Brain Stand - "Qëndrimi, Vlerësimi dhe Lartësimi i Trurit Shqiptar"
SUPLEMENT
Ky Suplement është përgatitur në kuadër të projektit "Promovimi i qeverisjes së mirë dhe rritjes së transparencës politike", mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike dhe British Foreign & Commonwealth Office (FCO)
Objektivi kryesor i projektit është vlerësimi i transparencës dhe i performancës së ofrimit të shërbimeve nga Zyra e Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Projekti synon, gjithashtu, edhe në arritjen e disa objektivave konkretë, si: vlerësimi i njohurive të qytetarëvë për llojet dhe mënyrën e shërbimeve të ofruara nga ZRPP, i të drejtave dhe detyrimeve ligjore të qytetarëve dhe administratës së ZRPP-së, e respektimit të mekanizmit të ankesave të qytetarëve, i transparencës të ofrimit të shërbimeve, profesionalizmit dhe performancës në punë, i infrastrukturës dhe ambjenteve të ZRPP-së, ngritja e kapaciteteve të vetë administratës si dhe ndërtimi i strategjive për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve, etj,.
Projekti “Promovimi i qeverisjes së mirë dhe rritjes së transparencës politike”, i cili u mundësua financiarisht nga GOF, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, në tërësi ishte kontribut i veçantë për përmirësimin e punës në ZRPP.
Arian Galdini
FDE- Forumi për Demokraci dhe Etikë, me dëshirën e madhe për t’u uruar të gjithë mësuesve, pedagogëve dhe njerëzve të mendimit shqiptar, festën e tyre në këtë 7 Mars, me ngasje dëshirën dhe aksionin tonë të përhershëm me kahje të mirën dhe kontributin e synimin tonë për të qenë aktorë dhe autorë në një proces këmbëngulës ndryshimi, hap sot fushatën : Brain Stand – “Qëndrimi, Vlerësimi dhe Lartësimi i Trurit Shqiptar.” Përderisa sot në Shqipëri të gjithë flasin për NDRYSHIM, ne si FDE, kemi ambicien e madhe që të flasim fort e me zë të vendosur, e njëkohësisht me veprim e akte të qarta për TRANSFORMIM. Nëse NDRYSHIMI është specifikisht përmirësimi i vetëm njërit apo disave prej komponentëve që përbëjnë dhe formësojnë shoqërinë, shtetin, vendin, TRANSFORMIMI është përmirësimi progresiv i paarrestueshëm, i pabllokueshëm i të gjitha këtyre komponentëve.
Fushata Brain Stand do të fillojë me shpalljen në këtë 7 mars, të Brain Stand Strategy dhe do të shoqërohet me një sërë takimesh intensive nëpër Auditore Universitetesh, me Akademikë, Intelektualë, Pedagogë dhe Studentë. Do të synojmë e përpiqemi të prezantojmë, pasurojmë dhe përmirësojmë Idetë dhe Strategjinë tonë Brain Stand– “Qëndrimi, Vlerësimi dhe Lartësimi i Trurit Shqiptar.”, nëpërmjet debateve publike, takimeve me zyrtarë, politikanë, vendim-marrës, drejtues te institucioneve arsimore, drejtues të Akademisë së Shkencave, Rektorë, Dekanë, të Universiteteve Shqiptare qofshin publike apo private, pedagogë, intelektualë dhe studentë.
Kauza jonë është kauza e vendosjes së parametrave të barazisë së kushteve, mundësive dhe shanseve, ku mendimi shqiptar, pedagogët shqiptarë, universitetet shqiptare publike dhe private, studentët shqiptarë, të ndihen të respektuar, vlerësuar, dhe lartësuar. Me këtë nismë, ne duam t’i japim jetë dhe forcë hapjes së një debati të madh publik, i cili do të formatojë dhe perjetësojë politika, vendime dhe strategji të qëndrueshme afatgjata, të cilat i japin vlerë, nder, dinjitet, barazi dhe respekt universiteteve shqiptare, studentëve që studiojnë në to dhe mendimit shqiptar në përgjithësi.
Kjo fushatë sensibilizuese do të përmbyllet në datë 28 mars 2009, kur ne do të ftojmë të gjithë akademikët, intelektualët, pedagogët, studentët, sipërmarrësit në fushën e arsimit, qytetarët dhe politikanët shqiptarë, që të gjithë të marrin pjesë në MARSHIMIN E SHPRESES.
Brain Stand Strategy
“Qëndrimi, Vlerësimi dhe Lartësimi i Trurit Shqiptar.”
Për një kendvështrim ndryshe të Mendimit Shqiptar
FDE - Forumi për Demokraci dhe Etikë, që në zanafillën e tij ka nisur aksionin e krijimit të Aleancës së Madhe të Mirëbesimit. Ky aksion, ndër të tjera ka për qëllim ngritjen e figurës së qytetarit shqiptar, lartësimin e tij dhe të dinjitetit të tij, për moslejimin e trajtimit të tij si qytetar i dorës së dytë, edhe në këtë kuadër, sigurisht duke u përthelluar në ambicjen tonë, FDE do të jetësojë fushatën sensibilizueze të quajtur Brain Stand-“Qëndrimi, Vlerësimi dhe Lartësimi i Trurit Shqiptar.”
Pse një ndërmarrje e tillë? Vendi ynë ka përjetuar një mori ndryshimesh të vrullshme e të thella, të cilat kanë prekur, dhe kanë pasur për qëllim, hierarkinë e vlerave. Për rrjedhojë një gjë e tillë ka sjellë një përshtjellim dhe moskohezion ndërmjet anëtarëve të shoqërisë. Ky sistem vlerash i jo-mirërenditur, i jo-konktretizuar nëpërmjet modeleve të njohura historike, kombëtare dhe universale, modeomos do të sillte për pasojë ecejakien individuale e sociale nëpër kërkim të vlerave, e cila ka kosto të lartë për gjithë ecurinë e kualitetit të jetës së individit- në këtë rast të qytetarit shqiptar. Prandaj, seria e takimeve dhe nismave të ndërmarra nga FDE kanë pasur së pari, por jo të vetmin qëllim, krijimin e klimës së mirëbesimit në disa nivele të shoqërisë shqiptare.
