Braktiset pas 1 jave greva e urisë
GJIROKASTER
Braktiset pas 1 jave greva e urisë së banorëve në qytetin e Gjirokastrës. Të pastrehët që prej 9 nëntorit, kur u shemb pallati ku ata jetonin, kanë arritur një marrëveshje me pushtetarët vendorë. Negociatat e vazhdueshme të pushtetarëve lokalë me grevistët nga njëra anë dhe ndërtuesit nga ana tjetër kanë sjellë si rrjedhim, mbylljen e kësaj greve. Të dhjetë kryefamiljarët, të cilët shfaqën gjatë qëndrimit në ngujim probleme të shumta shëndetësore, kanë dalë për protestë, por nuk u rikthyen më në gërmadhat e pallatit të shembur. Gjatë mëngjesit të djeshëm, ashtu siç e patën paralajmëruar, ata dolën nga rrënojat për të protestuar para godinës së bashkisë dhe prefekturës mbi mungesën e një zgjidhjeje për kërkesat e tyre. Por janë takuar me drejtuesit vendorë në Gjirokastër, duke filluar nga prefekti i qarkut Spiro Ksera, kryetari i Këshillit të Qarkut Arben Çulli dhe kryetari i Bashkisë, Flamur Bime. Ata kanë kontaktuar me banorët, duke u deklaruar se problemi i tyre tashmë ka marrë zgjidhje. Sipas tyre, Bashkia, Prefektura dhe Këshilli i Qarkut kanë marrë kontakte me 15 operatorët e ndërtimit, që veprojnë në tregun e banesave në Gjirokastër, duke arritur marrëveshjen se të gjitha familjet do të marrin apartamente me sipërfaqen që kanë pasur, me të njëjtin çmim, që ka aprovuar Këshilli i Ministrave. Kështu në bazë të këtij konsensusi mendohet se me dëmshpërblimin e dhënë pak ditë më parë nga qeveria: 2.9 milionë lekë për familjet që kishin apartamente 2+1 dhe 3.6 milionë për apartamentet 3+1, shumë shpejt të 14 familjet e mbetura të pastreha qysh prej 1 muaji e gjysmë do të mund të kenë shtëpitë e tyre në qytetin e Gjirokastrës.
Menjëherë pas takimit me drejtuesit e pushtetit vendor, grevistët e urisë dhe familjarët e tyre i janë drejtuar bashkisë së qytetit, ku kanë zhvilluar protestën e lajmëruar prej disa ditësh. Gjatë protestës ata kanë deklaruar edhe vendimin për daljen nga greva e urisë, por nëse deri në ditët e para të janarit problemi i tyre nuk do të ketë marrë zgjidhje do të hyjnë sërish në grevë.