Gvozdenoviç: Edhe Interi, Milani, Reali apo Barça gabuan, por janë pretendentë
Mbrojtësi serb i krahut të majtë për korçarët thotë se është e vështirë të parashikosh, por ka ardhur koha e fitores
Dy ndeshje deri tani dhe vetëm dy pikë për Skënderbeun e trajnerit Duro. Por pavarësisht kësaj, këtë javë duket se është kthyer besimi te futbollistët dhe stafi teknik, që skuadra ka për tu kthyer si më parë, sërish në majën e superligës. Në fakt, të gjithë kuqebardhët thuajse i kanë harruar dy javët e para dhe i quajnë si javët e ferrit, të cilat kanë marrë fund.
Pas provës përgatitore që Skënderbeu kreu ndaj Tërbunit në Pukë, lojtarët kuqebardhë e kanë kthyer vëmendjen nga ndeshja e së shtunës, ku në orën 18:00 do të presin në shtëpi Shkumbinin, ekip që vlen as më pak dhe as më shumë, por vetëm tri pikë. Përpara stërvitjes së djeshme në Korçë, ka qenë Ivan Gvozdenoviç që ka dalë përpara gazetarëve, ndërkohë që serbi tashmë duket se ka ardhur në formën e duhur, atë që priste edhe Duro.
Në javën e parë ndaj Tomorit, Gvozdenoviç luajti vetëm 45 minuta, ndërkohë që ndaj bluve luajti 90 minuta dhe tashmë vendi i tij në formacion duket i sigurt. Për Ivanin, këto dy javë të para dhe dy pikë janë thjesht një e kaluar dhe të tilla rezultate po shënojnë në këto javë të para edhe ekipet e mëdha.
Krahasimi Mos harroni, edhe Interi, Milani, apo edhe Barcelona dhe Reali, në javët e para kanë zhgënjyer, por përsëri ato mbeten ekipe pretendente. Edhe me ne ka ndodhur e njëjta gjë. Kemi barazuar në dy ndeshjet e startit dhe pa diskutim që janë pak për një skuadër me pretendime kaq të mëdha, siç është Skënderbeu.
Në futboll asnjëherë nuk ka garanci dhe asnjëherë nuk mund të parashikosh përpara një ndeshjeje futbolli. Ndaj Tomorit nuk na desh fati, ndërsa ndaj Dinamos luajtëm dobët dhe kaq për mua mjafton për tu quajtur këto 180 minutat që duhen fshirë nga kujtesa. Të gjitha skuadrat japin maksimumin ndaj nesh sa herë përballen si në fushën tonë, por edhe jashtë.
Tani duhet të mendojmë për ndeshjet e tjera dhe unë personalisht, por edhe grupi tjetër i lojtarëve janë gati për të dhënë më të mirën në fushë. Jam përshtatur shumë mirë me Skënderbeun dhe mu bënë javë këtu në Korçë. Trajneri më ka provuar edhe në mesfushë, por roli im ideal është mbrojtës krahu, ose edhe qendre. Gjithsesi, kjo pak rëndësi ka, pasi unë luaj ku të ketë nevojë ekipi dhe e rëndësishme është që ndihem mirë dhe kam ardhur në Korçë për të dhënë maksimumin, – thekson Gvozdenoviç.
Shkumbini Pavarësisht se bashkëshorten e tij, Natasha dhe djalin Stefan, nuk i ka me vete në Korçë, si shumë të tjerë, ai ka deklaruar se nuk e ka problem, pasi ai ka ardhur për të luajtur futboll dhe për të shlyer atë besim që i ka dhënë presidenca dhe trajneri. Në lidhje me ndeshjen e së shtunës ndaj peqinasve, Gvozdenoviç do të shtonte:
Këtë javë të tretë ndaj Shkumbinit ne duhet të japim më shumë se 100%, pasi vijmë pas dy rezultateve jo të favorshme për ne dhe unë e theksova edhe më sipër, që është e vështirë të bësh parashikime përpara çdo ndeshjeje, por ne këtë herë do të fitojmë, pasi nuk kemi rrugë tjetër. Këtë ua premtoj me fjalë, por do ta shikoni edhe në fushën e lojës, i mbyll fjalët e tij 33-vjecari me shumë përvojë i Skënderbeut, serbi Ivan Gvozdenoviç.
Tifozët korçarë: Erdhi ora e fitores…!
Ultrasit kuqebardhë premtojnë spektakël ndaj peqinasve dhe thonë se Ujqërit do të kthehen
Thonë që ujqërit kthehen në dimër dhe në Korçë tashmë vera ka disa ditë që ka ikur dhe ndeshja e javës së 3-të ndaj Shkumbinit do të luhet në temperatura shumë herë më të ulëta se ato që u luajt me Tomorin në javën e parë. Për herë të parë dje, edhe vetë trajneri Duro ka veshur tutat, duke treguar se dimri është në prag në qytetin juglindor dhe kjo do të thotë që ujqërit janë gati të kthehen.
Këtë shprehje janë duke përdorur në prag të ndeshjes së kësaj fundjave ndaj Shkumbinit edhe tifozët e Skënderbeut, të cilët janë në përgatitjet e tyre të fundt, pasi edhe në shkallët e stadiumit pritet që këtë javë të ketë një spektakël më vete. Ndryshe nga java e parë ndaj Tomorit, ku në shkallët e stadiumit Skënderbeu nuk ishin më shumë se 5 mijë sportdashës, rekordi më negativ i tifozëve korçarë prej një viti, këtë të shtunë priten pa frikë që të jenë 10 mijë të tillë.
Të etur për të shijuar fitoren e parë të këtij sezoni, ultrasit kanë disa ditë që kanë filluar organizimin e tyre, ndërkohë që diçka që të bind për një gjë të tillë, është edhe shitja e biletave që ka filluar prej disa ditësh dhe tifozët tashmë e kanë siguruar vendin e tyre në stadium.
Mungesa e sportdashësve në javën e parë lidhet edhe me atë se në minutat e fundit sportdashësit korçarë u dyndën për bileta dhe kompania private nuk i përballoi dot, duke u bllokuar edhe dyert e stadiumit e duke lënë shumë tifozë jashtë kangjellave. Këtë herë gjithçka është ndryshe dhe organizimi është bërë në atë mënyrë që askush të mos mbetet jashtë stadiumit.
Koha e mjaftueshme për përgatitjet e tifozëve ka bërë që ultrasit të vendosin të gjitha pankartat në stadium dhe në Korçë pritet vetëm starti i javës së 3-të, që korçarët e cilësojnë me të drejtë si javën e parë, pasi për Skënderbeun tani fillon kampionati.