Shprehëse dhe rrjedhojë e kësaj situate paqartësie ka qenë edhe hierarkia e vlerave akademike për mendimin shqiptar. Për këtë janë ndërmarrë një sërë reformash të inicuara nga qeveria dhe institucionet përkatëse. Po përmendim disa prej tyre: Fillimisht ishte ajo me qëllim de-komunistizimin e kurrikulave dhe mendimit universitar dhe në përgjithsi të shkollës shqiptare, si për nga përmbajtja, por edhe nga ana strukturore-organizative. Ndërkohë, largimit nga vendi të shumë shqiptarëve kësaj popullate iu bashkuan dhe shumë intelektualë. Prej kësaj dukurie lindi koncepti i “rrjedhjes së trurit kombëtar”. Ikja apo rrjedhja e trurit ishte dhe vijon të jetë ndoshta një prej humbjeve më të mëdha, që ka pasur shoqëria shqiptare. Metodat statestikore nuk do të mund të shprehin dot në tërë dimensionalitetet e veta efektet që pati një gjë e tillë, për sa kohë bëhet fjalë për “më të pallogarishmen”, vlerë - mendimin.
Aktorë të ndryshëm të shoqërisë vendosën të aplikojnë projekte dhe programe për kthimin e intelektualëve shqiptarë që kishin emigruar dhe që po jepnin kontributin e tyre në vende të tjera. Edhe pse FDE ka qenë dhe është përkrahëse e kësaj ideje, sikurse dhe për çdo ide, e cila kontribuon sadopak në rritjen e potencialeve të vendit tonë, sërish e sheh të nevojshme në mos të domosdoshme ngritjen e një stragjegjie më afatgjatë, duke nisur së pari në krijimin e një klime sigurie dhe respekti për mendin shqiptar kudo ku ai kultivohet. Këtë ne kemi dashur ta quajmë Brain Stand- “Qëndrimi, Vlerësimi dhe Lartësimi i Trurit Shqiptar.”.
Brain Stand merr parasysh dhe reformat dhe transformimet e thella që kanë ndodhur në fushën e mendimit shqiptar, siç janë krijimi i universiteteve të reja nëpër rrethe, krijimin e shkollave jopublike apo sikurse njihen me emrin universitete private, reformën në kërkimin shkencor, si dhe procesin e implementimit të Kartës së Bolonjës. Por ne mendojmë se këto që përmendëm dhe të tjera, vetëm sa e shtojnë nevojën për një diskutim të gjërë rreth fatit të mendimit shqiptar dhe ecurisë së tij në të ardhmen.
1. Nisma për Brain Stand-“Qëndrimi, Vlerësimi dhe Lartësimi i Trurit Shqiptar”, ka ndërmend të themelojë një frymë e cila do të ngjallë shpresë për këdo që do të investojë kohë energji dhe para, pjesë nga jeta e tij, në sektorin e dijeve. Prandaj FDE do të përpiqet të krijojë ambientin e duhur që të gjitha palët e interesuara dhe aktorët vendimmarrës të anagazhohen të lënë për një çast pozicionimet e tyre të bazuara, vetëm apo në politikat, rrethanat, strategjitë aktuale, apo të mëparëshme dhe të reflektojnë thellë për një zgjidhje më afatgjatë. Mendimi shqiptar dhe ecuria e tij në kohë është shqetësim publik dhe si i tillë kërkon një vëmendje të posaçme.
2. Brain Stand- “Qëndrimi, Vlerësimi dhe Lartësimi i Trurit Shqiptar.”, ka për qëllim që të vërë në pah larmishmërinë e problematikës së krijuar gjatë këtyre viteve dhe prej këtej të nisim punën tonë për t’i dhënë një zgjidhje solide, individit që studion brenda dhe jashtë vendit.
3. FDE e shikon si problematik ligjërimin aktual mbi lëmin e mendimit shqiptar, që më shumë duket si një sistem i bazuar në stereotipe dhe paragjkime, sikurse janë: a.) Ndarja midis sistemit arsimor dhe kërkimor privat dhe publik, shqiptar dhe i huaj. b.) Ndarja midis studentit shqiptar dhe të Huaj, c.)Ndarja midis studentit që studion në universitetet shqiptare dhe atyre që studiojnë në universitete të huaja. d.) Ndarja midis të diplomuarit në universitetet shqiptare dhe të diplomuarve në universitetet e huaja. e.) ndarja midis Tiranës dhe rretheve. Prej kësaj ndarje herë-herë të shprehur edhe në akte zyrtare, kemi një situatë krejt të vagullt duke nisur që nga studenti dhe profesorati deri tek kërkuesi shkencor. Duket se në tërësi sistemi i hierarkisë së vlerave akademike që mbart një institucion universitar dhe shkencor është i bazuar në disa premisa apo gjykime të cilat janë arritur nga vetë njerëzit në rrjetin e miqve dhe rrjete të tjera private të informimit
4. Brain Stand- “Qëndrimi, Vlerësimi dhe Lartësimi i Trurit Shqiptar.”, kërkon të diskutohet dhe të arrihet në ndërmarrjen e veprimeve konkrete rreth mundësisë për inkorporim, debatim, korrektim, përmirësim, të të gjitha politikave të ndërmarra deri më tash, në mënyrë që ‘mendja” të mos lihet në dorë vetëm të projekteve me afate të përcaktuara, por të ketë një shestim të qartë të rrugës së karrierës të të gjithëve duke filluar nga studentet nëpër auditore, deri tek studiuesit në fushat e tyre përkatëse. Për të arritur një gjë e tillë është e domosdoshme marrja e mendimit të të gjithë faktorëve kryesore të mendimit shqiptar, nga Akademia e Shkencave, Qëndrat e Studimeve, Universitet, etj....
