Shqipëria, pa sulmues në Azerbajxhan
Kombëtarja shqiptare do të udhëtojë pa një sulmues të mirëfilltë drejt Azerbajxhanit, në miqësoren që do të luajë kundër përfaqësueses së këtij vendi në Baku më 19 nëntor. Pas dëmtimit të Erjon Bogdanit, trajneri Ari Han ka vendosur të thërrasë mesfushorin e Tiranës, Gjergji Muzakën, i cili është padyshim një ndër lojtarët më të spikatur të kampionatit vendës. Megjithatë, tekniku holandez ka pasur mundësinë që të marrë edhe një prej Kapllanit ose Salihit, të cilët i ka lënë jashtë, pasi nga lista e përpiluar nga Hani do të mungojnë edhe Lala e Beqaj për shkak dëmtimesh. Pasi u njoftua për mungesën e kapitenit dhe të portierit, trajneri i përfaqësueses vendosi të merrte vetëm mbrojtësin Andi Lila. Në miqësoren kundër Azerbajxhanit, sulmues do të jenë Besart Berisha, Xhevahir Sukaj dhe Elis Bakaj. Ndërkaq, sipas të gjitha gjasave, në ndeshjen kundër Azerbajxhanit do të mungojë edhe Lorik Cana. Ky i fundit mësohet se i ka kërkuar leje trajnerit Han për këtë ndeshje dhe pritet vetëm përgjigja e holandezit.