E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali i hakersave, shkolla kineze kalon amerikanët

Autori i Lajmit: Redaksia

Shangai — Me reputacionin e një institucioni shumë prestigjioz shkencor, Univeristeti “Shanghai Jiaotong” mund të krahasohet fare mirë me institucionet më të rëndësishme shkencore amerikane. “Shanghai Jiaotong” është binjakëzuar me universitete elitë në SHBA si “Duke University” dhe “University of Michigan”. Studentët e saj janë aq të zotë në shkencë dhe inxhinieri sa kompanitë prestigjioze të softuerëve kompjuterik “Microsoft” dhe “Intel” kanë dërguar agjentët e tyre për të përthithur studentët më të mirë. Por Universiteti Jiaotong, kampusi i të cilit ka më shumë se 33,000 studentë sot po përballet me një pyetje të pakëndshme: A është ai bazë e hakersave të sofistikuar kompjuterikë? Hetuesit që po shqyrtojnë dhjetëra sulme ndaj “Google” dhe kompanive amerikane vitin e shkuar, kanë rënë në gjurmët e universitetit të Shangait dhe një shkolle tjetër profesionale në Kinën Lindore.
Disa ditë më parë “New York Times” raportonte se dy institucione edukuese – Shkolla Profesionale Lanxiang, e cila ka lidhje me ushtrinë kineze, dhe Universiteti Jiaotong i Shangait – ishin përfshirë në një seri sulmesh kibernetike ndaj Google dhe kompanive të tjera amerikane, të cilat mund të kenë filluar që prej prillit të vitit të shkuar. Kompani të shumta, përfshirë Adobe dhe Rackspace, kanë konfirmuar se ato ishin gjithashtu të vëna në shënjestër dhe objektivat e tjerë mendohet të kenë qenë Yahoo! dhe Northrup Grumman. Muajin e shkuar Google tha se nuk ishte më e gatshme të censuronte rezultatet e sjella prej motorit të tij të kërkimit kinez dhe kërcënoi të largohej nga vendi, derisa ai të lejonte të vepronte e pa censuruar. Në të njëjtën kohë Google njoftoi se ishte viktima e një “sulmi shumë të sofistikuar dhe të qëllimshëm” në serverët e tij, e cili thuhet të ishte një përpjekje për të piratuar llogaritë Gmail të aktivistëve të të drejtave të njeriut në Kinë. Qeveria kineze ka mohuar të jetë pas këtyre sulmeve, të cilat thuhen të kenë nxjerrë në shesh të çara sigurie në shfletuesin e internetit të Microsoft Internet Explorer. Motori i kërkimit kinez i Google ngelet ende funksional dhe rezultatet e tija janë ende të censuruara. Megjithatë, javën e shkuar të dyja shkollat e mohuan lidhjen e tyre me këtë skandal. Një zëdhënës i Universitetit Jiaotong tha për një televizion lokal se zyrtarët e shkollës ishin të “shokuar dhe indinjuar” kur kishin dëgjuar këto akuza. Një zëdhënës i Lanxiang i quajti gjithashtu qesharake këto pretendime. Por analistët thonë se Jiaotong është një nga universitet elitë të Kinës dhe i është ngarkuar të ndihmojë në transformimin e vendit në një superfuqi të shkencës dhe teknologjisë. Më herët këtë vit, Universiteti amerikan Duke tha se me ndihmën e Jiaotong, ata do të ndërtonin kampusin e tyre afër Shangait.

Ky lajm është publikuar: 23/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›