5. Brain Stand- “Qëndrimi, Vlerësimi dhe Lartësimi i Trurit Shqiptar.”, kërkon qartësimin më tej të sistemit të studimeve të larta dhe përcaktimin në programet dhe kurrikulat universitare. Propozohet që studentit dhe kandidatit për studime t’i ofrohet on-line dhe drejtpërdrejtë një broshurë e cila të vërë në dijeni për të gjithë hapat që do t’i duhen për të ndjekur si në specializme përkatëse ashtu dhe në karrierën akademike. Gradualisht të krijohen pranë të gjithë institucioneve përkatëse, struktura këshillimore për studentët të cilat të kenë për detyrë të përditësojnë me të rejat që kanë ndodhur brenda sistemit arsimor si dhe këshillime për vetë karrierën personale të studentit....
6. Brain Stand- “Qëndrimi, Vlerësimi dhe Lartësimi i Trurit Shqiptar.”, kërkon të krijojë kushtet për debat dhe dhënie zgjidhje rreth statusit të akademikut, profesorit, këkuesit shkencor. Kjo do të bëhet me qëllim krijimin e një statusi i cili t’i garantojë lirinë akademike të plotë studiuesit si dhe të rrisë interesin për pasjen e këtij statusi nga të rinjtë. Kjo mund të arrihet duke hartuar një status përkatës ku të shprehen të gjithë elementët e nevojshëm...
7. FDE, nëpërmjet Brain Stand- “Qëndrimi, Vlerësimi dhe Lartësimi i Trurit Shqiptar.”, propozon krijimin e një agjensie shtetërore –(përtej konceptit të deritanishëm të Agjensisë së Akreditimit), dhe/ose sikur ta shohin të arsyeshme palët, e cila, të ketë për funksion kryesor vlerësimin periodik të cilësësisë akademike të fakultetetve dhe institucioneve kërkimore shkencore. Duke mos pranuar ndarjen e deritanishme private/publik, tiranë/rrethe, etj... por duke u bazuar në vlerësimin faktik të cilësisë akademike që do të dëshmojnë nëpërmjet publikimeve, cilësisë së mësimdhënies, kurrikulës, etj.. Kjo si dhe nismat e tjera të kësaj organizate nuk është KUNDËR por një lëvizje PRO. Kjo Strategji mirëpret pasurimin dhe përmirësimin e saj nga të gjithë aktorët, të interesuarit, aleatet, dhe dashamirësit e kësaj mënyre të menduari dhe vepruari, por sidomos të këtij objektivi dhe qëllimi madhor.
“Shoqëria Civile rol themelor në zhvillimin e Shqipërisë”
Shkëlqesi ambasador, Forumi për Demokraci dhe Etikë me financimin tuaj ka realizuar një projekt në bashkëpunim me Zyrën e Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. A mund të na thoni se cili ishte rezultati i këtij projekti dhe a jeni të kënaqur me punën që është bërë?
Ndihem me të vërtetë shumë i kënaqur me punën e deritanishme të kryer nga ky projekt i implementuar nga FLSH- Forumi i Lirë Shqiptar dhe FDE- Forumi për Demokraci dhe Etikë, ndaj edhe mirëpres të shoh përmbylljen e tij të suksesshme. Kjo nuk është hera e parë që ne kemi bashkëpunuar me (FLSH), FDE. Arian Galdini dhe kolegët e bashkëpunëtorët e tij ia kanë dalë mbanë të ngrenë dhe stabilizojnë një histori shumë impresionuese pune, vizioni dhe aktivitetesh duke ndihmuar në ndërtimin e një shoqërie më demokratike, më transparente në Shqipëri, duke përmirësuar dhe pasuruar kulturën demokratike përtej dasive të partive politike, dhe duke përfshirë, angazhuar dhe fuqizuar Qytetarët Shqiptarë. Bashkëpunimi ndërpartiak për cështje të cilat janë në bërthamën e interesave kombëtare është një kërkesë-çelës për Shqipërinë. Projekti tek Zyrat e Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme synon të rrisë transparencën politike dhe mirëqeverisjen, si edhe ngritjen e kapaciteteve në administratën publike. Kësisoj do të bëjë një kontribut të drejtpërdrejtë në progresin e deritanishëm të Shqipërisë për të përmbushur kushtet e nevojshme për Integrimin në BE, sikurse është edhe e përcaktuar në MSA.
Duke parë rezultatet e projektit, mendoni të vazhdoni në këtë linjë bashkëpunimin me FDE-në dhe institucionet shqiptare?
Shoqëria Civile ka një rol themelor për të luajtur në zhvillimin e Shqipërisë dhe proçesin e reformave. Aftësia e Shoqërisë Civile për të lobuar për ndryshim dhe për të ushtruar presion pozitiv mbi shpinën e qeverive, është tepër e rëndësishme për ta ndihmuar Shqipërinë që të realizojë ndryshimet e nevojshme për të përmbushur kriteret për Integrimin në BE. Kështu që ne do të vazhdojmë të kërkojmë mundësi për të punuar së bashku me organizata të shoqërisë civile, përfshirë këtu FDE dhe të tjera, për ti ndihmuar ato që të realizojnë qëllimet dhe objektivat e tyre, kur këto sigurisht përputhen me objektivat tona në Shqipëri. Dhe një nga objektivat çelës që ne kemi është të asistojmë në reformat e nevojshme për Integrim të mëtejshëm Euro-Atlantik. Ne nuk do të mundemi ta kryejmë këtë duke punuar vetëm me një organizatë, por të rinj e të reja të motivuar si ata të FDE, të cilët kanë vizionin për të përmirësuar gjërat në vendin e tyre do të kenë gjithmonë një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur.
