Branica: Kastrioti gjithnjë ka qenë i vështirë për tu mundur
Zv/trajneri i Flamurtarit shprehet se ekipi është i obliguar të fitojë, pasi rikthehet të luajnë në fushën e tij dhe përballë tifozëve
Zv/trajneri i Flamurtarit, Sokol Branica, drejtoi ekipin në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë në Bilisht dhe pas fitores në mesjavë, vlonjatët tashmë quhen pa dyshim në turin tjetër. Por për zv/trajnerin e Flamurtarit, që edhe herë të tjera ka marrë një detyrë të tillë, ndeshja e kupës pati mundësinë që të vinte në pah edhe shumë futbollistë të cilët janë aktivizuar vetëm pak minuta në kampionat.
Sipas tij, vëmendja e të gjithëve është te kampionati në këto momente, pikërisht te ndeshja përballë Kastriotit. Ne vepruam në një mënyrë që asnjë futbollist të mos qëndronte pa stërvitje, ku një pjesë e tyre luajtën për kupë dhe një pjesë tjetër u stërvitën nën drejtimin e trajnerit Lutaj në Vlorë.
Pra, të gjithë futbollistët patën mundësi të jenë në përgatitje dhe të mendojnë për ndeshjen e ditës së diel. Edhe ata lojtarë që luajtën në kupë, natyrisht që mendjen e kanë te kampionati dhe mendoj se të gjithë presin shansin e tyre për tu aktivizua. Ndeshja për kupë ishte e lehtë, por për kampionat gjithçka ndryshon, ka theksuar Branica.
Kundërshtari Kastrioti përherë ka qenë një kundërshtar i vështirë, ndërsa këtë sezon është pa dyshim përforcuar, por fakti që jemi kthyer të luajmë në Vlorë, na e shton motivimin për të arritur fitoren. Pra, tashmë jemi më shumë të obliguar për të marrë tri pikët dhe jo vetëm kaq, por edhe të luajmë për sportdashësit tanë të zjarrtë, të cilët në asnjë ndeshje nuk na kanë qëndruar larg, duke na mbështetur në çdo takim.
Edhe ndaj Kastriotit presim që numri i tyre në shkallët e stadiumit të jetë i lartë dhe natyrisht përkrahja e tyre, që me thënë të drejtën na duhet në këto momente, do të na japë më shumë krahë drejt arritjes së fitores. Krutanët kanë një ekip cilësor, ne i vlerësojmë, por nuk mund të tolerojmë aspak në fushën tonë. Flamurtari futet me të vetmin objektiv për këtë ndeshje, tri pikët.
Kjo është vetëm java e tretë dhe çdo kundërshtar nuk ka kristalizuar objektivat e veta, por mendoj se tashmë duhet nisur dhe të mendohet seriozisht, ndaj nuk mund të lëmë më pikë, mbi të gjitha kur luajmë në fushën tonë. Jam i bindur se Flamurtari do ta arrijë objektivin, pra fitoren. Kemi një motiv ndoshta më shumë se kundërshtari për këtë takim, rikthimi që luajmë në fushën tonë, - përfundon zv/trajneri i ekipit vlonjat, Sokol Branica.
Brkiç titullar, apo do ta nisë nga stoli?
Sulmuesi serb i Flamurtarit, Brkiç, është i gatshëm për ndeshjen ndaj Kastriotit. Futbollisti që tashmë pritet të mbajë në fanellë numrin19, vijon normalisht stërvitjen me ekipin vlonjat, por pavarësisht gatishmërisë që duket se ka treguar vetë futbollisti, ka ende dilema për aktvizimin e tij nga minuta e parë.
Trajnerët e ekipit vlonjat kanë saktësuar se sulmuesi serb do të ketë mundësinë që të aktivizohet për Flamurtarin në ndeshjen ndaj Kastriotit, por do të vendoset deri ditën e ndeshjes nëse Brkiç do ta nisë nga minuta e parë apo nga stoli. Brkiç është treguar i qetë në stërvitje dhe dilema nëse do të aktivizohet nga minuta e parë apo jo, lidhet me gjendjen e tij, pasi duket se për një kohë të caktuar futbollisti ka qëndruar pa stërvitje në vendin e tij.
Asnjë mungesë në kampin e Flamurtarit
Flamurtari do të jetë i plotë për ndeshjen përballë Kastriotit. Nuk ka asnjë futbollist të dëmtuar apo të ndëshkuar me kartonë të verdhë dhe të kuq, pavarësisht se deri tani në vetëm dy javë kampionat janë plot katër kartonët e verdhë për vlonjatët. Diçka e tillë ka qenë edhe objekt bisede në klubin vlonjat pak ditë më parë, ndërkohë që kryesore për stafin teknik të Flamurtarit mbetet fakti se shkojnë të plotë në këtë përballje.
Natyrisht, do të ketë futbollistë të cilët kërkojnë më shumë minuta aktivizim, por Lutaj ka sqaruar se ende nuk i ka përcaktuar futbollistët që do të jenë të gatshëm për ndeshjen, po kështu edhe formacionin titullar, pasi ka ende disa dyshime. Ndaj për gjithçka do të vendoset vetëm një ditë para ndeshjes.
Ndeshja në shtëpi, tifozët nxitojnë për bileta
Flamurtari rikthehet të luajë në Vlorë. Nuk kishte ndodhur në këtë sezon futbollistik që vlonjatët të luanin përballë sportdashësve të tyre, ndërsa tashmë diçka e tillë bëhet realitet. Lajmi i përhapur me shpejtësi ka sjellë edhe reagimin e tifozëve të Flamurtarit, ndërsa prej paradites së ditës së enjte kanë nisur interesimet e para për një biletë në ndeshjen përballë Kastriotit.
Një pjesë e mirë e sportdashësve të Flamurtarit nuk arritën ta shihnin nga afër Flamurtarin në këtë kampionat në ndeshjen hapëse dhe natyrisht interesimi për ndeshjen e parë në këtë sezon në stadiumin e vet është i madh.
