E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koçi: Koalicioni i Metës me Berishën i detyruar, Rama solli Berishën në pushtet

Kreu i PSV91 ka vlerësuar vendimin e LSI për koalicion e ri qeverisës me Berishën, si të një vendim që përputhet me rrethanat e krijuara pas rezultatit të zgjedhjeve. Ai e vlerësoi lëvizje të detyrueshme, dhe më e mundshme përballë PD-PS. Kreu i PSV  91 e konsideroi këtë koalicion më të mirë sesa koalicioni i PD me deputetë të blerë, duke shtuar faktin se një vendim i marrë në mënyrë institucionale është më i mirë se një projekt tjetër. Zgjedhja e LSI ka qenë e vështirë, por është një lëvizje e detyruar por jo e parapërgatitur dhe e lehtë. Ka ikur koha e përcaktimit të këtyre vendimeve si tradhtira, e majta duhet të jetë e mençur të përcaktojë përgjegjësitë e këtij rezultati humbës. Nuk është e udhës të përdorim metodat e Enver Hoxhës. Nuk ka alibi që të mbulohen përgjegjësitë e lidershipit socialist me atë çfarë ka ndodhur lidhur me LSI, është shprehur Koçi, duke theksuar se pakti mes Metës dhe Ramës nuk do të sillte ndonjë qeverisje. Kreu i PSV 91 ndër të tjera ka shtuar se pakti Meta- Berisha duhet mirëkuptuar, dhe duhet parë përpara për përcaktimin e përgjegjësive të të gjithë këtij procesi, që sipas tij çoi të majtët në këtë situatë. Po ashtu, Koçi nënvizoi se nuk duhet konsideruar si armiqësore, sepse sipas tij e ardhmja e të majtës mund të jetë në rrugën e gjithpërfshirjes. Në këtë drejtim ai veçoi faktin se sistemi i përjashtimit mori ndëshkim. Të mos harrojmë se një nga gabimet ka qenë dhe përjashtimi i Fatos Nanos. Duke qenë personalisht kontribuuesi kryesor i përfshirjes së Ramës në politikë, ai meritonte një përfillje etike, thjesht duke e propozuar në një listë deputetësh, vijoi ai. Kreu i PSV 91, deklaroi se njerëzit vendosën ti thoshin jo këtij projektimi, që sipas tij menduan se Rama ndaj Berishës nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Sipas tij, PS u kthye në një fotokopje të PD dhe nuk kishte asnjë arsye për të votuar Ramën si motiv ndryshe. Lufta për pushtet e PS, ishte kthyer në një fotokopje të PD, ajo ka qenë modeli i një parti që lufton për pushtet jo për demokraci, veçoi Koçi duke shtuar se PS nuk ka ndjekur të njëjtën situatë. Përsa i përket rezultateve, kreu i PSV 91 u shpreh i zhgënjyer me to, kur mendon se shumica e shqiptarëve votuan Ramën dhe Berishën, ku shtoi keqardhjen për qindra intelektualë që kanë firmosur kërkesën për referendum për ndryshimin e kushtetutës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›