Sistemi i Ri i Regjistrimit të Pasurive i jep zgjidhje tregut të tokës
Sonila Jazaj*
Sistemi i regjistrimit të pasurive të paluajtshme ka kaluar në një sërë fazash për të mbërritur në formën e tij të sotme. Në të kaluarën regjistrimi i pasurive ka qenë fragmentar dhe me një model krejtësisht të ndryshëm nga koncepti i sotëm i regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Institucionet që administronin informacionin e pasurive kanë qenë Kadastra dhe Hipoteka; e para administronte informacionin e parcelave shtetërore të tokës, ndërsa hipoteka shërbente vetëm për zonat urbane, dhe ku në fokus ishte pronari i pasurisë, madje transaksionet mbi pronën nuk ishte e domosdoshme të kalonin nëpërmjet saj. Në fillim të viteve 90 u ndërmorën një sërë reformash në fushën e tregut të tokës. Këto reforma sollën si pasojë fragmentarizimin dhe riorganizimin i kufijve të parcelave të tokës dhe si rrjedhim - krijimin e mbi 3 000 000 pasurive private. Kalimi i të drejtave nga shteti tek privati krijoi në ato kohë mbi 500 mijë pronarë privatë. Të ndodhur në një situatë krejt të ndryshme, u pa e nevojshme fillimi i punës për ndërtimin e një sistemi të ri të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Në funksion të këtij qëllimi u krijua Grupi Koordinativ i Punës, u aprovua Plani i Veprimit dhe u krijua NMP/SRPP dhe më pas Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Parimet mbi të cilat mbështet ZRPP-ja janë: parcela, integrimi i kadastrës dhe hipotekës, pra të drejtës së pasurisë dhe hartës. ZRPP-ja përfshin të gjitha pasuritë, si private dhe shtetërore në të gjitha zonat si në ato rurale dhe në ato urbane. Opinioni publik vazhdon ta ngatërrojë Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme me Hipotekën, por e vërteta është se janë dy koncepte tërësisht të ndryshme, pasi sistemi i ri ka në qendër pasurinë dhe jo pronarin dhe pasuria përbëhet nga disa komponentë si: akti ligjor i fitimit të pronësisë, harta treguese dhe kartela e pasurisë që përmban të gjithë informacionin mbi pasurinë. Dukeqenëse se regjistrimi i pasurive më parë nuk kishte qenë prioritet për shkak të mungesës së tregut të tokës, u pa si detyrim i menjëhershëm regjistrimi fillestar i pasurive për t’i përshtatur ato me sistemin e ri të regjistrimit. Shqipëria është e ndarë në afërsisht 3055 zona kadastrale dhe regjistrimi fillestar nuk ka kaluar ende në shumë prej tyre. Gjatë këtyre viteve janë vënë re një sërë problemesh si mungesa e regjistrimit fillestar në shumë zona, mungesa e trajnimit dhe udhëzuesve për stafin e ZRPP, koha e dorëzimit të shërbimit e papërshtatshme, rritja e ngarkesës së punës si pasojë e rritjes së numrit të regjistrimeve të pasurive, neglizhimi i azhornimit të informacionit dixhital gjërësisht në zonat kadastrale ku regjistrimi fillestar ka përfunduar, dëmtimi i hartave etj. Për të eleminuar këtë problematikë që nga 2005, janë ndërmarrë një sërë masash që kanë të bëjnë me ndryshime legjislative, vendosjen e sistemit të monitorimit të dhënies së shërbimit, kontrollin rigoroz në ZVRPP-të në rrethe, trajnimin e stafit, etj.
Vizioni i ZQRPP-së ka të bëjë me faktin që qytetarët dhe institucionet shqiptare të përfitojnë të mira sociale dhe ekonomike që rrjedhin nga një sistem regjistrimi efiçent dhe efikas i regjistrimit të pasurive të paluajtshme ku: Kartelat përfshijnë të dhëna të kuptueshme dhe të sakta të pronësisë së tokës dhe pasurive të tjera të paluajtshme dhe të drejtave mbi to; I gjithë informacioni i kartelave dhe hartave është i gatshem dhe i disponueshëm për publikun; Regjistrimi i trasaksioneve mbi tokën dhe pasuritë është i menjëhershëm; Përdorimi progresiv i mjeteve elektronike për të përmirësuar efiçencën dhe kohën e dhënies së shërbimit është në përmirësim të vazhdueshëm. Në funksion të plotësimit të këtyre, Zyra ka hartuar një strategji 4-vjeçare brenda së cilës synohen këto arritje: shërbimet e ofruara të jenë sa më të shpejta dhe të sakta dhe të permbushin nevojat në rritje të tregut të tokës dhe të atyre qe e perdorin dhe varen nga këto shërbime; Të nxisë vendosjen e tarifave në nivelet me të ulta të mundshme për perballimin e shpenzimeve vjetore, duke përfshirë mirëmbajtjen dhe sigurimin e një shërbimi cilësor në fushën e regjistrimit; të sigurojë vazhdimësinë e integrimit dhe zhvillimit të regjistrit kombëtar të pasurive të paluajtshme gjatë gjithë procesit të regjistrimit fillestar; Të zhvillojë dhe sigurojë indeks të azhornuar të të dhënave të hartave për pasuritë e paluajtshme në të gjithë vendin; Të zgjerohet përdorimi i kompjuterizimit për të përmirësuar mënyrën e mbajtjes së të dhënave, azhornimin dhe aksesin në to; Të sigurojë kushte të mira pune për stafin, veçanërisht bazuar në logjistikën e zyrave, për të stimuluar një nivel të lartë motivimi. Për të realizuar këtë strategji është përcaktuar një planveprimi që parashikon ecurinë e impelemntimit të strategjisë ku në qendër është projekti LAMP, projekti më i madh për administrimin e tokës urbane, i financuar nëpërmjet fondeve të Bankës Botërore, që ka për qëllim: Përfundim i regjistrimit fillestar për 500 000 pasuri në zonat urbane të qyteteve kryesore; Përmirësimin e të dhënave të pasurive në zonat më prioritare të tregut të pasurive, azhornimin e informacionit dixhital, dizenjimin, zhvillimin dhe implementimin e Sistemit të Komjuterizuar të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
*Zv/Kryeregjistruese e Republikës së Shqipërisë
Nryshimet ligjore shmangën mundësitë e abuzimit me regjistrimin e pasurive
Elidon Laze*
Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka pasur si prioritet madhor reformimin e mëtejshëm të kuadrit rregullator dhe përmirësimin shërbimeve që ajo ofron. Nisur nga objektivi për bllokimin e mundësisë së regjistrimeve të paligjshme dhe përmirësimin e procedurave të regjistrimit të pasurive, ZQRPP ka propozuar një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore, të cilat kanë dhënë si produkt, frenimin e paligjshmërive dhe nxjerrjen në pah të paligjshmërive që janë konsumuar më parë.
