E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda, sheiku Kadi dhe qeveria



Sot është 11 shtator dhe bota në kujtesë të vitit 2001, mbush plot shtatë vjet nga akti i tmerrshëm terrorist i kullave binjake në SHBA, ku humbën jetën mijëra vetë duke shënuar nisjen e luftës së re globale. Në pak kohë shërbimet e specializuara të Amerikës, FBI, CIA etj. në hetimet intensive, listuan një numër të madh emrash në shumë shtete që u përfshinë në akuzën amerikane si financues të terrorizmit. Në këtë listë bënte pjesë dhe sheiku arab Yasin Al-Qadi i njohur dhe si: a) Shaykh Yassin Abdullah Kadi, b) Yasin Kahdi, c) Yassin Kadi, ç) Kadi Jassin, d) Yassin Abdullah Kadi, Abdyl Latif Saleh, disa fondacione, të cilët kishin investime miliona dollarëshe në Shqipëri. Në përmbushje të detyrimeve ndërkombëtare, pjesëmarrjes së Shqipërisë në misionet e paqes në Irak, Afganistan, në luftën kundër terrorizmit qeveria shqiptare mori vendim që të sekuestrohen pasuritë e të dyshuarve, emrave të kësaj liste të zezë. Dhe ndodhi kështu, u bë një ngrirje, sekuestro konservative dhe mbi këto asete dhe llogari financiare, kishte të drejtë shteti të vepronte, askush tjetër.

Por a ndodhi realisht kështu?

Dhe në të vërtetë, në Shqipëri ishin shumë para, më tepër nga sa mendohej mbase. Kompleksi “Karavan”, një e pesta e investimit të dy kullave “binjake” në qendër të Tiranës përballë Kryeministrisë, llogari bankare te Banka e Bashkuar e Shqipërisë dhe në disa banka të tjera. Vendosja e sekuestros lindte detyrimin që askush të mos kryente shërbime dhe veprime me këto pasuri, që do të menaxhoheshin ligjërisht nga Agjencia e Menaxhimit të Pronave të Sekuestruara të Terrorizmit dhe Krimit. Në një nga urdhrat e Ministrit të Financave të asaj kohe, Arben Malaj, thuhet që “të kryhet sekuestrimi ose bllokimi i llogarive, investimeve, shoqërive tregtare a personave juridikë të tjerë dhe pasurive të tjera ekzistuese, pavarësisht nga pronësia aktuale në rast se subjekti, nën ndonjërin nga emrat e identifikuar, ka qenë pronari i tyre, duke filluar nga data 17.10.2001”.

Në disa llogari bankare Hamza Abu Rayan i emëruar administrator, është bashkëfirmosës me Yassin Kadi dhe Abdyl Latif Saleh. Në një tjetër bankë, këtu flitet për vitet 2005, me 25 nëntor kur janë marrë vendimet e qeverisë shqiptare, nga Ministria e Financave thuhet se “llogaritë bankare të biznesit së bashku me Jasin Kadi, ku Abdul Latif Saleh ka 10 për qind të kapitalit si bashkëpronar dhe si administrator është Hamza Abu Rayan”. Ndërsa në Bankën e Bashkuar të Shqipërisë llogaria individuale e Abdul Latif Saleh e përbashkët me përfaqësuesin e tij, shtetasin arab, Hamza Abu Rayan. Këto vendime kërkonin sekuestrimin e pasurive dhe pronave për personat në bazë të ligjit 9258 të 15 korrikut 2004 “Për masat kundër financimit të terrorizmit” për ratifikimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara shtuar me vendimi të Këshillit të Ministrave më 26 tetor 2005, për “listën e personave të shpallur si financues të terrorizmit”. Dhe kështu janë vendosur sekuestrot dhe po në këto vendime qeverisë shqiptare është kërkuar edhe një tjetër detaj. “Për shkak se mund të jenë kryer lëvizje të llogarive bankare, të investimeve dhe të pasurive të ngrira ose sekuestruara të subjektit dhe për arsye se mund të mos jenë identifikuar të gjitha llogaritë, investimet, shoqëritë tregtare apo persona juridikë të tjerë dhe pasuritë e tjera, kërkohet nga të gjitha institucionet në Shqipëri, degët ose filialet e tyre vendase ose të huaja që të kontrollojnë regjistrat e tyre dhe të identifikojnë, sekuestrojnë bllokojnë dhe raportojnë llogaritë, investimet, kompanitë dhe pasuritë në emër të tij dhe ose të subjektit duke filluar nga data 16 09 2005”.

