe Qeveri?”

Autori i Lajmit: red.
Hapja e dosjeve së ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit ka kthyer debatet në Kuvendin e Shqipërisë. Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka kërkuar shpjegime nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, pse nuk ka marrë në shqyrtim këto projektligje që janë dorëzuar nga viti 2006. Madje, Balla kujtoi se ai i ka kërkuar disa herë kryeparlamentares që të hapte dosjet, por ajo nuk e bëri një gjë të tillë. “Shqipëria është vendi i fundit në Evropën Lindore që ende nuk e ka kryer këtë proces, për pasojë, dosjet e errëta të Sigurimit dhe Policisë Sekrete po mbajnë peng zhvillimet demokratike dhe moralin e ecjes së shoqërisë përpara , - tha dje Balla. Sipas tij, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka sulmuar qeverinë e saj dhe Presidencën se në institucione ka spiunë. “Topalli nuk mund t i hapë dosjet, pasi me akuzat që ka bërë, rrezikon të bjerë qeveria dhe ndoshta edhe Presidenca. Ju vetë, zonja Topalli, keni deklaruar se në Presidencë dhe Qeveri ka bashkëpunëtorë të Sigurimit. Cilët janë spiunët në Qeveri, cilët janë spiunët në Presidencë? Ky ligj duhet të kalojë menjëherë, të largohen spiunët nga Presidenca dhe Qeveria”, – vazhdoi Balla. Në përgjigje të deklaratës së deputetit socialist, Topalli tha se përgjatë dy viteve, draftet e propozuara për këtë çështje kanë qenë të depozituara në Komisionin e Ligjeve dhe kjo do të thotë se opozita asnjëherë nuk ka pasur seriozitet në këtë çështje. Kryeparlamentarja theksoi rëndësinë e miratimit të këtij projektligji brenda këtij sesioni parlamentar. “Ne kishim një ligj shumë të mirë në vitin 1996, i cili u ndryshua në vitin 1997 me vullnetin e një mazhorance tjetër, një vendim për të cilin unë personalisht nuk kam qenë kurrë dakord”, - tha ajo. Duke nënvizuar se sot është një mazhorancë, e cila vjen nga një histori tjetër dhe ka obligimin për ta votuar këtë projektligj, Topalli nxiti deputetët e Komisionit të Ligjeve, që brenda muajit korrik ta mbyllin këtë projektligj, duke respektuar kështu dhe rezolutën e Këshillit të Evropës.

Ky lajm është publikuar: 04/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›