Një prej akteve më të rëndësishme të miratuar nga qeveria shqiptare është Udhëzimi nr.1, datë 31.01.2007 “Për procedurat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme”. Me ligjin nr. 9791, datë 02.04.2007 “ Për disa shtesa e ndryshime në ligjin nr. 7843, datë 13.07.1994 “ Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, ligji bazë për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, pësoi disa ndryshime esenciale, të cilat mbi të gjitha kanë të bëjnë me eleminimin e mbivendosjeve, regjistrimin e pasurive të paluajtshme dokumuentat e fitimit të pronësisë, në rastet kuar ato kanë sipërfaqe të papërcaktuar, trajtimi ligjor i oborreve në përdorim, regjistrimi i karabinave, i pasurive të fituara me vendim gjyqësor e akte administrative. Udhëzimi Nr 1 standartizoi procedurën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme duke mos lënë hapësira interpretative për punonjësit e ZRPP-së dhe duke krijuar komoditet për qytetarët në plotësimin e dokumentacionit.
Një tjetër akt shumë i rëndësishëm është Udhëzimi nr.4 i Këshillit të Ministrave :” Për miratimin e procedurës së fshirjes së regjistrimeve të kryera në kundërshtim me ligjin dhe të atyre, që krijojnë mbivendosje, në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme”. Ndryshimet ligjore të kryera ne ligjin ‘Per regjistrimin e pasurive te paluajtshme”, dhe dalja e akteve nënligjore në zbatim të tij, nga të cilat me kryesoret janë ato të përmendura në pikat 2 e 3, i kanë dhënë një dimension të ri punës së zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme në këto drejtime:
1) Përcaktimit të procedurave të qarta ligjore për mënyrën e procedimit të zyrave të regjistrimit në rastet e kërkesave për regjistrim të pasurive, në varësi të aktit të paraqitur për regjistrim;
2) Qëndrimit zyrtar që mbajnë këto zyra në lidhje me regjistrimin apo jo të akteve të paraqitura për regjistrim, në varësi të ekzistencës apo mungesës së elementeve të caktuar, të cilët janë të percaktuar qartë në aktet nënligjore;
3) Kontroll i akteve të Zyrave Vendore në rastin kur ato vendosin të refuzojnë një regjistrim, nëpërmjet miratimit që kërkohet për këto refuzime nga kryeregjistruesi;
4) Eleminimi i mbivendosjeve, ose më thjesht, eleminimini i 2 apo më shumë regjistrimeve për të njejtën pasuri;
5) Fshirja e regjistrimeve të kryera në kundërshtim me ligjin;
Çfarë është realizuar me këto ndryshime ligjore?
Së pari, është eleminuar mundësia e kryerjes së regjistrimeve në kundërshtim me ligjin. Si rezultat, është shmangur rreziku i degradimit të Sistemit të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Duke përcaktuar rregulla të qarta për regjistrimet është shmangur mundësia e interpretimeve abuzive, qëndrimeve të ndryshme në raste të njejta në Zyrat Vendore.
Së dyti, nëpërmjet akordimit të së drejtës, por edhe një procedure për eleminimin e mbivendosjeve dhe rregjistrimeve të kundraligjshme, do të arrihet rezultati i kthimit në gjendje të plotë ligjshmërie të regjistrimeve, dhe fshirjes së regjistrimeve të paligjshme. Në këtë rast duhet bërë diferenca mes regjistrimit të pasurisë dhe titullit të pronësisë. Ata që kanë bërë regjistrime të paligjshme në ZRPP, nuk duhet të mendojnë se janë pronarë, derisa të kenë një titull pronësie të ligjshëm dhe të regjistruar në mënyrë të ligjshme.
Eleminimi i regjistrimeve të paligjshme nuk nënkupton eleminimin e akteve të paligjshme apo me mangësi të dukshme të formes apo përmbajtjes, qe krijohen nga institucione të tjera, akte të cilat janë paraqitur apo paraqiten për regjistrim në zyrat e regjistrimit. Ky qëndrim i fortë i Zyrave të Regjistrimit në favor të respektimit të ligjit, duhet të shoqërohet edhe nga akte të tjera ligjore e nënligjore që të rregullojnë lëshimin e titujve të regjistrueshëm në Zyrat e Regjistrimit. Dalja e ligjit “Për verifikimin e ligjshmërisë së lëshimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi”, i dha të drejtë një shqetësimi të hershëm të ngritur nga ZRPP për mangësi të katyre akteve, jo vetëm në drejtim të mangësive të formës e permbajtjes së tyre, por edhe të lëshimit në kundërshtim me ligjin.
Për të normuar procedurën ligjore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, rast pas rasti janë propozuar dhe miratuar një sërë aktesh nënligjore si: VKM nr.541, datë 22.08.2007 “Për përcaktimin e procedurave të kalimit në pronësi të trojeve, mbi të cilat janë bërë ndryshime të ligjshme, para datës 10.08.1991 dhe të sipërfaqeve, në dokumentin e pronësisë së të cilave është bërë shënimi “oborr në përdorim”. VKM Nr.1025, datë 09.07.2008 “Për procedurat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për të cilat zotërohen dokumenta të ligjshme pronësie, por që nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen”. Gjithashtu është në proces përfundimi, hartimi dhe miratimi i “Rregullores së Regjistrimit dhe Punës në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme”. Gjithashtu7, Kryeregjistruesi i Republikës së Shqipërisë ka miratuar disa akte me karakter përgjithësues, të cilat kanë disiplinuar punën në shumë elementë të saj.
