Bramertz: “Gjykata e Hagës deri në vitin 2012”
Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ka nevojë për më shumë kohë dhe më shumë fonde që të përmbyllë rastet që aktualisht gjenden në Gjykatë. Kështu u shpreh kryeprokurori i Gjykatës, Serzh Bramertz. Sipas tij, Gjykata e Hagës ka nevojë edhe për dy vjet kohë shtesë, deri në 2012-n, si dhe për 15 milionë dollarë të tjera për vitin 2009. Kërkesat iu paraqitën Këshillit të Sigurimit.
Gjatë një konference shtypi në Hagë, Bramertz tha se Gjykata aktualisht po gjykon 26 të dyshuar për krime lufte në shtatë gjykime. “Është e rëndësishme të kuptohet realiteti i afateve të reja kohore. Është përgjegjësi e bashkësisë ndërkombëtare të mundësojë zbatimin e mandatit tonë”, - tha kryeprokurori i Hagës.
Guvernatori Blagojeviç, arkëtar i mafias në vitet ‘80
Sipas informacioneve të FBI-së, guvernatori i shtetit Illinois, me prejardhje serbe, Rod Blagojeviç, ka qenë i lidhur ngushtë edhe me mafian italiane të Çikagos. Avokati dhe ish-polici Robert Kolej dëshmoi se në vitet ’80, kur punonte si agjent sekret për FBI-në, Blagojeviç ishte arkëtar në lagjen North Said të Çikagos dhe merrej me llogaritë për larjen e parave për mafian. Në një intervistë, Kolej u shpreh: “Unë e kam përcjellë Milloradin, guvernatorin e Illinoisit, i cili udhëhiqte një rrjet të rrezikshëm që merrej me operacionin e kumarit në periferitë perëndimore të qytetit. Ai i paguante haraç mafias për të mbajtur aktivitetin e tij”. Kolej, dëshmia e të cilit solli 24 akuza për korrupsion kundër Blagojeviçit, u shpreh se i kishte informuar autoritetet federale rreth operacioneve kriminale të Blagojeviçit gati para 20 viteve. “Njohuritë e mia rreth aktiviteteve të Blagojeviçit tregojnë qartë se ai ka pasur gjithmonë tendenca të shesë çdo pozitë pushteti në shtetin Illinois. Dhe pikërisht tani kjo ka ndodhur”, - përfundon Kolej.
SHBA
Obama do të mbyllë Guantanamon brenda 2 viteve
Presidenti i zgjedhur amerikan, Barak Obama, bëri të ditur se brenda dy viteve të para të administratës së tij do të mbyllë burgun amerikan të Guantanamos. Në një intervistë, Obama tha se shpresonte që të rivendoste balancën mes çështjeve të sigurisë dhe Kushtetutës Amerikane. Por, kritikët e këtij vendimi thonë se mbyllja e këtij burgu nuk do të jetë e lehtë. Janë rreth 250 veta që ende mbahen atje dhe disa prej tyre kanë shprehur shqetësim se do të persekutohen nëse kthehen në vendet e tyre prej nga vijnë.
IRAK
Gazetari që sulmoi Bushin kërkon të falet
Zyra e kryeministrit irakian njoftoi se gazetari që gjuajti me këpucë Presidentin Xhorxh Bush i ka kërkuar falje kryeministrit Nuri Al Maliki për gjestin e turpshëm. Muntazer al-Zaidi u bë i njohur pasi sulmoi me të dyja këpucët Presidentin Bush gjatë një konference për shtyp në Bagdad. Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Bush nuk është mërzitur dhe u mbetet autoriteteve të Irakut të vendosin se çfarë dënimi i takon Al Zaidit.
RUANDË
Dënohet me burgim të përjetshëm ish-shefi i gjenocidit
Gjykata Ndërkombëtare e Krimit për Ruandën e ka dënuar me burgim të përjetshëm Theoneste Bagasoran, ish-zyrtar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes të Ruandës për përfshirje në gjenocidin e vitit 1994. Bagasora akuzohej se kishte drejtuar gjenocidin në Ruandë dhe kishte bashkëpunuar me të akuzuarit e tjerë në planin për të zhdukur pjesëtarët e minoritetit Tutsi si dhe të Hutuve të moderuar. 800 mijë Tutsi dhe Hutu të moderuar u vranë për 100 ditë në vitin 1994.
19 Dhjetor 2008