E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali në Kosovë, ndërkombëtarët vodhën 400 milionë euro

Lajmi u bë publik nga “Die Welt”, raporti i përpiluar nga BE-ja dhe OKB-ja. 400 milionë eurot ishin dedikuar për sektorin e energjetikës në Kosovë

Blerina Olldashi

Ndërkombëtarët kanë vjedhur 400 milionë euro të dedikuara për sektorin e energjetikës në Kosovë. Skandali financiar u bë publik nga e përditshmja gjermane “Die Welt”. Në një artikull të gjatë, gazeta i referohet një raporti të fshehtë të përpiluar nga dy grupe të pavarura hetimore të Bashkimit Europian dhe Kombeve të Bashkuara, të cilat kanë arritur në përfundimin se në Kosovë korrupsioni dhe mashtrimi përmes tenderave janë të përditshme. Raporti konstaton se paratë e tatimpaguesve europianë janë vjedhur, sidomos nga ndërkombëtarët. Nga këto shkelje dyshohet se janë vjedhur më shumë se 400 milionë euro të dedikuara për sektorin e energjetikës. “Një grup i përbashkët hetimor nga Autoriteti i BE-së kundër Korrupsionit dhe Mashtrimit, i përbërë edhe nga hetues të Kombeve të Bashkuara dhe Policia Financiare e Italisë, ka hulumtuar 50 raste të dyshuara për korrupsion dhe mashtrim parash. Në dymbëdhjetë raste është dëshmuar veprimtari kriminale”, - thuhet në raportin e fshehtë të këtij grupi hetimor, raport që i ka rënë në dorë gazetës gjermane “Die Welt”. Në 27 raste janë konstatuar parregullsi të procedurave dhe shkelje të rregullave të Kombeve të Bashkuara. Rreth 2,3 miliardë euro të tatimpaguesve europianë janë derdhur në rindërtimin e Kosovës që nga viti 1999. Kjo do të thotë se BE-ja në Kosovë ka investuar më shumë para se në çdo vend tjetër jashtë Bashkimit Europian. Deri në vitin 2011, BE-ja do të derdhë në Kosovë edhe një miliard euro të tjera. Dy raporte të pavarura, një i Bashkimit Europian dhe tjetri i Kombeve të Bashkuara, paralajmërojnë se korrupsioni dhe mashtrimi në Kosovë janë të përditshme. Sipas këtyre raporteve, një pjesë e madhe e parave ka mbetur ende e errët. “Kombet e Bashkuara kanë lejuar korrupsionin dhe mashtrimin. Miliona pa numër të tatimpaguesve nga vende të Bashkimit Europian janë vjedhur pa lënë gjurmë, kurse fajtorët shëtisin të lirë”, - citon “Die Welt” zëdhënësen e Komisionit për Kontrollin e Buxhetit të Parlamentit Europian, Ingri Gresli. Që nga viti 1999, në Kosovë është vendosur administrata e OKB-së, UNMIK. Janë pikërisht këto vitet kur janë keqpërdorur paratë, të cilat nuk dihet ende ku kanë shkuar. Nga raportet e lartpërmendura theksohet se janë vjedhur sidomos paratë e BE-së të destinuara për fushën e prodhimit të energjisë në Kosovë. Janë vjedhur të paktën 400 milionë euro, që nga viti 1999. Sipas raportit, keqpërdorim dhe vjedhje janë bërë edhe me rastin e rindërtimit dhe investimeve në Aeroportin e Prishtinës.

Ban Ki Mun: “Kosova, një sukses ‘i heshtur’ i OKB-së”

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, e ka cilësuar Kosovën një sukses të diplomacisë së heshtur të Kombeve të Bashkuara. Kreu i OKB-së, ndërsa foli për vatrat aktuale të krizës në botë dhe rolin e organizatës botërore, përmendi edhe Kosovën. “Ne kemi menaxhuar situatën potencialisht shpërthyese në Kosovë përmes një diplomacie të heshtur”, - tha diplomati Ban Ki Mun para gazetarëve të akredituar në Kombet e Bashkuara. Ai reflektoi edhe për rikonfigurimin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë, ndërsa për të kënaqur të gjitha palët përmendi sërish rezolutat ende në fuqi. “EULEX-i tashmë është vendosur pa ndonjë incident dhe unë kam besim se ne mund të vazhdojmë më tej në rikonfigurimin e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK-ut) përmes një bashkëpunimi të plotë me të gjitha palët dhe në përputhje me rezolutat relevante të Këshillit të Sigurimit”, - tha sekretari i Përgjithshëm.

19 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›