* Drejtor i Drejtorisë Juridike dhe të Apelimit në ZQRPP
Reforma integrale riktheu ZRPP-në në normalitet
Arben Qirjako*
Modernizimi i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në kuadër të problemit më të gjerë të pronësisë, ka qenë një ndër objektivat themelore të qeverisë shqiptare që në krye të herës. Në përgjigje të këtij objektivi janë ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme për ta bërë këtë institucion më fleksibël, më të menaxhueshëm dhe më të hapur ndaj publikut. Në momentin e emërimit tim në këtë detyrë, rreth dy vite më parë, ishte imperative pregatitja dhe implementimi i një strategjie që do të ndalonte dekadencën e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për ta rikthyer atë në normalitet pune. Sfidat kanë qenë dhe vijojnë të jenë madhore në drejtim të parandalimit të regjistrimeve të paligjshme, rritjes së sigurisë së informacionit, shpejtësisë së përpunimit të informacionit, transparencës dhe hapjes ndaj publikut si dhe shërbimit cilësor ndaj klientëve, qofshin këta qytetarë privatë, biznese apo institucione publike.
Më lejoni të parashtroj shkurtimisht reformat dhe ndryshimet që janë kryer në këtë institucion, duke u bazuar në prioritetet e sipërpërmendura.
Parandalimi i regjistrimeve të paligjshme, fshirja e regjistrimeve të paligjshme të kryera më parë dhe krijimi i një regjistri unik të pasurive të paluajtshme, kanë qen alfta e punës sonë. Kryeregjistruesi ka propozuar akte nënligjore dhe ka nxjerrë me dhjetëra urdhëra dhe udhëzime për të normuar punën e ZRPP-së dhe për të minimizuar hapësirat ligjore, të cilat keqpërdoreshin për të kryer regjistrime që vinin në kundërshtim me ligjin. Me anë të këtyre akteve tashmë është bllokuar mundësia për të krijuar regjistrime të paligjshme pronësie dhe është hapur rruga për të fshirë regjistrimet e paligjshme. Ndryshimet e kryera në ligj dhe plotësimi i tij me udhëzime nga qeveria shqiptare i ka dhënë të drejtën ZQRPP-së të fshijë të gjitha mbivendosjet dhe rregjistrimet e paligjshme. Ky proces është në vijim e sipër dhe kemi hasur në interesin e madh të qytetarëve për të risjellë në ligjshmërinë e tyre regjistrimet e pasurive të paluajtshme në ZRPP.
Rritja e sigurisë së informacionit që ofron Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka një lidhje të pandashme me reformat e sipërpërmendura. Për të forcuar besueshmërinë e dokumentacionit që shërben ZRPP, ne në bazë të një vendimi jemi të detyruar, që për çdo kërkesë të qytetarit, të verifikojmë në origjinë pasurinë. Ky verifikim ose certifikon përfundimisht vlefshmërinë e regjistrimit të kryer ose nxjerr në pah problemet që kanë të bëjnë me një regjistrim të tillë, duke parandaluar përdorimin e mëtejshëm të këtij regjistrimi, deri në momentin e përplotësimit të detyrimeve ligjore për të pasur një pasuri të regjistruar në mënyrë të ligjshme. Kjo metodë ka mobilizuar jo vetëm punonjësit e ZRPP-së, por edhe klientët, të cilët po kryejnë procedurat e nevojshme për të garantuar përfundimisht ligjshmërinë e regjistrimit të pronës së tyre.
Rritja e sigurisë dhe e shpejtësisë së përpunimit të informacionit lidhet ngushtë me një proces të gjatë dhe të ndërlikuar nëpërmjet të cilit po kalon ZRPP-ja, që ka të bëjë me modernizimin e të gjithë sistemit. Në këtë kuadër, ne po implementojmë me asitencën e Bankës Botërore projektin LAMP (Land Administration and Management Project), i cili është i fokusuar në tri piketa kryesore, regjistrimin fillestar të pasurive për ato pasuri të paluajtshme të cilat nuk kanë kaluar regjistrimin fillestar (tashmë kemi filluar regjistrimin e 120 mijë pasurive të paluajtshme dhe janë në proces edhe 380 mijë pasuri të tjera), dixhitalizimin dhe përmirësimin e të dhënave të pasurive të paluajtshme (është në përfudnim e sipër në Zyrat Vendore të Durrësit dhe Tiranës) , dhe komjuterizimin e sistemit (projekti po realizohet me ekspertët e Lantmateriet të Suedisë dhe përfundon brenda tri vitesh), në mënyrë që operimi në ZRPP në një të ardhme të afërt të kryhet në mënyrë dixhitale. Kjo do të bëjë që veprimet mbi pronën të kryhen në mënyrë të shpejtë dhe të sigurt.
Transparenca dhe hapja ndaj publikut ishin objektivi parësor i ZQRPP dhe për realizimin e tij janë ndërmarrë që në krye të herë reforma të menjëhershme. Fillimisht u instalua aplikimi elektronik, i cili çoi në shmangien e rradhëve dhe në transperencën e veprimeve ndaj qytetarëve, pasi atij i jepet një fletë aplikimi, ku ka të shkruar ditën e aplikimit, dokumentacionin e dorëzuar dhe ditën e kthimit të përgjigjes. Në rast të mos plotësimit të këtyre kushteve nga ana e punonjësve të ZRPP-së, ne kemi mundësi verifikimi në mënyrë elektronike të të gjitha ankesave. Kjo ka bërë që të shmanget korruptimi i punonjësve për të marrë përgjigje të shpejtë, pasi punonjësit janë të detyruar të kthejnë përgjigje të afatin e përcaktuar. Gjithashtu, në këtë drejtim janë marrë edhe masa të tjera, si hapja e faqes zyrtare ku publikohen të gjitha të dhënat dhe vendimet e ZQRPP-së dhe qytetarët kanë mundësi të dërgojnë ankesat e tyre në mënyrë elektronike. Gjithashtu është vënë në dispozicion linja jeshile për të bërë denoncimet dhe të gjitha këto do të pasohen së shpejti me një fushatë për ndërgjegjësimin e publikut për punën e ZRPP-së dhe inkurajimin e tyre për të denoncuar çdo padrejtësi.