Realisht nuk është se ka ndodhur tërësisht kështu. Këto asete dhe llogari bankare kanë shërbyer, janë vënë në veprim, prodhojnë para dhe vendimi i Këshillit të Ministrave është shkelur. Dhe ka institucione, ministri, drejtori, që janë përgjegjës dhe që kanë kontrollorë. Përfaqësuesi Abu Rayan me llogari e pasuri të përbashkëta me Jasin Kadi dhe Abdyl Latif Saleh kërkon që të zhbllokohen pasuritë, pasi sipas tij, gjykata evropiane e paska liruar sheikun nga akuzat. Saktësisht, ajo që artikulon Rayan nuk është vetëm se një lajm i agjencisë “Arab News” që citon se sheikut duhet t’i jepet e drejta e fjalës për t’u mbrojtur në gjykatat evropiane. Por në listën e shpallur nga OKB-ja sheiku ndodhet dhe bashkë me të jordanezi Saleh dhe disa fondacione që janë përzënë nga Shqipëria dhe u janë sekuestruar pasuritë. Kjo është forma e dyshimtë e reagimit në prag të një procesi gjyqësor, kur Krimet e Rënda do të shprehen për këtë çështje. Tatimet duhet të kishin ushtruar kontroll, dhe kjo pasuri, këto asete mos harrojmë janë miliona euro, nuk janë pa vëmendje dhe interesa, që jo ligjërisht tentohet të ndryshohet adresë, por që zyrtarisht duhet të ishin menaxhuar vetëm nga një agjenci shtetërore e ngritur për këtë punë dhe që ka një mbështetje të qeverisë së SHBA-së në mënyrë të dukshme. Por Ryan i kërkon shtetit shqiptar që brenda tre muajsh t’i kthejë pasuritë e sekuesturara. Në fakt, para ca ditësh, ai deklaron në shtyp se ka administruar dhe vazhdon të administrojë pasuritë e Yassin Kadi, që është pikërisht e njëjta gjë për të cilën akuzohet. Çfarë do të thotë kjo? Largqoftë ta quajmë karshillëk ndaj shtetit, por s’po më vjen ndërmend ndonjë emërtesë që i shkon për shtat. Muaj më parë kemi parë në media përfaqësuesin arab Rajan të bëjë presion ndaj agjencisë shtetërore të ngritur për këtë qëllim që kishte shkuar të merrte në administrim pasuritë e sekuestruara. Meqë ligji nuk e mbështet, vështirë të besosh se ky presion verbal ka mbështetje! E kjo dëshirë e rikthimit të pronës, e quajtur ligjore, e arabit ortak i dikurshëm në llogari bashkëfirmosëse me Kadi dhe Saleh, duket se është më mirë të marrë përgjigje nga gjykata. Interesi ligjor nuk duhet vënë në dyshim nga mundësi të tjera të cilat nuk janë të ngjashme e që nuk kalojnë nëpër të njëjtën procedurë. Ky nxitim është më së tepërmi një presion ndaj Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila në bazë të dosjes do të marrë një vendim, e nuk mund të kushtëzohet nga asnjë formë që nuk është ligjore. Edhe nëse interesat e dukshme e të padukshme financiare kapin segmente të pushtetit, kjo nuk duhet lënë mënjanë, pasi është një kosto politike e madhe për vendin që është tashmë anëtar i NATO-s dhe pret anëtarësimin në BE...

Në ligjin për terrorizmin thuhet se "sekuestrim" është ndalimi i çdo transaksioni ose pjesëmarrjeje në transferimin, shndërrimin, tjetërsimin ose lëvizjen e fondeve dhe të pasurive të tjera, sipas kushteve dhe kohëzgjatjes së vlefshmërisë të veprimeve të ndërmarra nga organet përkatëse, në përputhje me këtë ligj. Fondet ose pasuritë e sekuestruara mbeten në pronësi të personave, që kanë të drejtë pronësie mbi to në çastin e vendosjes së masës të sekuestrimit. Pas vendosjes së masës të sekuestrimit, organet përgjegjëse ushtrojnë të gjitha të drejtat e kontrollit mbi fondet dhe pasuritë e tjera të sekuestruara, përfshirë posedimin, administrimin dhe veprime të tjera, që i çmojnë të nevojshme. Në këtë rast, ky person është shteti. Mirë është të ndihet që gjendet i pranishëm, Krimet e Rënda, institucioni i drejtësisë më serioz prej 20 vitesh, janë njëra mundësi, por jo e vetmja. Kjo ka një kosto, ku vendet evropiane që kanë ratifikuar marrëveshjen me Shqipërinë në pritje të kandidimit potencial të saj, anëtarësimi i plotë në aleancën antiterrorizëm, ose ndryshe NATO, nuk mund të jenë reforma indiferente ndaj drejtësisë që përballjen e ka të vështirë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›