Përmirësimi i shërbimit ndaj qytetarëve dhe lufta ndaj korrupsionit nuk është konceptuar nga ana jonë si një fushatë me pritshmëri dhe arritje sporadike, por si një reformë integrale e të gjithë sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Reforma ligjore dhe ajo në drejtim të modernizimit të sistemit kanë pasur natyrshëm si pasojë përmirësimin e shërbimit ndaj klientëve - qofshin qytetarë, biznese apo institucione – kanë çuar në uljen e nivelit të korrupsionit dhe rritjes së besueshmërisë së institucionit në perceptimin e publikut. Ne nuk mund të pretendojmë se në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme shërbimi ndaj qytetarit është perfekt – mund te kete abuzime dhe korrupsion nga ana e punonjësve të caktuar – por një gjë mund ta themi me siguri: shtrati i reformave të ndërmarra ka krijuar terrenin që në një kohë të shkurtër kohore ZRPP të mos jetë më në axhendën e problemeve për qytetarëve.
*Kryeregjistruesi i Republikës së Shqipërisë
Cilësi dhe siguri me anë të modernizimit
Rezar Turdiu*
Projekti i Administrimit dhe Menaxhimit të Tokës është projekti më i rëndësishëm, që po implementohet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme me asistencën e Bankës Botërore. Ai ka për qëllim stabilizimin e regjimit të menaxhimit të tokës, sikurse dhe rritjen e sigurisë mbi titujt e pronësisë dhe përmirësimin e shërbimit në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, dy elemente të vlerësuar tepër thelbësore për funksionimin e tregut të pasurive në Shqipëri. Komponenti A, Sigurimi i Zotërimit dhe Regjistrimi i të Drejtës së Pasurisë se Paluajtshme me një kosto prej 19,42 milionë USD, financohet nga IDA, IBRD dhe SIDA. Ky komponent po zbatohet nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Qëllimi i realizimit të këtij komponenti është të përmirësojë shërbimin ndaj klientit, të rrisë efeciencën dhe transparencën e ZRPP, si dhe të përfundojë regjistrimin fillestar në shumicën e zonave urbane të qyteteve duke bërë të mundur regjistrimin e rreth 500,000 pasurive.
Përmirësimi i shërbimeve në ZRPP po realizohet me anë të modernizimit të sistemit nëpërmjet komjuterizimit të tij. ZRPP ka lidhur marrëveshjen me “Lantmäteriet” Suedi. Ky projekt po financohet nga SIDA në kuadër të një financimi të ndarë nga Projekti LAMP. Specialistet e “Lantmäteriet” po asistojnë ZRPP gjatë fazës fillestare në drejtim të përgatitjes së një plani veprimesh për Komponentin e IT. Puna paraprake ka filluar në muajin nëntor 2008 dhe po vazhdon intensivisht gjate janarit 2009. Projektimi i sistemit të kompjuterizuar të regjistrimit të pasurive është planifikuar të përfundojë brenda 6 muajsh, ndërsa implementimi i sistemit brenda tre vitesh.
Përfundimi i Regjistrimit Fillestar është ndër prioritetet kryesore të projektit. Synohet të përfundojë regjistrimi në rreth 500. 000 pasuri urbane në qytetet kryesore, përfshirë Tiranën, Durrësin, Shkodrën, Lezhën, Kavajën, Fierin, Lushnjën, Vlorën, Sarandën dhe Elbasanin. Gjatë këtij viti janë kryer 3 prokurime për regjistrimin fillestar me procedurën e tenderit të hapur kombëtar nga të cilët njëri ka përfunduar me sukses. Ne këtë kuadër është lidhur kontrata dhe është në zbatim regjistrimi fillestar për Zonën Kadastrale 8270 në Tirane që përfshin rreth 10,000 pasuri. Në vazhdim të kësaj pune është kryer tenderi ndërkombëtar për regjistrimin fillestar në 22 zona kadastrale, ku përfshihen rreth 120,000 pasuri. Buxheti i vlerësuar i kësaj kontrate është rreth 2.6 milionë USD. Në bashkëpunim me ALUIZNI është përgatitur një pakete e veçante ku përveç regjistrimit fillestar përfshihen dhe procedurat e legalizimit në dy Zona Kadastrale pilot.
Konvertimi dhe dixhitalizimi i të dhënave është një tjetër prioritet kryesor në kuadër të modernizimit të sistemit. Në kuadër të projektit LAMP, Kontrata për Konvertimin e te Dhënave te Regjistrimit Fillestar është lidhur me 18 Mars 2008. Qëllimi i kësaj kontrate është te konvertoje Kartelën dixhitale dhe Hartën Treguese dixhitale për te gjitha zonak kadastrale qe kane kaluar ne regjistrimin fillestar ne një format GIS format sipas Standardit te Shkëmbimit te te Dhënave; te përputhë te dhënat korresponduese te pasurive dhe te prodhoje Raportin e “te Dhënave dixhitale te Regjistrimit Fillestar” për çdo zone kadastrale. Produkti dixhital përfundimtar është dorëzuar nga kontraktori me 24 Korrik 2008. Skanimi i Arkives se Durrësit ka filluar me datë 26 Mars 2008. Deri ne fund te këtij viti është realizuar 80% e volumit të kontraktuar. Pritet qe deri ne përfundim te Kontratës me 31 Mars 2009 ky volum te realizohet plotësisht. Skanimi i Arkivës së Tiranës ka filluar me date 6.10.2008. Nr i imazheve të përfshira ne volumin e punës është 2.25 milion. Afati i përfundimit është 11 muaj.
Projekti LAMP përfshin në vetvete edhe një sërë objektivash të tjerë, të cilët janë në zhvillim e sipër.
Marrëdhëniet me publikun kanë hyrë në një fazë të re tashmë dhe një një kompani konsulente (Landell Mills & Registrars of Scotland) është përzgjedhur për te zbatuar fushatën e informimit publik që do të shoqëroje regjistrimin fillestar. Fushata është pregatitur dhe shumë shpejt do të fillojë zbatimi i saj.
Gjithashtu, ka përfunduar Kontrata për Vlerësimin e Nevojave te Trajnimit te ZRPP dhe është dorëzuar raporti përfundimtar, strategjia e trajnimeve dhe plan i trajnimeve për te gjitha nivelet e stafit te ZRPP. Është ngritur salla e trajnimeve te ZRPP e pajisur me kompjuterë sistem konference dhe përkthimi.
Transformimi i ZRPP në një agjenci autonome me vetë-financim është ndër projektet me të cilin po punohet. Është hartuar Plani i Biznesit i ZRPP dhe janë përgatitur rekomandimet për ndryshimet legjislative për zbatimin e këtij plani biznesi dhe transformimin e ZRPP ne një agjenci autonome me vetë-financim. Ministria e Drejtësisë ka dhënë aprovimin e saj për autonominë financiare të propozuar në Planin e Biznesit.
* Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit
dhe Monitorimit të Projekteve në ZQRPP
Sistemi i komjuterizuar garanton shpejtësi dhe siguri
Olaf Martenson*
Lantmateriet në bazë të marrëveshjes së lidhur me ZQRPP-në ka sjellë në Shqipëri një ekip punonjësish, të cilët në bashkëpunim me specialistët e ZQRPP-së do të asitojnë implementimin e projeksist të komjuterizimit të sistemit të regjistrimit të pasurive në Shqipëri. Sistemi do të ndërtohet me burime të brendshme të ZRPP-së bazuar në eksperiencën e Suedisë në këtë fushë. Projekti financohet nga një marrëveshje e lidhur me SIDA-n, në mënyrë që të përmbyllen të gjitha kërkimet e nevojshme që duhen për të ndërtuar dhe elaboruar sistemin. ZQRPP do të ketë rolin më të rëndësishëm pasi do të angazhojë të gjitha burimet e veta për të pasur realizim të suksesshëm të projektit.
Për të hyrë në terma më konkretë, Projekti parashikohet të zgjasë për tre vjet dhe është i ndarë parimisht në katër faza kryesore.
Faza e parë synohet të mbarohet para verës së këtij viti dhe është faza fillestare ku ekipi i Lantmateriet dhe ai i ZQRPP-së do të bashkërendojnë punën dhe vendim-marrjen. Në përfundim të kësaj faze do të kemi një panoramë të qartë të asaj se çfarë kërkojmë të bëjmë, çfarë shërbimi na duhet, si duhet ndërtuar sistemi, çfarë burimesh na duhen dhe si duhet t’i përdorim ato për ta ndërtuar sistemin? Pasi të kemi krijuar këtë panoramë të plotë do të kalohet në fazën e dytë, ku përgjegjësia kryesore është e ZQRPP-së.
Në fazën e dytë do të dizenjohet konstrukti i sistemit dhe do të shihet përshtatshmëria e tij, problemet që mund të shfaqen dhe modifikimet e nevojshme për të qenë një sistem i sigurt. Faza e tretë ka të bëjë me ndërtimin e konstruktit të sistemit, testimin e tij dhe përshtatshmërinë me sistemin shqiptar të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Faza e katërt dhe e fundit e punës ka të bëjë me vënein në punë të sistemit që tashmë do të jetë ndërtuar. Sistemi synohet të vihet në punë fillimisht në 10 zyrat kryesore të vendit. Në këtë fazë do të sigurohemi që sistemi të jetë funksional dhe të eleminojmë problemet e mundshme që mund të dalin.
Natyrshëm lind pyetja nëse në fund të kësaj pune sistemi i komjuterizuar i regjistrimit të pasurive në Shqipëri do të jetë si ai në Suedi? Çdo sistem ka specifikat dhe dallimet e veta bazuar në terrenet e ndryshme. Ne nuk do të bëjmë një sistem identik me atë suedez, por do t’ia përshtasim atë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Shqipëri.
Sistemi që ne përdorim në Suedi është shumë i thjeshtë dhe ka ardhur nëpërmjet një përvoje të gjatë pune. Ne e përpunojmë të gjithë informacionin në mënyrë dixhitale dhe kjo ka bazë ligjore. Ajo çka është më e rëndësishme është se njerëzit kanë besim tek siguria e këtij informacioni që ne administrojmë. Kontrolli i të dhënave të pasurisë është shumë i thjeshtë pasi burimi i të dhënave është dixhital. Në Shqipëri, në ndryshim nga atje duhen shumë dokumenta për të provuar informacionin mbi pasurinë. Kompjuterizimi i sistemit nuk është elementi i fundëm i modernizimit të sistemit, ka edhe një sërë hapash të tjerë. P.sh, në fund të këtij projekti do të kemi sistem të komjuterizuar, por duhet që të dhënat e pasurisë të jenë të gjitha dixhitale, pra konstrukti duhet mbushur që të jetë funksional. Që të dhënat e dixhitalizuara të përdoren në mënyrë efektive dhe të sigurt ka nevojë për bazë ligjore. Përpos kësaj duhen kaluar të gjitha pasuritë në regjistrim fillestar dhe ky informacion të dixhitalizohet dhe të bëhet funksional. Puna e parë është të sigurosh informacionin, ai të jetë i sigurt dhe i besueshëm dhe me anë të sistemit të komjuterizuar operimi me të të jetë, i thjeshtë, i shpjetë dhe i sigurt.
*Drejtuesi i ekipit të Lantmateriet